Tabelat e rrugëve dhe emri i palestrës ku po ushtron, janë kthyer në shkas që basketbollistja amerikane për dy muaj të mësojë goxha shumë për rolin vendimtar të burrështetasve, ushtarakëve dhe diplomatëve amerikanë për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
“Unë erdha këtu për herë të parë më 19 nëntor 2020. Çfarë ishte e veçantë në Ferizaj kur erdha, ishte se ngado që shikoje, shihje flamuj amerikanë. Është hera e parë që kam dalë jashtë Amerikës dhe ishte e bukur të shihje deri ku ka mbërritur Amerika, dhe ka mbërritur deri këtu. Dhe kjo po më pëlqen”, thekson Amari Alexander, basketbolliste e “Kastriotit”.
“Si në Amerikë”
Përforcimi me amerikanen ka shtuar ambiciet e Kastriotit. Në qytetin e lidhur fort me misionet ushtarake e civile amerikane në Kosovë, Amari nuk po e ka telash komunikimin me bashkëlojtarët dhe vendasit.
“Jam interesuar më shumë për emrat e rrugëve, gjithçka më duket familjare këtu. Kjo më bën të ndihem si në vendlindjen time, këtu në Kosovë dhe në Ferizaj”, thekson ajo derisa ndërpret ushtrimet në palestrën ferizajase. “Më pëlqen këtu se të gjithë njerëzit janë në rrjedha me teknologjinë, të gjithë vendasit rrinë dhe e përfshijnë me njëri-tjetrin. Kjo është e veçantë. Nuk e di, por më pëlqen energjia që populli i Kosovës po ma ofron mua”.

Mirëpo, mbështetja politike e ushtarake amerikane gjatë e pas luftës shtyu qytetin që të nderonte përkrahësit më të mëdhenj të luftës për pavarësi me emërtimin e rrugëve dhe institucioneve lokale.
Bashkim Haxhimusa, veterani i luftës ishte njëri prej anëtarëve të komisionit komunal. Haxhimusa, drejtor i palestrës “Bill Clinton”, tregon me krenari se si u thotë miqve nga qytetet e tjera se “Amerika është e Ferizajt”. Thank You America” qe njëra prej kafeneve të para pas luftës.
Rrugët amerikane
Të huajve u lënë përshtypjet emrat “Wesley Clark”, apo “Washington”. Vendasit, tashmë janë mësuar.
Nëpër “Madeleine Albright”, apo “William Walker” kalon përditë Milot Sojeva kur del në shesh. Mbiemrin e ka si emri i fshatit prej nga vjen. Miloti tashmë jeton në banesë në qytet, derisa shtëpinë e madhe me disa apartamente në fshat ua ka lëshuar qiraxhinjve amerikanë që punojnë në bazën ushtarake Bondtseel.
“Prej Bondsteelit kam përfituar shumë. Prej vitit 2006 kam përfituar qira. I kam përgatitur katër apartamente, shtëpinë. Ka qenë qira me shuma goxha të mira për secilin apartament. Vëllai më ka punuar në Bondsteel, pastaj shkollimin, pastaj ka vazhduar edhe në misione të ndryshme. Motra gjithashtu, domethënë që është ndërlidhur. Edhe kjo është që na e kemi përfituar shumë”, thotë Milot Sojeva, sipërmarrës.
Megjithëse reduktimet e energjisë elektrike dhe ndërtimi i autostradës kanë ndikuar që viteve të fundit disa prej amerikanëve të zhvendosen në Shkup e Prishtinë, sojevasit ende po përfitojnë prej kampit.
“Në përgjithësi Sojeva, në atë lagje, kanë qenë shumë përfitues, të njëjtën gjë prej qirave, por edhe si punëtorë. Ka qenë një numër jashtëzakonisht i lartë i punëtorëve që kanë punuar aty në Bondsteel prej ’99-s, por personalisht kam filluar prej vitit 2006”, thekson Sojeva. “Paraprakisht janë ndërlidhur disa të hyra në familjen time që është ndërlidhur me Bondsteelin se ka pasur kompani që kanë operuar aty. Normalisht, gjithnjë lidhet me qira që kanë shfrytëzuar tokat, por edhe një pjesë tokat që i ka shfrytëzuar kampi. Besoj se në përgjithësi, Sojeva, por edhe komuniteti dhe qyteti kanë përfituar shumë”.
