Arbëri

Arratisjet pas dënimeve në shkallë të parë. Pas Sekiraqës arratiset edhe Roshiqi

I dënuari me 10 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanovqi, Marko Roshiq është arratisur. Atij i ishte caktuar masa e paraburgimit ditën e shpalljes së dënimit. Megjithatë, kur Policia e Kosovës shkoi në vendbanimin e tij për ta dërguar në paraburgim u pa që ai tashmë ishte arratisur. Një tjetër arratisje e ngjashme ka ndodhur në maj

Brenda pak muajsh, institucioneve të drejtësisë u janë arratisur dy të akuzuar pas dënimit të tyre në shkallë të parë.

Pas arratisjes muaj me parë të Enver Sekiraqës pasi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, javë më parë është arratisur edhe Marko Roshiq, i dënuari me 10 vjet burgim për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanovqi.

Këtë ia ka konfirmuar KOHËS zëvendësdrejtori i Policisë për veri, Veton Elshani.

"Po. E konfirmuar që më 28 qershor ka ikur. Edhe ai nuk ka qenë në burg", ka thënë Elshani.

Gjykata Themelore në Prishtinë kanë shpjeguar veprimet që janë ndërmarrë në këtë rast. 

Sipas saj, tashmë është lëshuar urdhër-arrest.

“Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarrë veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit. Tani rasti është me urdhër-arrest për arrestimin e këtij të akuzuari, e të cilin urdhër e ka në zbatim Stacioni Policor në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 28 qershor 2024 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vjet burgim së bashku.

Në shpallje të aktgjykimit, gjykatësi Valon Kurtaj ka deklaruar se me aktvendim të veçantë, Roshiqit do t’i caktohet masa e paraburgimit.

Muajve të fundit ka pasur disa raste të arratisjeve.

Enver Sekiraqa, më 3 maj 2024 është dënuar nga shkalla e parë me 25 vjet burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza, por ishte lënë të mbrohej në liri, derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Më 17 maj 2024, pas ankesës së Prokurorisë Speciale, Apeli vendosi ta kthente Sekiraqën në paraburgim, duke pranuar kërkesën e prokurorisë.

Por kur policia ka shkuar për ta marrë në shtëpi, nuk e ka gjetur. Më pas ka lëshuar edhe urdhërarrest si dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij.