Analisti Ben Andoni vlerëson se viti 2030 do të jetë caku kur Bashkimi Evropian do t’i bëjë anëtare pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë.
“Viti 2030 e mendoj si cak ku ne do na fusin të pesta vendet, qoftë edhe pa kapitujt e mbyllur, ose do bëhet një procedurë që të mbyllen sytë dhe vendet tona të quhet se i kanë plotësuar obligimet”, ka thënë ai duke shtuar se Serbia do mbetet jashtë për shkak të Kosovës.
“E shoh pak (jashtë) sepse besoj që Serbia do vazhdoj me pengun e madh të Kosovës, ose do kërkojnë një zgjidhje alla Qipro, o do bëjnë një marifet të tillë të qëndrojnë si anëtar i asocuar në BE por jo anëtar me të drejta të plota”.
Andoni në “Interaktiv” të KTV ka folur për procesin e Shqipërisw drejt integrimit. Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 15 tetor. Megjithëse, kryeministri Edi Rama e vlerësoi këtë si moment historik, Andoni thotë se historik do të jetë momenti kur Shqipëria përmbush të gjitha obligimet për anëtarësim.
“Nuk them është shumë historike sesa është ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët por edhe elementi historik është brenda. Historike është kur Shqipëria plotëson të gjitha obligimet për 33 kapitujt, në këtë moment është lajm i madh. Finalizimi i këtij procesi, atëherë themi se është historik”, është shprehur ai.
Andoni ka potencuar se procesi i integrimit do të jetë shumë i vështirë. Ka shtuar se Shqipëria ka avantazhin e hapjes së disa kapitujve në të njëjtën kohë, por se nëse nuk i realizon “problemi është se fillon nga fillimi”.
“Shqipëria çalon shumë sa i përket elementeve të shtetit të së drejtës, ka nivele të frikshme të korrupsionit, ka probleme të shfrytëzimit të fondeve të BE-së... Shqipëria e ka një problem të madh, ashtu si Kosova, që Shqipëria dhe Kosova po zbrazen dhe reformat duan njerëz, duan energji për tu çuar përpara. Sa më shumë të zbrazen vendet tona aq më e vështirë do të jetë për plotësimin e kapitujve tanë”, ka thënë ai.
Sipas Andonit, tashmë do të jetë më e vështirë edhe për Ramën para BE-së sepse do t’i kërkohet llogari për ato që plotësohen.
“Shqipëria do të jetë në llupën e burokratëve të Brukselit dhe tashmë është momenti më i vështirë për Ramën. Më herët mund të fliste lehtë, por tani duhet të japësh llogari dhe pjesën e legjislacionit që plotëson duhet ta tregosh në terren sa efikas është. Propaganda e Ramës do të bjerë shpejt dhe nuk besoj që të ketë mandate të tjera”.