Arbëri

Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Taravari: Po marrim masa

Arben Taravari

Të mërkurën, ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani, është ndaluar nga Policia e Maqedonisë së Veriut me një fletarrest të lëshuar nga Serbia. 

Qeveria e Kosovës ka thënë se është në kontakt me atë të Maqedonisë së Veriut për t’u informuar më shumë rreth këtij rasti. E, Arben Taravari i koalicionit VLEN ka bërë thirrje që rasti i Ramadanit të mos politizohet.

Duke përmendur arrestimet e kaluara, Taravari ka thënë për KOHËN se duhet të gjendet një zgjidhje që raste të tilla të mos përsëriten. 

“VLEN apelon që rasti i Blerim Ramadanit të mos keqpërdoret për politikë ditore. Me një qasje të tillë nuk i ndihmojmë atij dhe të afërmve të tij. Kjo është një praktikë e keqe si në rastet me Tomor Morinën dhe Gafur Dugollin. Nevojitet një zgjidhje sistematike për këtë çështje që të mos përsëritet”, ka thënë ai.

Taravari ka shtuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës, Florian Qehaja” dhe  “tashmë po marrim masa”.