Shumica e gjobave të Panelit Zgjedhor sipas Demokracisë në Veprim për këto zgjedhje janë për nxitje të urrejtjes, që përfshijnë deklaratat e politikanëve e simpatizantëve në tubime dhe media sociale. Megjithatë, ankesat që paraqiten në PZAP për shkeljen e rregullave të mirësjelljes zgjedhore për deklaratat e kandidatëve në televizione nuk trajtohen por vetëm i dërgohen Komisionit të Pavarur të Mediave.
Për gjuhën e urrejtjes në postime në media sociale e deklarata në tubime janë shumica e gjobave të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, sipas koalicionit Demokracia në Veprim.
Për deklaratat kundër Kodit të Mirësjelljes në tubime e në Facebook, gjoba ndan PZAP-ja, por të njëjtën gjë nuk e bën as ky institucion e as Komisioni i Pavarur i Mediave kur këto thuhen në televizione.
Në një përgjigje me shkrim nga Paneli thuhet se ky institucion i përcjell të gjitha këto ankesa në KPM, në përputhje me nenin ku thuhet se ankesat për shkelje të subjekteve i trajton PZAP-ja ndërsa ato për shkelje të mediave KPM-ja.
“PZAP, bazuar në Ligjin NR. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, kapitulli VIII, gjegjësisht nenin 51, paragraf 1, ankesat që dorëzohen në PZAP të kësaj natyre, PZAP përmes shkresës njoftuese (sipas asaj qe keni bashkangjitur, bashkë me të edhe ankesën) e përcjell në kompetencë për trajtim të mëtejmë në Komisionin e Pavarur për Media/KPM. Njëkohësisht PZAP, njofton edhe subjektet pulitke që janë ankuar në PZAP, se ankesat e kësaj natyre janë përcjell për shqyrtim dhe vendosje në KPM”, thuhet nga PZAP-ja.
Sipas PZAP-së, shkresa që u kthehet subjekteve ankuese është vetëm njoftim, andaj edhe nuk llogaritet se paneli ka marrë vendim lidhur me deklaratën e kandidatit në televizion.
Komisioni i Pavarur i Mediave, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se nuk i ka nën përgjegjësi deklaratat e kandidatëve në emisione dhe ka treguar se për këtë çështje ka mbajtur edhe një takim me PZAP-në.
“KPM nuk mund të sanksionojë asnjë kandidat në emisione televizive. KPM merret vetëm me përmbajtjen programore në televizione... Më datën 28 janar 2025 me iniciativë të KPM-së është mbajtur një takim i zyrtarëve të KPM-së me UD e drejtorit të Sekretariatit të PZAP-së në zyrat e PZAP-së, lidhur me trajtimin e ankesave të pranuara nga ta. PZAP-ja është njoftuar se KPM-ja nuk mund të vendosë për ankesat e pranuara, në mungesë të kuorumit të Komisionit si organ vendimmarrës. Në takim janë paraqitur qasjet e dy institucioneve për shqyrtimin e ankesave, paqartësitë, janë dakorduar që të njoftohet edhe PZAP-ja për vendimet e marra”, thuhet nga KPM-së.
I pajtimit me këtë praktikë është Alban Zeneli, profesor i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, i cili thotë se shtetet e rajonit veprojnë njëjtë.
Ai thotë se edhe në transmetime të drejtpërdrejta të emisioneve, televizionet, shërbejnë si filtër i asaj se çfarë plasohet në publik.
“Rregullat e debatit i përcakton redaksia dhe duke e pasur parasysh që ka një rregullore në KPM se si duhet të zhvillohen debatet dhe përmbajtjet zgjedhore përgjithësisht në fushatë. Përgjegjësia për këtë çështje i takon medias edhe ta ndërpresë një kandidat që përdor gjuhë të urrejtjes ose ta përjashtojë fare nga emisioni në rastet ekstreme”, ka deklaruar Zeneli.
Por, aktivistja në koalicionin e organizatave Demokracia në Veprim, Violeta Haxholli, vlerëson se gjuha e kandidatëve në kundërshtim me rregullat zgjedhore duhet të ndëshkohet.
Ajo u rekomandon institucioneve që të komunikojnë mes vete lidhur me këtë çështje.
“Për shkak se janë në media, besoj se mund të ketë një lloj dualizimi apo një lloj mos-qartësimi të kompetencave që i ka PZAP dhe KPM në këtë rast. Kjo do të mund të sqarohej ndoshta edhe me anë të një komunikimi ndërinstitucional mes KPM-së dhe PZAP-së në këtë rast për të parë se si mund të adresohet kjo çështje në mënyrë që gjithsesi të mos mbetet njëfarë hapësire e pandëshkuar që kandidatët apo subjektet politike mund ta përdorin për të përdorur epitete të ndryshme e pastaj ato të mbetet të pandëshkuara”, u shpreh ajo.
Vlera e përgjithshme e gjobave të PZAP-së ndaj subjekteve politike për këtë fushatë ka arritur në mbi 400.000 euro.