*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Shumë pensionistë i janë drejtuar gjykatës, me kërkesën që ta obligojnë Qeverinë për t’ua rritur pensionet konform shkallës së inflacionit, siç specifikon një normë ligjore. Ata këtë e kanë bërë duke plotësuar formularë me të cilët autorizohen avokatët e angazhuar nga shoqatat. Disa nga ta janë ankuar se për të aplikuar po u kërkohet të jenë anëtarë të Shoqatës së Pensionistëve dhe të paguajnë nga 3 euro në vit
Me shpresën se Qeveria do t’ua rrisë të ardhurat në proporcion me rritjen e inflacionit, pensionistët kanë nisur plotësimin e formularëve të aplikimit në shoqatat përkatëse.
Por ky proces ka nxitur reagime dhe kritika. Disa nga pensionistët janë të pakënaqur me kushtin për aplikim, i cili është anëtarësimi në Shoqatën e Pensionistëve dhe pagesa prej 3 eurove në vit. Ata kanë ngritur edhe dyshimin për keqpërdorimin e mjeteve të anëtarësisë.
“Nga 3 euro i kemi dhënë secili nëse doni me apliku dhe me i mbushë ato formuluar. Avokati i tyre është pa pare, që do shkon i mbush ato edhe i dorëzon, por pse me ua jep këtyre. Çka është kjo, hajna janë këta që po i mbushin formular, e që po thonë se po ia çojnë avokatit me u ankuar. Këto mjete po mblidhen si mashtrim kinse avokatët i kemi nxënë 3 apo 4 avokatë, çka të duhen të gjithë ata avokatë, një është sa të duash”, ka thënë pensionisti Gani Krasniqi.
Njazi Gashi, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, ka thënë se në Kosovë janë afro 150 mijë pensionistë. Teksa e ka konfirmuar procesin e plotësimit të formularëve, ai ka sqaruar se çështja e anëtarësimit në shoqata është vullnetare.
“Ata paguajnë anëtarësi, sepse realisht për të kërkuar të drejtën e mbështetjes sonë për realizimin e të drejtave të tyre duhet të jetë anëtar. Por tani që ka një fluks të madh të pensionistëve nuk kanë hasur në mirëkuptim nëpër organizata. Disave nuk ua kanë pranuar dokumentet pa e paguar anëtarësinë, gjë që nuk kanë të drejtë, sepse njeriu bëhet anëtar kur të dojë dhe largohet kur të dojë, bëhet në mënyrë vullnetare dhe nuk ka asnjë procedurë juridike që e detyron atë të bëhet anëtar”, ka theksuar Gashi.
Kritika rreth mënyrës së aplikimit kanë adresuar edhe në Shoqatën e Pensionistëve Invalidorë të Punës në Komunën e Prishtinës.
Muhamed Qyqalla, drejtues i kësaj shoqate, ka thënë se në disa raste pensionistët po shpenzojnë nga dhjetëra euro për këtë shërbim.
“Kërkojmë nga policia dhe Prokuroria që të marrin masa dhe t’i ndalojnë këto keqpërdorime që të mos japin pare dhe të mos keqpërdorën pensionistët invalidor të punës. Raste kemi shumë që vijnë dhe na tregojnë se po i japin nga 20 euro e 30 euro dhe vijnë ankohen”, ka thënë ai.
Por pretendimi i tij është mohohet nga avokatët të cilët do t’i përfaqësojnë pensionistët. Ata kanë thënë se asnjë pensionist nuk ka nevojë të paguajë për aplikim dhe se nuk do të ngarkohen as në përqindje pasi t’i fitojnë lëndët.
“Kjo është shqetësuese për ne si avokatë që e kemi marrë autorizimin prej kryetarit të shoqatës se ata janë të liruar nga shpenzimet, por nuk e di sindikata e tyre në nivel të organizimit ndoshta kërkojnë. Ne nuk kemi pasur njohuri, por kemi dëgjuar prej personave të ndryshëm që po ua kërkojnë nga 3 euro, 20 euro apo diçka tjetër, por ne do të marrim masa në këtë drejtim”, ka thënë avokati Zahir Hamza.
Sipas Ligjit për skemën pensionale, varësisht nga shkalla e inflacionit dhe mundësitë buxhetore, Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Financave mund të vendosë për shumën e re të pensioneve.
“Harmonizimi i pensionistëve me koston e jetesës do të bëhet një herë në vit duke rritur shumën e pensionit që duhet paguar me të njëjtën përqindje bazuar në indeksin e kostos së jetesës të vitit paraprak”, thuhet në Ligj.
Pensionistët marrin ndërmjet 100 dhe 260 eurove në muaj, varësisht nga kategorizimi i tyre. Por shuma që marrin ata, viteve të fundit ka humbur në vlerë për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Në vitin 2022, inflacioni ka shënuar rritje prej 11.6 për qind, në vitin 2023 prej 4.8 për qind, ndërsa aktualisht, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave (ASK), është 2.3 për qind.
Ministria e Financave nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS për mundësinë e shqyrtimit të kërkesave për rritjen e pensioneve.