Gjykata e Apelit ka hapur seancën në rastin e njohur si “53 milionëshi”. Prezentë në sallën e pallatit të drejtësisë janë të katër të pandehurit me avokatët e tyre.
Gjykata Themelore në Prishtinë me aktgjykimin e nxjerrë në prill 2024 e dënoi ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Ai është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.
Lekaj është dënuar edhe me dënim plotësues, që ia ndalon për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike.
Bashkë me të janë dënuar edhe ish-sekretari i Ministrisë Nebih Shatri me një vit e tetë muaj, drejtori i Prokurimit Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim dhe këshilltari Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj.
Gjyqtari referues, Burim Ademi, ka theksuar se Prokuroria ka kërkuar që të rritet dënimi për të pandehurit, duke argumentuar se Gjykata Themelore në Prishtinë u ka dhënë peshë të tepërt provave shfajësuese.
Ai ka deklaruar se mbrojtja e të akuzuarve është ankuar mbi të gjitha bazat ligjore ku bëjnë pjesë vërtetimi i gabuar i gjendjes faktike si dhe shkeljet e dispozitave penale.
Mbrojtësit kanë kërkuar që aktgjykimi i Themelores të prishet dhe të kthehet në rigjykim. Mbrojtja e Lekajt, sipas përmbledhjes së gjyqtarit referues, ka thënë se nuk ekziston lidhja shkakësore mes veprimeve të ish-ministrit me kryerjen e veprës penale.