Arbëri

Andoni: Kam frikë se Kurti po e çon Kosovën drejt ndarjes së veriut

Ben Andoni

Analisti politik Ben Andoni ka thënë se qasja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti karshi veriut, “po e çon Kosovën drejt ndarjes”. Në “Interaktiv” të KTV-së, Andoni ka thënë se Kurti më shumë mendon për veten se për interesat e Kosovës.

Sipas tij, lëvizjet e Qeverisë Kurti në veri të vendit kanë qenë simbolike. Ai ka thënë se këto veprime megjithatë do të përdoren nga Lëvizja Vetëvendosje për zgjedhjet. 

“Kosova dhe sidomos Kurti po e fryn jashtëzakonisht pjesën e hapjes së urës së Ibrit më shumë për kredon e saj politike sesa për ndonjë gjë tjetër. Gjatë gjithë këtyre kohëve, Kurti ka ndërmarrë ndërmarrje të tilla si zgjedhjet në veri – dhe tek e fundit nuk është se pjesa e veriut po integrohet në pjesën e Kosovës, por sa i përket sovranitetit tashmë është i shtrirë diçka më shumë. Shikoj diçka sa i përket opozitës. VV-ja po i merr kauzat që i ka në dorë, por që realisht nuk i shërbejnë Kosovës. Në mendimin tim, Kurti duhej të harxhonte më shumë kohë për zhvillimin ekonomik... dhe opozita më shumë është e keqardhur sepse kauzat boshe zoti Kurti do të dijë në publik t’i shfrytëzojë për interesin e vet. Janë kauza simbolike po që shfrytëzohen sidomos për efekt elektoral, siç kanë bërë edhe pararendësit e tij”, ka thënë ai.

Andoni ka shtuar se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë “diskriminim pozitiv të serbëve”. 

Andoni ka shtuar se Kurti duhet t’i dëgjojë më shumë shtetet e Perëndimit.

“Zoti Kurti duket sikur është aktor i mirë lokal, por është jo i mirë ndërkombëtar. Kosova nuk do të gjejë qetësi pa mbaruar lufta Rusi-Ukrainë. Kosova përdoret në çdo lloj argumenti të Rusisë. Dhe paçka se Evropa dhe SHBA-ja po e mbështesin Ukrainën të gjitha janë të interesuara të mbyllet lufta dhe që ajo të mbarojë me sa më shumë përfitime nga Perëndimi. Këto përfitime s’e përfshijnë fare idenë që Rusia do ta përdorë Kosovën si argument në të ardhmen sepse ka republika atje të vetëshpallura në pjesën e hapësirës së ish-Bashkimit Sovjetik. Duke i njohur këto vakume Kurti po mundohet të përfitojë sa më shumë për interesa të tij. E keni parë se ambasadorët e QUINT-it ia bëjnë të qartë që t’i lërë gjërat e vogla e të shikojë konjukutrat e mëdha ndërkombëtare ku SHBA-ja s’është se po e miklon vërtetë Serbinë, por duket se po e miklon që ta mbajë neutrale”, ka thënë ai.

Andoni: Kurti lider, por kurrë burrështetas

“Kurti e keqlexon me dashje Perëndimin sepse po mendon më shumë për interesin e vet politik sesa për të ardhmen e Kosovës. Më vjen keq të them se Kurti dhe Edi Rama në Tiranë treguan se mund të bëheshin liderë, por s’bëhen dot asnjëherë burra shteti. E shqiptarët kanë nevojë për burra shteti në këto momente të historisë”, ka thënë Andoni.

Andoni ka deklaruar më tej se Kosova duhet të jetë më shumë në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe QUINT-in sepse “shumë afate të dialogut s’janë respektuar për shkak të ndryshimeve në Evropë, luftërat a zhvillimet tjera”.

“Për shkak të këtij realiteti Kurti duhet t’i besojë më shumë SHBA-së... e të jetë më në akord me QUINT-in sepse vendi i Kosovës është në BE. Frika ime më e madhe është që Kurti po e çon Kosovën drejt ndarjes së veriut. Kam frikë që po shkohet drejt ndarjes së Kosovës dhe për këtë më vjen shumë keq sepse të paktën zoti Kurti përkrah asaj që mendon për sovranitetin dhe shtrirjen e shtetit të Kosovës, por Kosova ka autoritetin në veri. Edhe kur kontrolloheshin komunat nga serbët dogana i derdhte detyrimet te shteti. Dhe dogana është shteti. Siç mendon për autoritetin, duhet të mendosh edhe për diskriminimin pozitiv të serbëve duke i konsideruar ata si banorë tu sepse janë të tillë”, ka thënë më tej ai.

Andoni ka thënë se Kosova ka përparuar në aspektin e sigurisë në veri, por ka vlerësuar se duhet të ketë më shumë diskriminim pozitiv.

Të ardhmen ai e ka parë sfiduese për Kosovën në arenën ndërkombëtare duke shtuar se ajo po bëhet “më shumë skajore” për shkak të fokusit në çështjet tjera. “Ndërkombëtarët për këtë po i kërkojnë Kosovës të rrijë më afër me ta. E ardhmja do të jetë sfiduese. Kurti përplasjet t’i bëjë sa më shumë në mënyrë të rafinuar”, ka përfunduar Andoni.