Ardita Sinani e ka shpallur fitoren në Preshevë për zgjedhjet lokale që u mbajtën të dielën. Ajo ka thënë se fitorja është historike.
“Subjekti ynë politik i ka 4078 vota, PDSH-ja i ka 3703, Aleanca 1185, APN 2850... Kjo fitore përpos që është rritje për subjektin tonë politik, krahasim me numrin në rënie të votuesve, për neve është shumëfish më e madh e ne kemi dominuar në të gjitha bastionet e jemi dominues në bastionet e APN-së”, ka deklaruar Sinani.
Sipas Sinanit, ky proces zgjedhor është shumë i rëndësishëm.
Ajo ka shtuar se do të qeverisë për katër vjetët e ardhshme “me maturi e përgjegjësi”.
“Një përshëndetje të ngrohtë keni nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti”, është shprehur më pas ajo, derisa të pranishmit nisën të thirrin emrin e Kurtit.

Në Bujanoc Fronti për Ndryshim, në krye me Arbër Pajazitin ka shpallur fitoren e zgjedhjeve.
Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik, njëherësh këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, e ka pranuar humbjen.
“Të dashur miq, zgjedhjet mbaruan dhe, për fat të keq, këtë herë nuk arritëm të fitojmë. Megjithatë, jam shumë krenarë për punën dhe përkushtimin që keni treguar gjatë gjithë fushatës. Faleminderit secilit prej jush për mbështetjen e palodhur, për besimin dhe përkushtimin. Ky nuk është fundi. Kontributi për idealet dhe aspiratat tona nuk mbaron”, ka shkruar ai.