Arbëri

Arrestohen tre të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit

Arrestim foto ilustrim

Foto ilustrim

Të paktën tre persona janë arrestuar të hënën nën dyshimin se kanë kryer krime lufte kundër popullatës civile në Burgun e Prishtinës dhe atë të Lipjanit në cilësinë e gardianëve, duke marrë pjesë në maltretim, rrahje, torturim fizik dhe psikik të të ndaluarve shqiptarë. 

Siç thuhet në njoftimin e Policisë, fillimisht në qytetin e Lipjanit në dy lokacion të ndara, janë lokalizuar dhe arrestuar i dyshuari B.T. mashkull dhe e dyshuara N.Ç. 

Në vazhdimësi të aktiviteti operativ në Prishtinë thuhet se është lokalizuar dhe arrestuar edhe i dyshuari i tretë M.I. mashkull. 

“Të njëjtit dyshohen për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’ të kryer gjatë vitit 1998-1999 në Burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, në cilësi të gardianëve-zyrtarëve korrektues në burgun e Prishtinës dhe Qendrën Korrektuese në Lipjanit kanë marrë pjesë në maltretimin, rrahjen, torturimin fizik dhe psikik të të ndaluarve shqiptarë”, thuhet në njoftim. 

Tutje është bërë e ditur se të arrestuarit janë shoqëruar në zyrat e Drejtorisë së Hetimit të Krimeve të Luftës dhe janë duke u intervistuar.