Shuma të pallogaritura financiare
Nuk ka ndonjë studim për përfitimet financiare të qytetit të Ferizajt nga baza ushtarake amerikane. Megjithëse numri i ushtarëve është reduktuar theksueshëm, kompanitë amerikane vazhdojnë të kenë shumë punëtorë ferizajas në vende të Lindjes së Mesme.
“Kemi pasur shumë dobi, shumë dobi për shkak se këtu është ndërtuar infrastruktura për nevojat ushtarake të kampit dhe këtu kanë punuar tetë mijë deri në dhjetë mijë punëtorë, domethënë të gjitha lagjet e fshatit, por edhe rrethina e Ferizajt, por edhe më larg, kanë pasur shumë kontribute të mëdha, si me rroga, ashtu edhe me punësim, por edhe po të kishim pasur dy–tri fabrika nuk do të kishim mundur të kontribuojmë sa kanë kontribuar këtu këta për njerëzit për të punuar”, thotë Sylejman Syla, kryetar i Sojevës
“Mirëpo i kanë marrë punëtorët me vete, sidomos çka i di të fshatrave tona, por edhe më larg janë nëpër Afganistana, Abu Dabi, Kuvajta, apo të gjithë këta kah shkon KFOR-i dhe këta shkojnë me këta. Kanë rroga shumë të majme, krahasuar me Kosovën”.
Shtëpia e Bardhë e Llugaxhisë
Fjalët e fundit të William Walkerit pak para largimit nga Kosova në marsin e vitit 1999 u ishin kujtuar pronarëve të një biznesi të ri në verën e po atij viti në vendin që po ngrihej nga rrënojat.
“Është pjesa që William Walker kur është shpallur person non grata në Elez Han e i ka thanë disa fjali që u kanë lënë shumë përshtypje shqiptarëve. Domethanë ka thënë që kemi me u kthy pa pasaporta, dhe ka qenë një shpresë shumë e madhe për kosovarët, sepse ka qenë një kohë shumë e turbullt”, Nuk është ditur a kemi me u kthy a qysh kemi me u kthy, a çka po ndodh, domethanë, dhe pak a shumë kjo është arsyeja, simpatia domethanë që kemi për ambasadorin që ka bërë shumë për Kosovën. Kjo ka qenë arsyeja”.

Edhe myshterinjtë e mobilerisë interesohen për historinë e emrit.
Mobileria Walker pos faktit ka qenë shpresë, dhe si shenjë shpresë dhe respekti, sepse e ka kuptimin e ka shumë të madh.
Përgjatë së njëjtës rrugë që lidh Ferizajn dhe Prishtinën, udhëtarëve u bien në sy flamujt amerikanë dhe shtëpitë që ngjasojnë me objektet më të pushtetshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Më veti njani që i vnojke do llustera, tha pse i mban flamurat e Amerikës. Thashë ti s’koke kan’ në Kosovë s’e paske përjetu luftën. Thashë kjo Amerikë na çliroi këtu, nejse Ushtria Çlirimtare luftoi, por gjithë ai intervenim për shembull 75 ditë edhe s’u dorëzojke Serbia, na popull i pambrojtur, gjithmonë dajmë qeshtu këtu. E kur tha s’bani za, tanaj e uli kryet”, thekson Beqir Selimi, banor i Llugaxhisë së Lipjanit.
Dy djemtë e Beqir Selimit janë zhvendosur viteve të fundit nga Pozharani i Vitisë në Llugaxhi të Lipjanit.
