Regjisori Agim Sopi ka deklaruar se kultura në Kosovë është në “koma”, derisa akuzoi ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, që po i përkrah financiarisht organizatat e afërta me të.
Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se gjendja aktuale e kulturës është e mjerueshme.
“Fatkeqësisht gjendja aktuale në kulturë është më se e mjerueshme, Kultura është në koma, s'po them që ka vdekur, por në komë. Në këtë katërvjeçar kanë ndodhur gjëra skajshmërisht negative, pasi kultura duket se është keqkuptuar si nocion. Kemi një ministri që quhet e kulturës, por është shndërruar në një ministri të shoqërisë civile”, ka thënë Sopi.
Ai ka shtuar se miliona euro buxhet iu ndahen organizatave të shoqërisë civile, derisa shtoi se instiucionet primare “janë të mbyllura dhe të shkatërruara”.
“Qendra Kinematografike e Kosovës është e mbyllur dhe e kapur. I shërben një klani që është establishuar tash e një kohë. Gjendja e trashëgimisë është e tmerrshme”, ka thënë tutje Sopi.
Selimaj: Sallën për Filharmoninë e kemi parë vetëm në rrjete sociale
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka deklaruar se Ministria e Kulturës s’ka bërë intervenim për rregullimin e sallës së Filharmonisë së Kosovës, duke theksuar se ajo po përballet me problemet e vjetra.
Sipas Selimajt, intervenimi i vetëm mbetet renovimi i kulmit, derisa shtoi se në aspektin e infrastrukturës “s’ka lëvizur fare”.
“Filharmonia ka dy njësi. Pavarësisht se për 25 vjet filharmonia është rritur nga 30 anëtarë në 80 instrumentistë e këngëtarë, nëse ka pasur një zhvillim në aspektin programor apo të aktivitetit të rritjes së cilësisë, diçka që s’ka lëvizur fare është infrastruktura. Pos riparimit të kulmit, që s’është lënë në qiell të hapur, aty s’është bërë asnjë ndërhyrje”, ka shtuar ai.
Ugzmajli: Partitë s'kanë program për kulturën, disa kanë propozime e disa fare
Regjisori Besim Ugzmajli ka deklaruar se partitë politike nuk kanë programe për kulturën, e sipas tij, kjo temë po konsiderohet “e keqja e domosdoshme”.
Ai ka thënë të hënën në “Zgjedhjet në KOHË” se partitë po e trajtojnë si pjesë periferike kulturën.
“Ajo që përmendet është periferike, shpesh flitet për propozimet që s'janë çështje të Qeverisë. Një parti që ka pasur pushtetin dhe mendon ta vazhdojë, nuk ka prezantuar kurrfarë programi, as për asnjë dikaster tjetër. Aspak për kulturën. Kultura ka mbetur si mbetje që qeveritë e mendojnë si të keqe të domosdoshme”, është shprehur Ugzmajli.
Sipas tij, partitë politike kanë bërë “një përshkrim të përgjithshëm të kulturës” por pa përmbajtje konkrete.
Apolloni: Kultura e njerëzit e politikës janë larg, pak lexojnë e pak shkojnë në teatër
Regjisori dhe dramaturgu Ben Apolloni ka thënë se në këtë fushatë po dëshmohet se njerëzit e politikës dhe kultura janë shumë larg. Ai i është referuar gjuhës që politikanët kanë përdorur gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Po shihet se njerëzit e politikës dhe kultura janë larg. Ata njerëz pak lexojnë, e pak shkojnë në teatër dhe kjo vërehet shumë qartë në komunikimin e tyre. Kanë jashtëzakonisht shumë deficit të kulturës...Në këtë fushatë shohim se shumica e politikanëve kanë probleme me të folurin. Edhe nëse ke ide brilante, është me rëndësi se si ia komunikon atë masës”, ka thënë Apolloni në “Zgjedhjet në KOHË”.