Arbëri

Ankesa e ish-udhëheqësve të UÇK-së për anshmëri të trupit gjykues, pa përgjigje

Trupi gjykues në rastin më të madh të Speciales nuk i është përgjigjur kërkesës së mbrojtjes lidhur me pretendimet se forma e parashtrimit të pyetjeve që janë shtruar nga gjyqtarët i shkon për shtati Prokurorisë. Zëdhënësi i kësaj gjykate ka thënë për KOHËN se gjyqtarët kanë diskrecion sa u përket pyetjeve që i parashtrojnë, derisa ka sqaruar se në Speciale ekzistojnë edhe mekanizma disiplinorë

Ankesa e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit për anshmëri të trupit gjykues, përkatësisht se ia ka mbajtur anën Prokurorisë gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve, nuk ka marrë ende përgjigje.

Në një përgjigje për KOHËN lidhur me atë se a lejohet trupi gjykues të bëjë pyetje për atë që ka marrë përgjigje, nga Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se gjyqtarët kanë diskrecion në parashtrimin e pyetjeve. 

“Trupi gjykues i Apelit në rastin Thaçi dhe të tjerët në vendimin e 4 korrikut 2023 ka konfirmuar praktikën se “Përderisa trupi gjykues mund të mos ketë obligim t’i marrë në pyetje dëshmitarët dhe të merret me faktet dhe rrethanat që nuk shqyrtohen nga palët, rregullorja pa mëdyshje u lë atyre diskrecion për ta bërë këtë drejt përmbushjes së detyrimit për ta sqaruar të vërtetën. Kjo është në përputhje me kornizat ligjore të gjykatave ndërkombëtare dhe tribunaleve ndërkombëtare, që kanë regjim të ngjashëm lidhur me provat”, thuhet në përgjigjen e Speciales. 

Zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle, ka thënë se gjyqtarëve u lejohet t’i përsërisin pyetjet edhe kur ata kanë marrë përgjigje.

“Po. Rregulli 127 paragrafi (3) i Rregullores për Procedurën dhe Provat parasheh që “Një gjykatës mund t’i bëjë pyetje dëshmitarit në çdo fazë”. Rregulli reflekton jurisprudencën e Dhomave të Specializuara dhe dispozitat dhe praktikat e gjykatave ndërkombëtare siç janë Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtarë Penale. Siç e ka thënë kryetarja e DHSK-së në konferencën e fundit, gjyqtarët kanë të drejtë t’i sqarojnë çështjet. sepse e kanë për detyrë sqarimin e së vërtetës”, ka thënë Doyle. 

Palët, siç ka sqaruar Speciallja, sa i përket procesit gjyqësor i kanë tri shkallë ankese, Themeloren, Apelin dhe Supremen, si dhe Kushtetuesen e Speciales si shkallë të jashtëzakonshme ankimore. 
Siç ka thënë Doyle, kur një gjyqtar bën shkelje ai mund të përballet edhe me procedurë disiplinore. 

“Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë miratuar aktin e parë normativ në mars të 2017-s, Kodi i Etikës Gjyqësore, që i obligon ata ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të paanshme dhe me integritet. Në rast shkeljeje, ky kod etik e parasheh mekanizmin përmes të cilit paraqesin ankesë dhe mundësinë e sanksionimit përmes mekanizmit disiplinor”, ka thënë Doyle. 

Kjo rregullore parasheh që një gjyqtar mund të shkarkohet nga detyra në rast të shkeljeve që “konsiderohen se janë të rënda se shkaktojnë ose ka të ngjarë t’i shkaktojnë dëm të rëndë statusit të Dhomave të Specializuara”.

Ndërsa për shkelje më të buta parashihen qortim zyrtar dhe me shkrim nga gjykatësit e mbledhur në seancë plenare; dërgimi i raportit të shtetit që ka mbështetur gjyqtarin konkret, suspendimi si dhe gjoba deri në 2.000 euro. 

Ditë më parë avokatët e katër të akuzuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzit në një letër 12-faqëshe kanë pretenduar se anëtarët e trupit gjykues po e cenojnë dukjen e gjykimit të paanshëm përmes pyetjeve të parashtruara. 

Sipas shkresës që mbrojtja e ka deponuar në gjykatë më 13 nëntor 2024, ankesa lidhet me seancat e mbajtura nga data 21 tetor deri më 7 nëntor, kur dëshmuan ish-pjesëtarët e UÇK-së: Haxhi Mazreku, Shukri Buja, Fadil Geci dhe Nuredin Ibishi. 

Mbrojtja ka thënë se dëshmitarëve u janë bërë pyetje sugjestive. 

“Të kufizohet praktika e sugjerimit të përgjigjeve te dëshmitarët, përfshirë parafrazimin e pyetjeve në kornizën e “Nuk dua të t’i vendos fjalët në gojë” dhe më pas t’ia vendosë dëshmitarit fjalët në gojë. Është posaçërisht e rrezikshme kur gjyqtarët ia sugjerojnë dëshminë dëshmitarit, duke e ditur që dëshmitarët pashmangshmërisht do t’i shohin gjyqtarët si autoritet, të cilit duhet t’ia marrin parasysh sugjerimet”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes. 

Rastet konkrete nuk janë treguar në shkresë. Por, në procesverbalet e shqyrtimeve gjyqësore në Speciale del se më shumë se tri herë gjyqtari zviceran Guénaël Mettraux, ka përdorur shprehje të tilla si “nuk dua t’i vendos fjalët në gojë”. Kohë pas kohe atij i kanë shprehur shqetësime edhe mbrojtësit, me ç’rast ai i ka riformuluar pyetjet e tij.

E në shkresën e mbrojtjes thuhet se me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, sugjerohet se gjyqtarët po parashtrojnë pyetje në drejtim të vërtetimit të akuzave, përtej asaj që e ka për synim prokuroria.

“Të shmanget marrja në pyetje e gjyqtarëve në mënyrë që të nxirren prova kundër të akuzuarve përtej asaj ku shtrihet marrja direkt në pyetje e Prokurorisë... Nuk është roli i duhur i gjyqtarëve në sistemin kundërshtues (averserial), ta ndjekin rastin përtej asaj që prezantohet prej Prokurorisë”, thuhet në kërkesë. 

Në këtë shkresë të avokatëve të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, ka edhe referenca në Kushtetutën e Kosovës dhe në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për raste kur gjyqtarët ua kanë shkelur të drejtat të akuzuarve.