Arbëri

Arratisja e Enver Sekiraqës ngre dyshime për joprofesionalizëm e korrupsion

Enver Sekiraqa, i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, që nga e premtja është në arrati, e kjo ka nxitur reagim të udhëheqësve institucionalë dhe të organizatave joqeveritare. Sekiraqa në fillim të majit u dënua me 25 vjet burgim, por u la i lirë deri në plotfuqishmërinë e vendimit. Të premten Apeli mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi

Arratisja e të dënuarit me 25 vjet burgim, Enver Sekiraqa, ka nxitur dyshime tek organizatat joqeveritare e udhëheqësit institucionalë lidhur me profesionalizmin dhe integritetin e sistemit gjyqësor.

Sekiraqa është dënuar për të tretën herë në fillim të majit. Mirëpo deri në plotfuqishmërinë e vendimit Gjykata vendosi që ai të mbrohej në liri.

Prokuroria Speciale heqjen e masës e ka kundërshtuar ditën e dënimit, më 3 maj, e Gjykata Apelit më 17 maj vendosi që ta pranojë këtë kërkesë si të bazuar dhe ta kthejë Sekiraqën në paraburgim. Mirëpo, policia nuk e gjeti në adresën e tij.

Lavdim Makshana, hulumtues në IKD, ka thënë se lartësia e dënimit duhej të shërbente si indikacion se ka rrezik që ai të arratiset.

“Për neve si IKD mbetet e paqartë dhe është tërësisht kontradiktore, se si në një rast të tillë ku dënimi është caktuar deri në 25 vjet burgim, por të dënuarit nuk i është caktuar masa e paraburgimit apo ndonjë masë tjetër e sigurisë”, ka thënë Makshana.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, të shtunën hodhi akuza në drejtim të gjyqtarëve. Ajo madje ngriti dyshime edhe për korrupsion.

“Kjo qasje joprofesionale e gjyqtarëve në shumë raste po rezulton me trashje të krimit. Herë po manifestohet me vrasje e herë me arratisje të tërësishme. Dhe ky nuk është gabim i izoluar, por veprime të shpeshta që po shndërrohen me mendësi të gjykimit e të cilat po përkthehen në stimulim të kriminelëve...Ky rast, përveç tjerash, ngre dyshime edhe për përfshirje në korrupsion prandaj duhet të ketë një hetim profesional dhe përgjegjësi nga ata që mundësuan këtë arratisje”, ka shkruar Haxhiu.

Sekiraqa akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza në gusht të 2007-s, e cila sipas Prokurorisë ndodhi pas një zënke mes tyre në dhjetor të vitit paraprak.

Më 2017 ai ishte dënuar me 37 vjet burgim për dy vepra penale: “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “detyrim”.

Rasti më vonë u kthye në rigjykim.

Më 2019 u dënua me 30 vjet heqje lirie, por sërish rasti u kthye në gjykim.

Dhe tash në herën e tretë, në fillim të muajit maj, u dënua me 25 vjet burgim.