Arbëri

Ankesat ndaj Termokosit - rritje çmimesh e mosfunksionim i pajisjes matëse

Ankesa të shumta ka pasur nga qytetarët për shtrenjtim të faturave të ngrohjes për muajin nëntor. Ata kanë thënë se pavarësisht vendosjes së pajisjeve matëse, çmimet e faturave nuk kanë ndryshuar për dallim nga muajt e kaluar. Zyrtarët e “Termokosit” janë arsyetuar duke thënë se tarifën për ngrohje e cakton ZRRE-ja

Faturat e ngrohjes për muajin nëntor kanë nxitur reagime të shumta të qytetarëve, të cilët janë ankuar në “Termokos” për dyfishim të çmimit. 

Qytetari Gafurr Hasani thotë se vendosja e pajisjeve matëse ‘HeatSave’ në radiatorët e banesave ishte mirëpritur me shpresën për një përllogaritje më të drejtë të shpenzimeve. Hasani thekson se fatura e fundit ka shkaktuar shqetësim të madh për të. 

“I kam pyet me rend të gjithë sa po paguajnë, se thashë mos kam ndonjë farë ndryshimit te unë, të gjithë kanë thënë se po paguajnë shumë më shtrenjtë sesa vitin e kaluar. Shkaku ka qenë se edhe koha ka qenë e nxehtë, kështu që dy radiatorë skajshëm, asnjëri s’ka qenë i lëshuar. Ka qenë vetëm ky, plus paguaj dhjetë euro më shumë sesa vitin e kaluar, me metër katror. Këta matësit vetëm i kanë dy. Kam bo ankesë para një muaj e gjysmë ata nuk më kanë thënë se pas 10 ditë të vijnë t’i kontrollojnë, që një muaj e gjysmë s’ka ndodhë”, ka thënë Hasani. 

Ai paralajmëroi shkyçje nga ky rrjet i ngrohjes, si shkak i mospërfilljes së ankesave nga ana e “Termokosit”.

“Kam bo edhe kërkesë që tash herën e fundit dua të shkyçem krejt edhe po ngrohna me rrymë, përndryshe nuk mundem me përballu në gjashtëdhjetë euro muaj me pagu”.

Zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka Fejzullahu, ka thënë se ata nuk mund të bëjnë asgjë lidhur me ankesat e qytetarëve për shtrenjtim të faturave të ngrohjes, pasi thekson se Zyra e Rregullatorit për Energji përcakton tarifat e ngrohjes.

“ZRRE-ja është autoriteti i vetëm në Kosovë, i cili përcakton tarifat e ngrohjes dhe metodologjinë e faturimit, pra gjithçka që vjen nga ZRRE-ja neve na mbetet vetëm ta implementojmë, në bazë të kostos që bëhet për prodhimin e energjisë termike, ne i dërgojmë raportet te ZRRE-ja dhe ata i kalkulojnë dhe bëjnë ndarjen sipas metodologjisë së tyre”, ka deklaruar Uka. 

E për caktimin e çmimeve, KOHA ka kërkuar sqarime edhe nga ZRRE-ja, mirëpo nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje. 

Qytetarë të shumtë kanë shprehur ankesa edhe për mosfunksionim të pajisjes ‘Heatsave’. 
Për këtë ka dhënë një sqarim zëdhënësja Afërdita Uka Fejzullahu.

“Ne aktualisht në rrjetin e ngrohjes kemi të kyçur mbi 30 mijë konsumatorë, mirëpo një pjesë e tyre janë konsumatorë pasivë, pasi që nuk jetojnë këtu dhe nuk i kanë në shfrytëzim banesat e tyre. Projekti është ideuar para shumë vitesh, projekti ‘Prishtina HeatSave’ dhe në kohën kur është planifikuar kemi pasur një numër shumë më të vogël të konsumatorëve sesa i kemi tani”, ka thënë Uka.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë muajin e kaluar ka miratuar tarifat e reja të konsumit për “Termokosin” për sezonin e ngrohjes 2024-2025, duke lënë çmimin e njëjtë sikurse të vitit të kaluar.

Sipas vendimit të ZRRE-së, çmimi për konsumatorët shtëpiakë do të jetë 0.76 centë për kilovatë orë, ndërsa për konsumatorët komercialë do të jetë 0.95 centë për kilovatë orë.
Aktualisht, rreth 30 mijë qytetarë janë të kyçur për ngrohje me “Termokos”.

Ndërkaq, rreth 17 mijë e 500 konsumatorë janë të pajisur me pajisjen matëse ‘HeatSave’.