Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, ka thënë se ky proces përfaqëson një detyrë institucionale të arkivave për të ndihmuar në ndriçimin e të vërtetës historike. E sipas drejtorit të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, këto materiale përfshijnë dëshmi të refugjatëve, përshkrime të ngjarjeve të krimeve të luftës dhe regjistrimet të përpjekjeve humane që dokumentojnë vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë kësaj periudhe të vështirë
Një qind dokumente nga Arkivi Qendror i Shqipërisë janë dorëzuar në Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë. Dokumentet përmbajnë vendime të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për mënyrën e pritjes dhe sistemimit të qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës të dëbuar gjatë luftës së fundit nga forcat serbe. Dorëzimi i materialit që i referohet ngjarjeve të viteve 1998-1999 është pjesë e marrëveshjes mes Kosovës e Shqipërisë.
Dëbimi me dhunë i shqiptarëve të Kosovës dhe kalimi i shumicës së tyre në Shqipëri gjatë luftës së vitit 1998-1999 konsiderohet një ngjarje e rëndësishme historike. Dëshmi të refugjatëve dhe përshkrime të ngjarjeve të krimeve të luftës janë ruajtur në Arkivin Qendror të Shqipërisë, i cili të premten i dorëzoi këto materiale Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Shqipëri, Ardit Bido, tha se ky proces përfaqëson një detyrë institucionale të arkivave për të ndihmuar në ndriçimin e të vërtetës historike.
“Është detyrë e drejtorit të përgjithshëm të Arkivave që të ndihmojë punën tuaj, duke mundësuar jo thjesht dokumentacionin që ekziston në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, që është i shumtë veçanërisht në mënyrën se si u pritën të gjithë refugjatët shqiptarë të Kosovës gjatë luftës së vitit 1999, por edhe përmes ekspertizës sonë në fushën e mirëfilltë arkivore, të cilën ne e kemi të bashkëndashme me homologët tanë të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës”, deklaroi Bido.
Drejtori i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, theksoi rëndësinë e këtyre dokumenteve për ruajtjen dhe hulumtimin e kujtesës historike. Ai tha se këto dokumente janë një burim i rëndësishëm për të plotësuar mozaikun e të vërtetës historike.
“DPA me një përvojë mbi 75 vjeçare ka një rëndësi të veçantë në këtë drejtim pasi përmban dokumente të vlefshme edhe të periudhës 1998-99, kur Shqipëria ishte mobilizuar si vend për ti pritur dhe sistemuar qindra, mijëra refugjatë shqiptarë. Këto materiale përfshijnë dëshmi të refugjatëve, përshkrime të ngjarjeve të krimeve të luftës dhe regjistrimet të përpjekjeve humane që dokumentojnë vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë kësaj periudhe të vështirë, dhe janë burime jetike për të plotësuar mozaikun e të vërtetës historike që instituti do ta hulumtojë më tutje dhe do ta publikoj”, tha Hetemi.
Gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake e policore serbe dëbuan me dhunë afro 500 mijë shqiptarë në Shqipëri, afro 250 mijë në Maqedoni dhe 63 mijë në Mal të Zi.
Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë për gjatë një viti ka arritur që nga 67 burime të ndryshme, të grumbullojë video, audio e fotografi, që dokumentojnë krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.