Arbëri

Ankesa për “stërzgjatjen” e numërimit të votave

Ka nisur numërimi i rezultateve të kandidatëve edhe në qendrat komunale të numërimit edhe në tri komuna veriore. Sipas KQZ-së deri më tani janë numëruar votat nga shumica e vendvotimeve. E akuzave për vonesë të numërimit iu është përgjigjur drejtori i programit në organizatën Demokraci Plus, Albert Krasniqi, i cili ka thënë se saktësia e rezultatit mbetet më e rëndësishme sesa shpejtësia. Ka thënë se në katër palë zgjedhjet e fundit, KQZ-ja i ka marrë 21 ditë mesatarisht për t’i shpallur rezultatet.

Pasditen e së dielës ka nisur numërimi i votave për kandidatët edhe në komunat Leposaviq, Zubin-Potok dhe Zveçan, ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

E në nivel të Kosovës, numërimi është përmbyllur në mbi gjysmën e vendvotimeve.

Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, në të cilat është duke vazhduar apo ka përfunduar procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë nga Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, deri më 16 shkurt 2025, ora 16:00, janë numëruar 63.60% e vendvotimeve apo 1,611 nga 2,533. Procesi i numërimit të votave ka përfunduar në 14 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) në komunat: Deçan, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Në qendrën e numërimit në Prishtinë, të dielën nuk janë vërejtur probleme që u shfaqën ditët e para.

Por në njërën nga tavolinat ku zhvillohej numërimi, komisionerët e edhe vëzhguesit kanë debatuar 15 minuta për atë se si do të duhej të vendoste kryesuesi mbi vlefshmërinë e një vote ku referenca në katror ishte e qartë, mirëpo në të ishte e shkruar edhe fjalia “ishalla fitoni e meritoni” që kalon në dy rreshta në të cilët ndodhen dy parti të ndryshme politike.

Numërimi për komunat e mëdha merr më shumë kohë.

Komisionerët e angazhuar në Sallën “1 Tetori” kanë thënë se kanë mbetur mbi 130 kuti të panumëruara nga mbi 250 sa ka kryeqyteti .

KOHA ka mësuar se në dy vendvotime në Shtime janë gjetur tri vota të pavulosura, ndërsa ishte votuar subjekti i Lëvizjes Vetëvendosje.

E dega e LDK-së në Shtime ka shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë për “stërzgjatjen” e procesit të numërimit të votave.

LDK-ja në Shtime ka thënë se procesi zgjedhor është goditur nga dyshime shumë serioze “për prani të ‘trenit bullgar’ gjatë votimit më 9 shkurt, që ka ngritur shqetësime për ndërhyrje të jashtme”.

Por drejtori i programit në organizatën Demokraci Plus, Albert Krasniqi, ka thënë se sistemi i ri i numërimit mund ta ketë mangësi vonesën e rezultateve.

Por siç ka thënë, ligji i ri i zgjedhjeve, ka mundësuar një sistem të numërimit që siguron rezultat më të besueshëm.

“Nga zgjedhjet e 9 shkurtit kanë kaluar vetëm 7 ditë, ndërkohë që për herë të parë po zbatohet një sistem i ri numërimi. Partitë politike që mbështetën këto ndryshime ishin të vetëdijshme se mund të ketë vonesa në shpalljen e rezultateve të kandidatëve, por në atë kohë kjo nuk përbënte shqetësim për to. Një nga përparësitë e numërimit të votave të kandidatëve në qendrat komunale mund të jetë shmangia e rinumërimeve, të cilat në QNR shpesh arrinin deri në 88.5% të kutive të votimit. Megjithatë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Në fund të fundit, saktësia e rezultatit mbetet më e rëndësishme sesa shpejtësia”, ka thënë Krasniqi.

Siç tha Krasniqi, në katër palë zgjedhjet e fundit, KQZ-ja i ka marrë 21 ditë mesatarisht për t’i shpallur rezultatet dhe 33 ditë për t’i certifikuar rezultatet, por deri më tani ka kaluar vetëm një javë që nga 9 shkurti – kur u mbajtën zgjedhjet.