Më 27 shkurt, studente të Fakultetit të Mjekësisë e denoncuan për ngacmim seksual profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi. Kjo është hera parë që ndaj një profesori janë adresuar 27 denoncime. Rastin, Këshilli i Etikës filloi ta trajtonte tek në prill, megjithëqë rregullorja parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditëve pas paraqitjes së shkeljes. E vonesat e Këshillit nxitën protesta. E edhe kur mbajti seancë dëgjimore, Këshilli vendosi që t’i verifikojë nënshkrimet, pasi profesori i akuzuar është shprehur gjatë intervistimit të tij se nëntë nga to janë të falsifikuara
Ngazëllimi i dikurshëm për epitetin “studente” i është zbehur. Ambientet akademike të Universitetit të Prishtinës për të tani simbolizojnë pasiguri fizike, e jo tempull të dijes. E rrugëtimi akademik për të realizuar ëndrrën jetësore për të dhe 26 vajza të tjera është shndërruar në ankth.
Në vend të një shpjegimi për notim, një studente e Fakultetit të Mjekësisë mori ofertë nga profesori për t’i bërë masazh.
E pas ofertës që ajo e quajti tronditëse pasoi edhe një përqafim nga profesori. Por, ajo nuk ishte e vetmja. Bashkë me 26 studente të tjera, ajo e denoncoi për ngacmim seksual profesorin, Xhevat Krasniqi.
10 minuta zgjati dëshmia e saj në Këshillin e Etikës, instancë kjo përgjegjëse për t’i trajtuar shkeljet e rënda. E rrëfimi i saj si viktimë e ngacmimit seksual, studentja thotë se nuk u dëgjua nga katër anëtarët burra.
“Anëtarët e Këshillit të Etikës nuk kanë pasur qasje të mirë me mua personalisht dhe as me studentet e tjera që kanë mbajtur mbledhje tek ai. Për rastin në fjalë, që e kemi denoncuar për ngacmim seksual, nuk më kanë lejuar të shprehesha se qysh jemi ndier emocionalisht, kur profesori na ka ngacmuar seksualisht, as nuk kanë treguar që ngacmimi seksual është vepër penale për të na drejtuar tek organet kompetente, drejt organeve të drejtësisë, duke marrë parasysh që kryesuesi është jurist dhe vjen nga Fakulteti Juridik, mandej përveçqë nuk na kanë lejuar të tregonim gjendjen tonë emocionale, ata nuk na kanë lejuar as rastet tona t’i tregonim, përkundër që ajo ka qenë arsyeja pse na kanë thirrur”, është shprehur studentja, që ka kërkuar të mbetej anonime.
Vonesa në trajtim
Më 27 shkurt, 27 studentet në Fakultetin e Mjekësisë e denoncuan për ngacmim seksual profesorin e Fakultetit të Edukimit, Xhevat Krasniqi. Deri para denoncimit, profesori Krasniqi ka mbajtur orë për lëndën e matematikës edhe në Fakultetin e Mjekësisë. Rastin, Këshilli i Etikës filloi ta trajtonte tek në prill, megjithëqë rregullorja parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditëve pas paraqitjes së shkeljes.
E vonesat e Këshillit nxitën protesta. Veprimet e anëtarëve të Këshillit, Iset Morina, Skënder Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica, u kualifikuan si tendencë për të zvarritur rastin. Gjashtë ditë kanë protestuar studentet e Lëvizjes Feministe Studentore me kërkesën që profesori të përjashtohej. Nuk munguan as thirrjet për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit. Në përpjekjen për të mbrojtur dinjitetin e studenteve, ato u përballën edhe me policinë. Tri herë bllokuan derën e objektit të Rektoratit, duke ua pamundësuar daljen anëtarëve të Këshillit. Nuk u zmbrapsën nga kërkesa e tyre, që ishte vendim për shkarkim të profesorit. Anëtarët e Këshillit vendim nuk morën, e daljen nga Rektorati e arritën me ndërhyrje të pjesëtarëve policorë. E ky presion bëri që Këshilli i Etikës për herë të parë që nga themelimi i tij të mbante të hapur një seancë dëgjimore.
Edhe këtë seancë, studentet e quajtën zhgënjyese. Komentet e ofertat e profesorit Krasniqi u vlerësuan nga kryesuesi i Këshillit, Iset Morina, si gjuhë e papërshtatshme. Termi ngacmim seksual u përmend tri herë, e anëtarët ishin të interesuar të dinin më shumë për notat që profesori ua kishte vendosur.
