E dashura kosovare e të dyshuarit për disa vrasje, Nuredin Dumani, është arrestuar nga Policia e Shqipërisë të enjten.
M.H., 20-vjeçare, banuese në Kosovë, e që bashkëjetonte me Dumanin, është arrestuar për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve dhe përkrahje të autorit të krimit.
Dumani u arrestua dy ditë më herët. Ai ishte i shumëkërkuar nga Policia e Shqipërisë nën akuzat për shumë vrasje.
Sipas raportimeve, ka disa vite që ai jeton në Fier bashkë me gruan nga Kosova.
Pos gruas nga Kosova, për rastin janë arrestuar edhe tre burra të tjerë për moskallëzim të krimit. Të tre janë mjekë nga Fieri.
I akuzuar për disa vrasje, Nuredin Dumani, i cili u arrestua mbrëmjen e vonë të së martës, dyshohet për të paktën shtatë ngjarje të viteve të fundit. Shumica prej tyre, janë kryer pas armiqësisë mes tij dhe Talo Çelës, për 6 milionë euro të grabitura në pistën e aeroportit të Rinasit në prill të vitit 2019.
Arrestimi i Dumanit ndodhi pas shkëmbimit të zjarrit me Çelën.