Haxhiu ka thënë se Ministria e Jashtme po komunikon vazhdimisht përmes zyrës në Serbi me të arrestuarit dhe familjarët e tyre. Ka deklaruar se Serbia po vazhdon të arrestojë njerëz të pafajshëm në baza politike.
U ka kërkuar ndërkombëtarëve për trysni ndaj Serbisë.
“MPJ përmes zyrës atje ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta dhe familjet e tyre. Nuk është asgjë e re, është vazhdimësi e politikave të mbrapshta e politike të Serbisë kundër Kosovës. Si institucione kemi qenë në vazhdimësi në komunikim, se a do lirohen kjo nuk varet prej Kosovës. Siç ka bërë në të kaluarën, ka mbajtur në burgje njerëz të pafajshëm, vazhdon. Serbia aspak nuk na befason por kërkoj nga partnerët të bëjnë trysni ndaj Serbisë të ndaloj veprimet e tilla. Kosova nuk ka bërë asnjëherë arrestime në baza politike”, ka thënë ajo në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Haxhiu: Nuk heqim dorë nga Kodi Civil, do ta procedojmë sapo t’i sigurojmë votat
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kodin Civil do ta procedojnë në Kuvend sapo të jenë të sigurt se i kanë votat e mjaftueshme.
Ajo ka theksuar se për Qeverinë është dokument shumë i rëndësishëm dhe se nuk është mirë për vendin që ai të dështojë në votim në Kuvend.
“Qeveria konsideron se është dokument i rëndësishëm. Është në interes të gjithë qytetarëve me qëllim të realizimit të të drejtave të njeriut. Nuk mund ta procedojmë në Kuvendi derisa nuk jemi të sigurt se Kodi Civil nuk kalon. Për Kosovën nuk është mirë që një dokument kaq i rëndësishëm të dështojë sërish në Kuvend. Nuk kemi hequr dorë nga ai sepse nuk i negociojmë të drejtat e njeriut. Do ta procedojmë Kodin Civil kur kemi siguri se kalon”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka shtuar se opozita po kundërshton projektligje dhe nuk po e ndihmon procesin.
“Nuk është obligim i mazhorancës, por edhe opozitës. Çfarë na ndodh me këtë opozitë është se përkundër faktit se hedhin akuza të ndryshme, kundërshtojnë draftligje apo projektligje, janë të rralla herët kur procedojnë amandamente në Kuvend. Ende nuk jemi të sigurt se i kemi votat, por do ta procedojmë në momentin që t’i kemi”.