Arbëri

Anëtarët e KQZ-së do të mbajnë punëtori në Shqipëri, në agjendë edhe zgjedhjet

Të mërkurën drejt Shqipërisë do të nisen zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Parapërgatitjet për zgjedhjet parlamentare e ecuria e procesit të votimit në katër komunat në veri do të jenë dy nga çështjet për të cilat stafi i KQZ-së do të zhvillojë diskutime për tri ditë me radhë. Për punëtorinë, agjendën e ndërlidhjen e kësaj punëtorie me diskutimet për zgjedhje të parakohshme, përgjigje nuk kanë dhënë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këtë javë do t’ nisë përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Stafi i saj, siç ka mësuar KOHA, do të udhëtojë drejt Shqipërisë të mërkurën.

Në Tiranë zyrtarët e KQZ-së do të marrin pjesë në punëtorinë me temën “Mësimet e nxëna nga procesi i votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në komunat Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, si dhe për parapërgatitje për zgjedhje për Kuvendin e Kosovës”.

KOHA ka siguruar draft-agjendën e kësaj punëtorie, e hartuar në fillim të majit.

Sipas saj, diskutimet mes ekipit do të nisin të enjten, ku gjatë gjithë ditës do të diskutohet për procesin e votimit në veri, që u zhvillua muajin e shkuar.

Në ditën e dytë të punëtorisë, sipas agjendës, do të bëhet draftimi i planit të aktiviteteve zgjedhore, përfshirë këtu atë për certifikimin e subjekteve politike, periudhën e fushatës, përpilimin e listës së votuesve e planifikimin buxhetor.

Punëtoria do të përmbyllet mesditën e së shtunës, kur edhe do të prezantohen konkluzionet dhe rekomandimet nga dy çështjet e diskutuara.

Në lidhje me punëtorinë e organizuar, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përveç agjendës, nga ky institucion nuk kanë konfirmuar nëse diskutimi në Shqipëri lidhet me zhvillimet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Që të gjitha partitë në Kosovë janë pajtuar se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Moskoordinim aktualisht ka lidhur me formën e dërgimit të vendit në zgjedhje.

Derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, dhe ajo më e madhja opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, përkrahin shpërndarjen e Kuvendit, me këtë opsion nuk pajtohen LDK-ja e AAK-ja që kërkojnë dorëheqjen ose shkarkimin.

Nëse shpërndarja e Kuvendit rezulton të jetë e suksesshme gjatë javës që vjen, zgjedhjet e parakohshme është propozuar të mbahen më 30 qershor ose 7 korrik.