Arbëri

Anëtarësimi në KiE, Kryeziu: Nëse s’ka kushte të reja, prilli do të na gjejë me votë pozitive

Kosova të mërkurën, 27 mars, ka bërë edhe një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Komiteti për Politikë dhe Demokraci e Këshillit ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE.

Ky komitet ka thënë se hapi i radhës do të jetë më 18 prill kur do të hidhet në votim raporti para Asamblesë Parlamentare.

E, Leonora Kryeziu, drejtoreshë e Institutit për Studime Politike, është shprehur optimiste për prillin.

“Vendimi i këtij takimi të sotëm është mjaft pozitiv dhe nëse nuk kemi kushte të reja të cilat janë vu, prilli do të na gjejë me një votë pozitive për Kosovën... nuk ka mundësi të ecim tutje në rrugëtimin tonë evropian pa qenë fillimisht anëtarë të Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo në “60 Minuta” të KTV-së.

 Kryeziu ka thënë se zbatimi i vendimit për pronën rreth Manastirit të Deçanit ka qenë kyç për Këshillin e Evropës.

“Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit ka qenë kyç, po të mos ishte ky vendim Kosova nuk do ta kishte këtë vlerësim sot. Kjo ka të bëjë me ligjshmërinë, me qasjen që Kosova ka karshi sistemit të saj të drejtësisë. Kjo tregon shumë për seriozitetin e institucioneve tona”, ka thënë ajo tutje.

Kryeziu ka treguar se si mund të veprojnë qytetarët pas anëtarësimit në KiE.

“Së pari qytetarët e Kosovës duhet t’i shtjerrin të gjitha shkallët e drejtësisë në Kosovë dhe nëse në shkallën e fundit nuk arrijnë t’i realizojnë të drejtat e tyre, ekziston një afat kohor për tu bërë një kërkesë për ta çuar lëndën e tyre në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg”, ka potencuar Kryeziu.

Sipas saj, nga të gjitha aspektet, institucionet e Kosovës do të përfitojnë nga anëtarësimi i plotë.

“Anëtarësimi në Këshill i bie benefite të shumta si politike edhe institucionalë. Në aspektin politik Kosova do të ketë qasje në arenën ndërkombëtare, të bëhet e barasvlershme me vendet e tjera. Në aspektin institucional edhe pse ka pasur përkrahje, do të kemi zhvillim institucional, asistencë që kjo organizatë e ofron. Institucionet medoemos do të përfitojnë”, ka përfunduar Kryeziu.