“Gjatë intervistimit tim, unë kam dhënë edhe emra të tjerë që kanë qenë dëshmitarë, mirëpo sot nuk i kanë thirrur bashkë me dëshmitarë të tjerë edhe arsyeja po mendoj se studentja në fjalë, që ia kam thënë emrin gjatë mbledhjes, e ka kaluar provimin, e Këshilli dëshiron t’i thërrasë vetëm ata që nuk e kanë kaluar me marrë si arsyetim që ne kemi shantazhuar në lidhje me rastin, pasi profesori neve nuk na ka kaluar prej provimit”, tha studentja denoncuese.
Kjo është hera parë që ndaj një profesori janë adresuar 27 denoncime. Këshilli ka vendosur që t’i verifikojë nënshkrimet, pasi profesori i akuzuar është shprehur gjatë intervistimit të tij se nëntë nga to janë të falsifikuara.
Një veprim i tillë, për Anita Mjekun, e cila është studente në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike si dhe aktiviste në Lëvizjen Feministe Studentore, dërgon mesazh të gabuar te viktimat.
Sipas saj, kjo i demotivon studentet dhe i motivon shkelësit.
“Duke filluar prej rektorit, prorektorëve, Senatit, Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, dekanët e te profesorët, e dinë çka është ngacmimi seksual dhe e dinë që duke marrë parasysh sistemin patriarkal në të cilën gjendemi dhe Universitetin e Prishtinës si institucion goxha patriarkal dhe i pasigurt për vajzat dhe gratë, me marrë guximin për me raportua ngacmimin seksual duhet njëfarë lufte goxha shumë me njerëzit përreth se është njëfarë stigme që u bëhet viktimave prej rrethit, prej shoqërisë, prej familjes. Këta e dinë që rastet që raportohen probabiliteti me qenë i pavërtetë është shumë i vogël dhe janë raste reale, por thirren në atë me heshtë zërin e çikave dhe nuk duan të krijojnë një precedent për raste të tjera”, thotë Mjeku.
Profesori vazhdon të mbajë në mënyrë të rregullt ligjëratat në Fakultetin e Edukimit, kur mbi të rëndojnë akuza për ngacmim seksual të studentëve. Përderisa protestuesit e shohin këtë si kërcënim për studentet, të cilat kanë kontakt me profesorin, Rektorati i UP-së vlerëson se nuk ka arsye për dramatizim të rastit. Në Rektorat kanë deklaruar se denoncimet janë duke u trajtuar me urgjencë nga Këshilli.
Pa mbështetje institucionale është ndier edhe një studente e Fakultetit të Filologjisë. Para dy vjetësh, ajo e pati raportuar ish-profesorin e saj, Bekim Bejta, për ngacmim. Gatishmëri për të dëgjuar dhunën psikike që e kishte përjetuar gjatë ligjëratave anëtarët e Këshillit nuk e treguan. Ajo në kushte anonimiteti tregon se gjatë intervistimit është sulmuar verbalisht nga Këshilli.
“Ata më shumë ishin të fokusuar nëse profesori vjen i përgatitur në ligjëratë, a vonohet. A mendoj unë që profesori është i përgatitur profesionalisht dhe kanë pyetur për deklaratat të cilët studentët i patën shënuar kundër meje në favor të profesorit me kërkesë të tij. Por Këshilli i Etikës nuk është prezantuar fare, unë nuk e kam ditur me kënd po flas, nga cili fakultet janë ata profesorë. Dhe kryesuesi, që është Iset Morina, që më vonë e kam marrë vesh kush është, dy herë ma ka ndërprerë fjalën duke më thënë që ai mund ta ndalë procesin në çfarëdo kohe për çfarëdo lloj arsyeje”, theksoi studentja që e denoncoi më herët profesorin Bejta.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, ngacmimi seksual nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që e cenon dinjitetin e personit dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues. Një veprim i tillë është vepër penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Për raportimin e ngacmimit seksual ndaj 27 studenteve, Prokuroria Themelore e Prishtinës është aktivizuar një muaj pas denoncimit. Ky institucion ka angazhuar Policinë në mbledhjen e informatave për rastin.
E, sipas juristit Anton Nrecaj, Prokuroria është vonuar në veprimet e saj.
“Në këtë situatë, nëse i referohemi drejtësisë, vërtet lë për të dëshiruar, duke filluar nga ajo hallka zinxhirore, Polici, Prokurori dhe Gjykatë dhe lë për të dëshiruar pasi në situata të tilla, në momentin kur raportohet edhe në media, Prokuroria e Shtetit, sipas detyrës zyrtare, e ka për detyrim dhe obligim ligjor që raportuesit t’i ftojë”, thotë Nrecaj.
