Arbëri

Arkitekti milionësh i kryeqytetit me pak punë deri tash

Edhe pse vetë është arkitekt, Përparim Rama e ka parë të nevojshme që të angazhojë edhe një arkitekt për ta strukturuar kryeqytetin.

Më 22 korrik, kur e Komuna e kishte hapur thirrjen për tender të kompanive, vlera e parashikuar e kontratës e kishte kapur vlerën e 12 milionë eurove, për 36 muaj sa edhe do të zgjasë kjo kontratë.

3 muaj i ishin dashur Ramës që ta zgjidhte operatorin ekonomik, i cili do të ishte arkitekti i qytetit.

Që nga 13 nëntori Rama thotë që problemin me trafikun e mbingarkuar dhe kaosin urban e ndërtimet shkel e shko do t’i zgjidhë tanimë arkitekti Astrit Nixha së bashku me kompaninë e tij ‘Anarche”.

Kryetari Rama ka deklaruar që arkitekti i qytetit nuk është një person, mirëpo një shërbim ku do të punojnë një numër i madh i njerëzve.

“Arkitekti i qytetit nuk është person, është faktikisht një organizëm me një numër të madh të konsulentëve personalë nga fusha e infrastrukturës, e po ashtu edhe në aspektin e rregulloreve dhe mënyra e marrjes së kërkesës për leje ndërtimore dhe shërbimet e tjera që t’i digjitalizojmë. Me arkitektin e qytetit do ta ndërtojmë ‘Tulltoren’, do ta transformojmë Pallatin e Rinisë, po ashtu edhe Tregun e Gjelbër, zgjatjen e tij e po ashtu edhe zgjatjen e shesheve”.

Opozita në anën tjetër po e fajëson Komunën për mostransparencë në procesin e përzgjedhjes së arkitektit të qytetit.

“Ka një mbyllje të Komunës së Prishtinës sa u përket zyrtarëve të ekzekutivit, ne jemi duke e analizuar procesin. Ka mungesë transparence për përzgjedhjen e arkitektit. Vetë Rama ka thënë në fillim të mandatit që do ta bëjë arkitektin e qytetit, mirëpo nuk ka thënë që këtë detyrë do t’ia japë një operatori privat. Trajnimi i kërkesës për leje ndërtimore është 1.5 euro në Prishtinë, të ketë kërkesë deri në 700 mijë euro. Komuna deri më tani e ka pasur zyrën në kuadër të urbanizimit që për pagesë të arkitektëve aty i ka kushtuar diku 45 mijë euro në vit, kurse tash me këtë kompani do t’i kushtojë 1 milionë në vit. Kjo është një kapërcim i madh i çmimit, ne kemi shumë paqartësi”, tha Bahri Gashi, shef i GP të AAK-së.

KOHA ka provuar që të flasë me Nixhën, mirëpo i njëjti gjatë gjithë ditës së enjte nuk ka qenë i qasshëm në telefon.

Kurse bashkëpunëtori i tij Albi Shita ka thënë që nuk ka kohë të flasë për këtë temë.