Arbëri

Arifi thotë se u dënua me afër 500 euro për vendosjen e flamurit kombëtar në Bujanoc

Shqiprim Arifi, flamur

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se është dënuar me afër 500 euro për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e subjektit politik në Bujanoc. 

Ai ka thënë se flamuri ishte vendosur më 28 nëntor, ndërsa gjoba i ka ardhur sot, 18 prill. 

“Gjykata për Kundërvajtje në Vranjë ka nxjerrur AKTVENDIM lidhur me vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar në selinë e partisë tonë në Bujanoc, me ç'rast ky dënim përbëhet prej 5000 dinarëve ndaj mua si person përgjegjës në pozitën e kryetarit të partisë ‘Alternativa për Ndryshim’, ndërkaq 50.000 dinarë për subjektin politik që kam drejtuar deri në shkurt të këtij viti, kur është datuar edhe ky aktvendim”, ka thënë ai.

Arifi ka theksuar se aktvendimi është shkelje e të drejtave individuale e kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.  

Ka shtuar se derisa serbëve të Kosovës po u jepen më shumë të drejta, shqiptarët e Luginës po diskriminohen.  

“Derisa përgatitjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë në fazën finale për themelimin e ashtuquajturës "Asociacioni i komunave me shumicë serbe — Zajednica" me kompetenca të plota ekzekutive, shqiptarëve në Luginën e Preshevës i mohohen të drejtat elementare njerëzore siç është vendosja flamurit kombëtar”, ka potencuar ai.