“Nalen i kqyrin, ama njerëzit mendojnë edhe menojnë që jemi në Amerikë se djemtë janë në Zvicër, ama na i kemi vnu se çlirimin e kemi pasë prej Amerikës dhe sot jemi këtu”.
Shenja gjithandej
Shenja pro-amerikanizmi shihen gjithandej Kosovës.
Në ditën kur Joe Bideni u betua si presidenti i 46-të, 46 flamuj u vunë në oborrin e shkollës së fshatit Bibaj të Ferizaj. Flamuj e posterë të presidentit të ri të demokracisë më të madhe të botës u vendosën edhe përgjatë rrugës që shpie drejt kampit amerikan.
“Ne e dimë historinë, populli amerikan është gjithnjë në mbështetjen tonë dhe ne nuk mund t’ia kthejmë me ndonjëfarë mënyre tjetër, pos ta simbolizojmë me vlerat e Amerikës, dhe ne e dimë se kush është Joe Biden dhe se çfarë flet për popullin tonë të Kosovës, dhe ne jemi shprehur vullnetarisht me mundësinë tonë që të paktën në formë simbolike të falënderojmë popullin amerikan dhe presidentin amerikan”, thekson Faton Haxhisalihu, kryetar i fshatit Bibaj.
Por cila është historia e lidhjes së dy popujve dhe sa është marrë historiografia shqiptare me të?
Gazetari Salih Mehmeti ka shkruar disa herë për këtë çështje në shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”.

Me zbulimin e botës së re edhe kahja e migrimeve ndryshon. Edhe bota shqipfolëse e kohës u përfshi në atë lumin e madh migrativ të njerëzve, që në botën e re, tokën e re provonin të gjenin një fat të ri. Në fakt edhe pse mungojnë evidenca të drejtpërdrejta në historigografinë shqiptare, mund të hamendësojmë se ata shqiptarë jo të paktë që angazhoheshin si ushtarë me pagesë në mbretërinë spanjolle, e cila ishte zotëruese absolute e deteve, një numër i tyre duhet të jenë vendosur qysh atëherë në botën e re, megjithatë në Italinë e shekullit 19 ku ka pasur migrime me përpjesëtime të pabesueshme, edhe bota arbëreshe u përfshi në këto rrjedha, së këndejmi kemi komunitete arbëreshe qysh në shekullin e tetëmbëdhjetë në Shtetet e Bashkuara arritën edhe nëpër Amerikën Latine”, thekson Mehmeti.
Shqiptari i parë që e “zbuloi” Amerikën
Historia shqiptare e njeh Nikollë Kristoforin nga fshati Katund i Korçës si shqiptarin e parë të regjistruar në Shtetet e Bashkuara diku në mes të viteve 1880, por Mehmeti beson se mbase shqiptarët kishin shkelur edhe më herët në tokën e shpresës, porse mund të jenë regjistruar si turq a grekë meqë ende nuk kishte shtet shqiptar.
Mehmeti thotë se në fakt gjatë gjithë shekullit nëntëmbëdhjetë njohja për botën shqiptare ishte e paktë për të mos thënë e hiçtë. Kishte tek-tuk ndonjë zhurnal ndonjë libër historik që i përmendte shkarazi shqiptarët, por megjithatë njohja ishte larg të qenët e plotë, vetëm në fillim shekullit të njëzetë shqiptarët nisën të organizoheshin më shumë dhe të bënin një jetë të organizuar për mes shoqatave për Shqipëri e lirë.
“Pikërisht këtu fillon njohja dhe kjo më së shumti kulmon sidomos në luftën e parë botërore, ku ta zëmë kishte filoshqiptarë që kishin empati për çështjen shqiptare”, thotë Mehmeti. “Njëri prej tyre edhe John Fred Williams, i cili më parë kishte shërbyer si ambasador fuqiplotë i Amerikës në Greqi dhe Mal të Zi, por i cili, duke njohur çështjen shqiptare, kaloi tërësisht në anën shqiptare. Atij më së shumti i detyrohemi për njohjen e shqiptarëve brenda publikut amerikan, sepse ai si senator kishte lidhje të mira edhe me presidentin Woodrow Wilson dhe me anë të tij, çështja shqiptare kishte bukur peshë para opinionit amerikan”.
