Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do t’i nënshtrohet rigjykimit pasi që Kolegji i Apelit ka gjetur shkelje procedurale dhe mungesë arsyetimi në aktgjykimin e shkallës së parë për rastin e njohur si “afera 53-milionëshi”. Sipas vendimit të Apelit, Themelorja nuk e ka sqaruar në mënyrë të qartë bazën ligjore për dënimin e Lekajt dhe tre ish-zyrtarëve të Ministrisë me 10 vjet e 3 muaj burgim në total, duke e bërë aktgjykimin juridikisht të paqëndrueshëm
Mbi një vit pasi që shkalla e parë ka nxjerrë vendim dënues, Gjykata e Apelit ka vendosur të enjten që ta kthejë në rigjykim çështjen penale ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal
Lekaj dhe tre vartësve të tij, për keqpërdorim të detyrës gjatë ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferri”.
Gjykata Themelore në Prishtinë pati vendosur më 31 janar të 2024-tës që Lekaj të dënohet me tre vjet e 8 muaj burgim për rastin që u bë i njohur si “afera 53-milionëshi”. Krahas Lekajt, në këtë rast të akuzuar janë edhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri. Ndaj të katërve qe shqiptuar dënimi prej 10 vjet e tre muajsh burgim, në total.
E sipas vendimit të kolegjit të Apelit, aktgjykimi i 2024-tës përmban gabime në procedurë dhe në vlerësimin e provave.
“Kolegji i Gjykatës se Apelit vëren se aktgjykimi i ankimuar nuk ka në arsyet e dhëna arsyetim mbi këto fakte vendimtare që e përbëjnë edhe figurën e veprës penale e që janë: a). Cilat dispozita të ligjit për prokurimin publik janë shkelur që do të përbënin tejkalim të kompetencave nga ana e të pandehurve”, thuhet në aktvendimin e Apelit.
Sipas gjetjeve të Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk e ka arsyetuar konstatimin se Lekaj dhe Berisha kanë keqpërdorur pozitat e tyre me dijeni dhe me dashje.
“Në arsyetimin e aktgjykimit, gjykata e shkallës së parë nuk thekson askund se cilat ishin kompetencat e të pandehurve që si persona zyrtarë përbënin tejkalim të autorizimeve të tyre që si të tilla ato veprime me cilën dispozitë të ligjit për prokurimin publik kanë rënë ndesh, me cilën dispozitë të rregullores së punës së Qeverisë kanë rënë ndesh veprimet e të pandehurve”, është thënë në aktgjykim.
Sipas vendimit, aktgjykimi i Themelores nuk ka dhënë arsye lidhur me njërin nga faktet vendimtare se Lekaj dhe Berisha e kanë injoruar opinionin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International”, pasi që Apeli ka konsideruar se kompetencat e kompanisë së angazhuar për mbikëqyrjen e projektit janë të paspecifikuara.
“Gjykata nuk ka sqaruar nëse opinioni ishte këshillëdhënës për Ministrinë apo ishte detyrues, nga lind baza e opinionit që të jetë detyrues, duke qenë se kompania “Hill Internacional” rezulton se, sipas kontratës, ishte përgjegjëse si kompani për mbikëqyrjen e kontratës dhe kjo mbikëqyrje a konsiston në përmbushjen e dinamikes së punimeve të kryera dhe kalkulimin e pagesave apo konsiston edhe në këshillimin e autoritetit kompetent, gjegjësisht Ministrisë”, thuhet në vendimin e Apelit.
Kompania “Hill International” qe kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, me një kosto prej 8.7 milionë eurosh, për të mbikëqyrur si konsulent ligjor, financiar dhe teknik realizmin e projektit të autostradës “Arbën Xhaferri” dhe se më herët asnjë pagesë nuk është kryer pa u certifikuar nga “Hilli”.
Rasti i njohur si “53-milionëshi” në shkallën e parë ka marrë epilog më 31 janar të vitit 2024. Sipas aktgjykimit të Themelores, Qeveria ka ndarë 53 milionë euro shtesë për kompaninë “Bechtel & Enca”, e cila i ka realizuar punimet e autostradës Prishtinë–Han i Elezit, duke e injoruar opinionin e “Hill...” që pati konstatuar se duhen paguar vetëm 14 milionë euro si dëmshpërblim kompanisë punëkryerëse për mosalokim të buxhetit konform dinamikës që parashihej në kontratën bazë për kryerje të punëve.
Vite më parë KOHA pati publikuar opinionin e kompanisë “Hill”, i cili nuk i është prezantuar Komitetit e më pas as hetuesisë. Pas raportimit të KOHËS, hetimet mbi rastin janë intensifikuar dhe në shkurt të 2022-tës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë. Autostrada Prishtinë-Han i Elezit, që e bart emrin “Arbën Xhaferi”, ka gjatësi prej 55 kilometrash dhe ndërtimi i saj i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro.