Arbëri

Arrestohen disa të dyshuar për shpërthimin në Ibër-Lepenc

Policia në Varagë të Zubin-Potokout

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

(E përditësuar 12:10) - Disa të dyshuar janë arrestuar në fshatrat e Zubin-Potokut të shtunën, pas bastisjeve nga Policia e Kosovës lidhur me shpërthimin në Ibër-Lepenc. 

Përveç arrestimeve, Policia ka konfiskuar edhe disa materiale të ndryshme, ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti.

VIDEO:

Kurti gjatë vizitës në Varagë paraditen e sotme u shpreh se për shpërthimin nuk janë përgjegjës vetëm një ose dy persona, “por një grup i strukturuar i dirigjuar nga Serbia”.

“Vetëm duke ju falënderuar punës vetmohuese të këtyre policëve, inxhinierëve, ekspertëve dhe punëtorëve kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin ndonëse jemi diku diç më shumë se çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit, që e bën edhe ftohjen e termoelektroneve dhe furnizimin me ujë të shumë komunave. Policia po i zhvillon hetimet, ka bastisje dhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë dhe ligjin e Republikës demokratike të Kosovës”, ka thënë Kurti nga vendngjarja.


Bastisje në veri

(09:02) - Aksion i forcave të Policisë së Kosovës po zhvillohet në veriun e vendit të shtunën.

Policia e Kosovës ka thënë se po zhvillohet bastisje, por se nuk ka mundur të ndajë informacione të tjera deri tash.

Në tri ditët e fundit tri sulme kanë ndodhur në veriun e Kosovës. Më pak se 24 orë pas sulmit me granatë dore në ndërtesën e Komunës në Zveçan, ka ndodhur një shpërthim në rrjetin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë të Zubin-Potokut të premten. 

Autoritetet qendrore të Kosovës, për sulmin që kanë cilësuar terrorist, e bëjnë përgjegjëse Serbinë. Sulmet janë dënuar edhe nga SHBA-ja e BE-ja. 

E, të martën granata dore ishin hedhur në oborrin e stacionit policor në Zveçan.