Në mbledhjen e së premtes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk është cilësuar shkelje mënyra se si janë tërhequr zarfet me fletëvotime nga kutia postare e Ambasadës në Kroaci. Megjithëkëtë, kryesuesi Kreshnik Radoniqi tha se KQZ-ja nuk e ka informatën se çfarë saktësisht ka ndodhur.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, nuk e ka cilësuar shkelje veprimin e ambasadorit në Zagreb, Martin Berishaj, i cili, sipas raportimeve, zarfet me fletëvotime të diasporës në Kroaci i ka tërhequr nga kutia postare e ambasadës dhe i ka dërguar në objektin e këtij misioni diplomatik.
Ai tha se KQZ-ja ende nuk ka pranuar informacione për rastin.
“Kemi dëgjuar edhe prej mediave, ka edhe fjalë nga KQZ-ja, por zyrtarisht nuk e dimë ende se çka ka ndodhur. Kjo mbetet të vërtetohet në fazat e mëtejshme. Stafi i secilës ambasadë është nominuar dhe është emëruar nga ne që të jenë pjesë e tërheqjes së këtyre, porse si ka shkuar saktësisht procedura aty nuk e di”, ka thënë Radoniqi.
Ndërsa anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi, i cilësoi të pavërteta lajmet për tërheqje të jashtëligjshme të zarfeve me vota.
“Le t’i tregohet publikut se ato 10-20 zarfe sa kanë mundur të jenë, janë tërhequr për shkak të presionit të postës dhe janë tërhequr prej ekipeve të autorizuara. Le t’i tregohet publikut se ndoshta në kohën kur janë bërë këto tërheqje, në periudha të ndryshme, nga 2-3 zarfe, nuk kemi pasur as vëzhgues e nuk kemi pasur ndoshta as procedura, as komunikim të vazhdueshëm, sepse fokusi ynë ka qenë që të merremi me këto vendet më problematike”, u shpreh Krasniqi.
Një ditë më parë Prokuroria bëri të ditur se ka nisur hetimin, pas raportimit se tërheqja e zarfeve me vota është bërë në kundërshtim me procedurat.
E, anëtarë të KQZ-së thanë se për të dielën janë ndërmarrë të gjitha veprimet për të parandaluar e edhe adresuar çfarëdo parregullsie.
“Në kuadër të këtij plani operacional janë paraparë edhe akterët që do të jenë të përfshirë në dhomën operative të KQZ-së, bëhet fjalë për Prokurorinë dhe për Policinë e Kosovës, që do të jenë prezentë gjatë gjithë kohës për linjat telefonike që do të jenë në shërbim të qytetarëve, mediave dhe palëve të interesuara, për të raportuar a marrë ndonjë informacion nga KQZ-ja gjatë ditës së zgjedhjeve”, ka thënë Arianit Elshani, anëtar i Këshillit për operacione zgjedhore.
Për herë të parë KQZ-ja ka bërë edhe shpërndarjen e kamerave të sigurisë nëpër qendrat e votimit.