Arbëri

ARKEP-i autorizon Starlinkun për ofrimin e shërbimeve në Kosovë

Starlink

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka njoftuar se më 18 tetor, ka lëshuar autorizimin e përgjithshëm për liderin global për ofrimin e shërbimeve satelitore të qasjes në internet, kompaninë Starlink. 

Në njoftimin e ARKEP-it thuhet se ky autorizim përfaqëson një hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të territorit të Republikës së Kosovës.

“Në të gjithë globin, Starlink u ka mundësuar komuniteteve në nevojë të kenë qasje në arsim, shërbime shëndetësore, të mundësojnë punën në distancë dhe të ofrojnë mbështetje kritike të komunikimit gjatë fatkeqësive natyrore ose raste tjera të emergjencave kombëtare. Për më tepër, hyrja e kësaj kompanie në tregun vendor do të sjellë përfitime për ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për inovacion”, thuhet në njoftim.

Si funksionon Starlinku?

Rrjeti Starlink lëshohet në hapësirë nëpërmjet antenave satelitore, e përdoruesi obligohet që të paguajë një antenë shpërndarëse dhe llogarinë për qasje në internet.

Ky internet mbulon një fushë shumë të madhe gjeografike të shpërndarjes.

Starlinku zakonisht funksionon me një model abonimi mujor. Tarifa mujore mbulon shërbimin e internetit dhe është tarifë fikse që ofron qasje pa asnjë kufi të të dhënave.

E, fatura vjetore pos internetit, përfshin edhe shërbime të tjera.

Çmimi i saj mund të ndryshojë në bazë të vendndodhjes së klientit.

Kompania amerikane merret automatikisht me përditësimin e softuerit.