Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar këtë të hënë me urdhër të SPAK-ut. Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme po kryente hetime lidhur me disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.
Ndaj Veliajt është miratuar masa e sigurisë "arrest me burg". Gjithashtu mësohet se Gjykata ka miratuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxaj.
Zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer disa herë kontrolle në ambientet e biznesit të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe vëllait të tij, Arbi Veliaj./A2CNN
VIDEO: a2news.com
Veliaj: S’kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas arrestimit të tij të hënën.
Veliaj në një postim në Facebook ka thënë se një prokuror “s’ka lënë dëshmitar pa shantazhuar”.
“Nuk më befason ky fund absurd i këtij kapitulli të gjatë zvarritjeje sa në gojët e qenërisë mediatike dhe sa në duart e një prokurori lunatik, që është një fyerje e gjallë e inteligjencës njerëzore. Por, ky ishte vetëm kapitulli i parë. Tani unë nuk kam më detyrimin të hesht për çfarë më kanë parë sytë në sjelljen me familjen time dhe më kanë dëgjuar veshët nën çatinë e SPAK-ut. Kam respektuar, si gjithë të tjerët, vijën tonë politike, jo komente për një proces të hapur nga drejtësia. Besomëni, nuk është e lehtë të heshtësh kur të djeg lëkura sikur të fikin bishta cigaresh në trup nga idiotësitë që të thotë një prokuror, si ai që nuk la dëshmitar pa shantazhuar. E kam bërë me besimin që kështu duhet dhe nuk pendohem që kam shtrënguar dhëmbët”, ka shkruar Veliaj.
Veliaj ka thënë se ai dhe familja e tij s’kanë të bëjnë asgjë me fjalën korrupsion dhe se e vërteta “është më e fortë se sa çdo mur”.
“Nuk besoj se mediat do të kenë kurajon të zbërthejnë një më një akuzat idiote dhe më vjen tmerrësisht keq që disa sipërmarrës kanë hyrë në dorën e atij të padituri epsharak, për shkak se kanë sponsorizuar aktivitete kulturore për Tiranën. Më vjen keq për Ajolën, që as djalin nuk e lanë të çojë e marrë nga shkolla, por edhe kjo nuk më befason. Më vjen keq për nënën time, që zemër plasur në çdo betejë timen këto 20 vite, s’ju ndanë peripecitë prej një jete sakrificash. Më vjen keq për të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, punonjësit e Bashkisë së Tiranës dhe dua ta dinë që nuk kam unë asnjë lidhje me idiotësitë e shkruara në paçavuren fatkeqësisht të sigluar edhe nga Altin Dumani”, ka shkruar Veliaj. “Më vjen keq për motrat dhe vëllezërit e Partisë Socialiste dhe për kryetarin, që pas kaq vitesh beteja të përbashkëta elektorale, nëse nuk do të më ketë në krah këtë fushatë, siç duket gjasat, përderisa më fusin në burg pa gjyq 3 muaj para zgjedhjeve. U them të gjithëve atë që i kam thënë kryetarit dhe kujt tjetër më ka pyetur: Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion. Kjo historia jonë është aq tragjikomike sa njerëzit s’do ta besojnë kur t’i dëgjojnë të zbërthyera një e nga një, idiotësitë e asaj akuze. Nuk do të jetë e lehtë, se në këto kushte nuk shpjegohesh dot si do dhe sa do, por kam një besim të madh se e vërteta është më e fortë se sa çdo mur dhe se sa çdo idiot që i bëhet asaj barrikadë duke abuzuar me pushtetin e drejtësisë”.
SPAK-u publikon akuzat ndaj Veliajt
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka publikuar akuzat për të cilat dyshohet kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas SPAK-ut, ai akuzohet për “korrupsion pasiv”, “korrupsion aktiv”, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “refuzim për deklarim ose mosdeklarim i pasurisë ose deklarim i rremë” dhe “deklarata të rreme”. Mbi të rëndojnë edhe disa vepra të tjera penale.
SPAK-u tha se Veliaj dyshohet se ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si leje ndërtimi të subjekte tregtare të lidhura ngushtë me të.
Për disa prej veprave dyshohet edhe bashkëshortja e tij, Arjola Xoxa.
Një njoftimin zyrtar të SPAK, nga transaksionet dhe pagesat që shkonin nga Veliaj te Xoxa përmenden edhe shpenzimet e kësaj të fundit për veshje dhe bizhuteri.
SPAK-u thotë se Xoxa për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, shpenzime të cilat nuk rezultojnë të deklaruara.
“Përveç sa është përshkruar më lart, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka siguruar prova të mjaftueshme për të konkluduar se shtetësja A. X., vetë ose nëpërmjet personave të tjerë të afërt me të, për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë. Këto shpenzime nuk rezultojnë të jenë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë Tiranë si edhe personave të lidhur me të”,- thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK./Tch