Gazetari dhe përkthyesi Ben Andoni, ka thënë se shkrimtari tashmë i ndjerë, Ismail Kadare, ka pasur dashuri më shumë sesa ekzotike për Kosovën.
Në një lidhje direkte në “Konfront” të KTV-së, Andoni ka thënë se ndër krijimet e para të Kadaresë i janë kushtuar Kosovës.
“Ka një dimension vërtetë dashurie të Kadaresë për Kosovën. Kadareja ndër krijimet e para, ndryshe nga shkrimtarët e tjerë, në vitet e 60’ta, një nga vëllimet me poezi ia ka kushtuar Kosovës, pastaj vjen “Krushqit janë të ngrirë”, pastaj pas viteve të 90’ta dedikimi ishte shumë më i madh. Kadareja i prin autorëve shqiptarë që kanë një lloj dashurie më shumë se ekzotike për Kosovën. Ka pasur angazhim shumë të madh të autorëve kosovarë për ta bërë të njohur në ish-Federatë. Z.Qosja ka folur për sugjerimet që bëri për “Kështjellën”. Dua të them që ish-Federata ka qenë vendi i dytë që e ka përkthyer Kadarenë.
Mandala: Kadare vuajti aq sa edhe vetë kosovarët
Matteo Mandala, albanolog arbëresh, profesor në Universitetin e Palermos, derisa ka folur për dashurinë e shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ismail Kadare, për Kosovën, ka thënë ai vuajti aq shumë sa vuajtën kosovarët vetë.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Mandala ka thënë se nuk e ka dëgjuar më parë asnjë person tjetër të fliste për Kosovën në mënyrën se si fliste Kadareja.
Ai ka shtuar se Kadareja ka qenë pjesëmarrës në lloj aktiviteti diplomatik, publik e politik në kohën kur Kosova ka kaluar në kohëra të vështira.
“Është historikisht e vërtetuar pjesëmarrja e Kadaresë në çdo lloj aktiviteti si në nivelin diplomatik, në atë publik, në atë politik gjatë momenteve më të vështira që i ka kaluar kriza kosovare menjëherë pas luftës në Kosovë. Më kujtohet telefonata që e kemi shkëmbyer me z.Kadare mu në momentin kur ishte programuar liria e Kosovës. Ishte aq i kënaqur, aq i gëzuar se më fliste për një ditë simbolike të historisë së shqiptarëve dhe e krahasonte me momentin kur Skënderbeu kishte vdekur. Duket si diçka paradoksale. Vdiq Skënderbeu dhe çlirohen shqiptarët. Ky mesazh më pati prekur shumë. Në këtë moment që po e kujtoj jam shumë i emocionuar. Nuk kisha dëgjuar kurrë një person të fliste ashtu për një popull si ai kosovar për të cilin vuajti aq shumë sa vuajtën kosovarët vetë. Kadareja ju donte shumë”, ka thënë ai.
Mandala: Ikja e Kadaresë, humbje e madhe, dyshoj se do ta mbushim këtë boshllëk
Albanologu arbëresh, Matteo Mandala, e ka quajtur tronditës lajmin për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare.
Ai në një lidhje direkte në emisionin “Konfront” në KTV, ka thënë se vdekja e tij është humbje shumë e madhe dhe se dyshon që në të ardhmen do të mund të plotësohet boshllëku që ka lënë Kadareja.
“Është me të vërtetë një moment shumë i vështirë për kulturën mbarëshqiptare, dhe vdekja e Kadaresë, ikja e tij, është me të vërtetë një boshllëk që shpresojmë të arrijmë ta plotësojmë në të ardhmen, kam mëdyshje”, ka theksuar Mandala, i cili është edhe profesor në Universitetin e Palermos.
Aliu-Tahiri: Debati për përshtatjen e Kadaresë me regjimin, jo logjik
Pedagogia e gjuhës dhe letërsisë angleze, Lindita Aliu-Tahiri, ka thënë se debati për përshtatjen e shkrimtarit tashmë të ndjerë, Ismail Kadare me regjimin komunist në Shqipëri është jo logjik.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Aliu-Tahiri ka thënë se një logjikë e tillë është tipike diktatoriale.
“Një logjikë e cila e sheh si vepër kriminale përshtatjen që autori ia ka bërë sistemit, për mua është logjikë tipike diktatoriale. Sikur të mos përshtatej, do të pushkatohej. Idenë me këtë logjikë që duhej të pushkatohej, pse mbeti gjallë? Unë e shoh si një debat jo logjik. Ideologjia nuk është patjetër propagandë. Ideologji kemi unë dhe ju derisa flasim. I kemi bindjet tona, i kemi idetë, paragjykimet. Po flas për logjikën e argumentimit. Në atë logjikë se ai nuk duhej të përshtatej, do të duhej të pushkatohej nuk kam koment. Kjo logjika tjetër që ka pasur ideologji, nuk ka asnjë fjalë pa ideologji”, ka thënë ajo.