Arbëri

Apeli kthen masën “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Berisha

Sali Berisha

Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ktheu masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin Sali Berisha dy herë në muaj para oficerëve të policisë gjyqësore.

Ndalimi i udhëtimeve jashtë vendit dhe detyrimi për t’u paraqitur ishin masat e para që Gjykata e Posaçme vendosi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, 15 muaj më parë, kur ai ishte person nën hetim për korrupsion në çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Ai refuzoi ta zbatonte atë, prandaj Gjykata ashpërsoi masat, duke vendosur për të “arrest shtëpie”.

Berisha kërkoi në Apel shuarjen e kësaj mase sigurie, që Gjykata kishte miratuar një vit më parë. Apeli vendosi sot që “arresti shtëpiak” të zëvendësohej me “detyrim paraqitje”.

Prokuroria e Posaçme kishte kërkuar në Apel që ndaj Berishës të rivendosej masa e “arrestit shtëpiak”, pasi Gjykata e Posaçme vendosi në fund të nëntorit t’ia hiqte këtë masë.

Prej disa javësh ai është kthyer personalisht në veprimtaritë periodike partiake e parlamentare, si dhe në drejtim të protestave opozitare.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur nga shtatori i kaluar akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim ndaj ish-kryeministrit Berisha gjatë procedurave në privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani, gjatë të cilave dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga pronarët e tokës, ku gjendej kompleksi sportiv, dhe ku tani janë ngritur disa banesa.

Sipas SPAK-ut, ish-kryeministri Berisha ka shfrytëzuar postin zyrtar, teksa ka miratuar ligje dhe akte nënligjore të përshtatura me nevojat e ish-pronarëve të truallit për të mundësuar privatizimin e kompleksit sportiv.

Prokuroria e Posaçme dyshon se ai ka ushtruar presion përmes kontrolleve administrative ndaj strukturave shtetërore, në mënyrë që këto të përshpejtonin procedurat e privatizimit, si dhe i ka vënë këto struktura në dispozicion të dhëndrit Malltezi për të arritur privatizimin.

Krahas korrupsionit në bashkëpunim për Berishën dhe Malltezin, SPAK-u ka ngritur akuza edhe për tre persona të tjerë korrupsion aktiv dhe për pastrim parash.

Por Berisha nuk i ka pranuar akuzat duke i cilësuar si trillime në një proces të motivuar politikisht kundër tij me nxitjen e kryeministrit Edi Rama dhe se, sipas tij, në privatizimin e “Partizanit” nuk ka shkelje ligjore.

Edhe vendimin e sotëm për kthimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, ndonëse tha se do ta zbatonte, Berisha e cilësoi si “vendim pa asnjë bazë ligjore” me qëllime elektorale nga kryeministri Rama dhe një urdhër politik prej tij.

E nisur nga viti 2020, çështja Partizani nga mesi i tetorit është dorëzuar për gjykim nga SPAK-u me mbylljen e hetimeve, në Gjykatën e Posaçme, ku pritet të shqyrtohen hapat e mëtejshme të procesit. (VOA)