Mostrajtimi i rasteve nga institucionet
Mostrajtimi serioz i raportimeve të ngacmimit seksual është shpërfaqur edhe në nivelin parauniversitar. Një nxënëse në Komunën e Suharekës e raportoi para dy vjetësh profesorin e saj për sulm seksual. Por, rasti i saj nuk u trajtua institucionalisht.
Ajo në kushte anonimiteti tregoi se ende vazhdon të mbajë procesin mësimor në një objekt me ngacmuesin e saj.
“Krejtësisht e tronditur pasi profesori më preku e m’u drejtua me fjalë intime, vendosa me raportua te drejtoria e shkollës. Edhe kur e kam raportuar, nuk kam pritë që më marrin seriozisht dhe as që profesori do të ndëshkohet, por isha e tronditur dhe vendosa t’i tregoja drejtorisë që të jenë në dijeni çka ka ndodhur. Profesorit ia kanë ndaluar të japë mësim në klasën time, por në korridor vazhdoj ta shoh çdo ditë. Pastaj, edhe familja ime ka insistuar që ata të bisedojnë me profesorin edhe ta zgjidhin këtë çështje e mos të përzihet policia, që të bëhet e madhe. Edhe unë nuk dua që ta marrin vesh e gjithë shkolla, se e di që veç fjalë më ngjesin”, thotë nxënësja.
Ditjon Fetahu, drejtor në Këshillin Rinor Kosovar, thotë se ekziston mendësia te menaxhmenti i shkollave se fshehja e këtyre rasteve ruan imazhin e institucionit.
“Shkollat e kanë këtë ndjenjën e mosraportimit të problemeve apo t’i shuajnë problemet që raportohen prej anës së nxënësve me idenë ose në bazën që nëse këto dalin në publik atëherë imazhi i shkollës apo emri i shkollës do të baltohet dhe ka me qenë i njëjti edhe tutje. Kjo është telashe shumë e madhe, pra është shumë një pjesë e rëndësishme të kuptohet dhe të tentohet që të ngrihet vetëdijen që shkolla e dëmton emrin në rast që mundohet me mbulua një problem”, thotë Fetahu.
Në Ministri të Arsimit pranojnë se ka tendencë të fshehjes së këtyre rasteve nga shkollat. Në Sistemin për Menaxhimin e Informatave të Arsimit gjatë këtyre dy vjetëve janë raportuar vetëm dy raste të ngacmimit seksual. E në kuadër të këtyre shifrave nuk është edhe përjetimi i nxënëses në Suharekë.
Një raport i Këshillit të Nxënësve i Kosovës para dy vjetësh pati rezultuar se ngacmimet seksuale janë të pranishme në hapësirat shkollore. Në një pyetësor me nxënësit e shkollave të mesme, 35 për qind janë deklaruar se njohin të paktën një mësimdhënës që është ngacmues seksual.
Kjo shifër nuk alarmoi institucionet vendimmarrëse. Fetahu thotë se niveli qendror mobilizohet vetëm kur rastet bëhen mediatike.
“Në nivel të Ministrisë së Arsimit po ashtu e kemi pasur një grup punues që është iniciuar, i cili ka emrin për shkollat miqësore, për shkollat mike, mirëpo ky grup sado që i ka pasur disa takime, iniciues për të kryer planet e punës pasi që është dalë, nuk ka qenë më temë mediatike dhuna dhe ngacmimet në shkolla, atëherë ka pasur një ngecje në implementim, kanë qenë disa kampanja të themi vetëdijesuese sa u përket ngacmimeve seksuale online, por nuk janë të mjaftueshme për me mbërri deri te zëri i të rinjve dhe të rejave”, thotë ai.
Përderisa problemin e mosadresimit të raportimeve për ngacmim seksual Ministria e sheh te menaxhmenti i shkollave, politikat e saj janë të fokusuara te nxënësit. Ky institucion deklaron se janë ndërmarrë veprime në vetëdijesimin e nxënësve për ngacmimet seksuale. Këtë parashohin ta arrijnë nëpërmjet edukimit seksual që realizohet përmes fushave kurrikulare, si lëndët e shkencës së natyrës, shoqëria dhe mjedisi, dhe edukata fizike.
Sipas një hulumtimi të publikuar në Institutin Nacional të Shëndetësisë, ngacmimet seksuale te viktimat shkaktojnë dëme afatgjate. Në hulumtimin e bërë me nxënësit e shkollave të mesme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë përjetuar ngacmime seksuale nga mësimdhënësit e tyre, rezulton se mostrajtimi i traumave ka ndikuar në performancën e tyre në rrugëtimin akademik.