Dy herë gjatë shekullit njëzet, Shtetet e Bashkuara u vunë në krye të mbrojtjes së luftës së shqiptarëve për liri. Në fillim të këtij shekulli mbrojtën me vendosmëri pavarësinë e Shqipërisë. Në fund të mijëvjeçarit i prinë betejës për shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës. Më 2008, udhëhoqën jetësimin e pavarësisë së Kosovës.
Roli vendimtar i Wilsonit
Kur Shqipëria po rrezikonte të copëtohej pas Luftës së Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kthyen sytë nga çështja shqiptare.
Premtimin se do ta ndihmonte Shqipërinë, presidenti Woodrow Wilsoni do ta vinte në jetë disa vjet më vonë kur shteti i sapokrijuar rrezikonte të copëtohej mes Greqisë dhe Italisë. Kur fati i shqiptarëve dukej aq i pasigurt, presidenti Wilson do të deklaronte bujshëm më 1919: “Shqipëria duhet të jetë e pavarur”
Për rolin e tij qenësor në Konferencën e Versajës, kryeministri i atëhershëm shqiptar, Fan Noli, do të merrte vendim më 1924 që Shëngjinin ta quante “Qyteti Wilson”. Këtë emër e mbajti deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Dhjetëra e mijëra shqiptarë sot kalojnë verës pranë bustit të presidentit Wilson në qytezën bregdetare.
Një nyjë e re bashkimi do të lindte papritur kur në prill të vitit 1937, Mbreti Zog u martua me konteshën hungarezo-amerikane, Geraldine Apponyi. Mbretëresha e re e Shqipërisë ishte e bija e një familjeje amerikane nga Virgjinia.
Por, marrja e pushtetit nga Partia Komuniste i përmbysi këto raporte. Më 15 nëntor 1946, amerikanët tërhoqën misionin e tyre diplomatik dhe u deshën pesë dekada që përfaqësimi zyrtar të rikthehej në Shqipëri.
Pavarësisht ndryshimeve politike në Shtetet e Bashkuara, Shtëpia e Bardhë ishte dhe mbetet adresa më e preferuar për liderët shqiptarë. Edhe atëherë kur negociatat zhvillohen e prihen nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Shqiptarët e kërkojnë Washingtonin si garantues të marrëveshjeve.
Prania amerikane manifestohet gjithandej me shtatore e buste, por edhe me emërtime rrugësh e sheshesh. Mirënjohje për rolin historik.
Por interesimi i diplomacisë amerikane për çështjen shqiptare në Ballkan nuk u shua asnjëherë.
Kulmi i përkrahjes
Kjo kulmoi me përkrahjen e fuqishme amerikane për çlirimin e Kosovës në fund të shekullit të kaluar. Ishte dhjetori i vitit 1992, kur presidenti George H. W. Bush në “paralajmërimin e Kërshëndellave” ia tërhoqi vërejtjen homologut të tij jugosllav, Slobodan Milosheviq.
“I bëj thirrje lidershipit serb që t’i respektojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të plotë, që të përmbahen nga represioni i mëtejshëm në Kosovë, si dhe të angazhohen në një dialog serioz me përfaqësuesit e Kosovës, me qëllim të përcaktimit të një statusi politik të Kosovës”, kishte thënë George H.W. Bush.
Qasjen e presidentit republikan e ndoqi edhe pasardhësi i tij demokrat, Bill Clinton, në dy mandatet e tij. Nën lidershipin e tij, SHBA-ja qe prijëse në fushatën e bombardimeve që nxorën jashtë Kosovës ushtrinë e policinë serbe.
Në adresimin para popullit amerikan, më 24 mars 1999, presidenti Clinton do të shpjegonte arsyet pse Kosova kishte rëndësi për Amerikën.
