Bordi i RTK-së ka njoftuar se është anuluar procesi i konkursit për drejtor të përgjithshëm të RTK-së.
Bordi ka mbajtur një mbledhje të hënën, ku është shqyrtuar edhe pika e votimit për hapjen e zarfeve për konkursin e drejtorit të përgjithshëm.
“Gjatë diskutimeve, zyrtari ligjor ka sqaruar të gjithë bazën ligjore për të trajtuar këtë proces më tej, duke theksuar se tejkalimi i afatit paraqet bazë për anulimin e konkursit, kjo për të mos cenuar ndonjë të drejtë të aplikuesve ose procesin e rregullt të konkursit. Me këtë rast, anëtarët e Bordit, me shumicë votash, kanë votuar kundër hapjes së zarfeve pas kalimit të afatit të përcaktuar, duke anuluar kështu procesin e konkursit për drejtor të përgjithshëm”, është njoftuar nga Bordi i RTK-së.
Po ashtu Bordi ka njoftuar edhe se ka pranuar dorëheqjen e parevokueshme të zëvendësdrejtorit të përgjithshëm Adi Krasta.
“Në këtë mbledhje, gjithashtu, kryetarja njoftoi anëtarët e Bordit se ka pranuar zyrtarisht letrën e dorëheqjes së pakthyeshme të Zëvendës Drejtorit të Përgjithshëm, Adi Krasta, dhe shprehu falënderimet e sinqerta për punën dhe kontributin e tij të vlefshëm në Radio Televizionin e Kosovës. Në veçanti, Bordi e vlerëson përkushtimin e z. Krasta në organizimin dhe zhvillimin e Festivalit të Këngës në RTK. Bordi i uron z. Krasta suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional dhe angazhimet e tjera”, është thënë nga Bordi i RTK-së.
Lidhur me vendimet e marra në mbledhjen e Bordit ka reaguar edhe juristja e mediave Flutura Kusari.
“Sapo dola nga mbledhja e bordit të RTK-së. Konkursi për drejtor gjeneral të RTK-së dështoi. Nuk u diskutua rishpallja e konkursit ndërsa u tha që bordi ka nevojë për kohë shtesë për caktimin e u.d drejtorit gjeneral. Bordi njoftoi që Adi Krasta ka dhënë dorëheqje”, ka shkruar Kusari në Facebook.