“Ne po veprojmë që të parandalojmë një luftë të gjerë, të largojmë një fuçi baroti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë me radhë këtë shekull me pasoja katastrofike”, kishte deklaruar Clintoni.
Kur Kosova e zgjonte Clintonin midis natës
Dy dekada më vonë sekretarja e tij e Shtetit, do të kujtonte në zemër të Prishtinës një bisedë telefonike me të zotin e atëhershëm të Shtëpisë së Bardhë.
“Dhe presidenti Clinton donte të sigurohej se Kosova ishte e sigurt dhe në natën e fillimit të bombardimeve, më thirri në telefon presidenti Clinton në mesnatë dhe më tha: Madeleine aeroplanët janë nisur dhe më tha: Madeleine: Ne po bëjmë gjënë e duhur, dhe unë i them: Po zoti president, po bëjmë gjënë e duhur. Ishte nder që gjithnjë të bëje gjënë e duhur”, deklaronte në Prishtinë 20-vjetorin e çlirimit Madeleine Albright, ish-sekretare amerikane e Shtetit
Pas luftës ai vizitoi Kosovën për të përçuar një porosi të re për popullin e saj.
“Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”.
Një porosi e kishte edhe për paqeruajtësit amerikanë në Kosovë.

“Gjëja më e rëndësishme që ju duhet të bëni, pos që këta njerëz të gjallërojnë dhe të jenë të sigurt, është që t’u mësoni fëmijëve dhe prindërve të tyre, me fuqinë e shembullit dhe dëshmisë suaj, sepse çfarë po shoh unë sot është një shembull, por unë po ju them se çfarë ata po dëgjojnë sot është një shembull, por jo shembulli i vetëm me të cilin po përballet bota në prag të mileniumit të ri dhe është në kundërshtim me krejt atë për çfarë angazhohet Amerika”, deklaronte Clinton më 1999 në kampin amerikan.
“Dhe fuqia e armëve tona mund ta fitojë betejën ushtarake në Kosovë, por paqja mund të fitohet vetëm me zemër dhe çdo ditë që ata ju shohin, çdo ditë që ata vogëlushë ju shohin duke punuar së bashku, edhe nëse ata nuk e flasin gjuhën tuaj, edhe nëse ata kurrë më parë nuk kanë takuar ndonjë afro-amerikan apo hispanik, edhe nëse më parë nuk kanë njohur ndonjë aziatik, ata mund ta shohin, ata kanë sy, ata do ta kuptojnë. Tregohuni vetja, bëni punën që duhet ta bëni, trajtojini mirë”.
Paralajmërimi i Bushit në Tiranë
88 vjet pas deklaratës së Wilsonit, i cili frenoi copëtimin e Shqipërisë, historia presidenciale amerikane do të reprizohej kur George W. Bushi gjatë vizitës në Shqipëri do të paralajmëronte ndryshimin e hartës së botës.
“Kosova do të jetë e pavarur në një mënyrë a tjetër”, kishte deklaruar Bushi.
Kosova, që nga çlirimi i saj e feston 4 korrikun – Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Përtej marrëdhënieve politike të sprovuara në luftë e paqe, lidhja e shqiptarëve me “tokën e lirisë” është kapitulli i veçantë i historisë në të cilin ata spikasin si një ndër popujt me ndjenjat më “proamerikane” në botë.
Kosova festoi edhe më 20 janar kur edhe demokracitë e popujt e shtypur iu gëzuan betimit të demokratit president i Shteteve të Bashkuara pas katër viteve të turbullta të Donald Trumpit.
Me përvojën nga Bosnja, Bideni u bë një prej forcave shtytëse që u dha fund masakrave dhe dëbimeve të shqiptarëve nga Kosova, nga regjimi i Milosheviqit. Ishte ky angazhimi i tij i parë i drejtpërdrejtë në Kosovë, por jo edhe i fundit.
Demokrati e vazhdoi përkrahjen për Kosovën edhe pas përfundimit të luftës. Kësaj radhe për zbardhjen e krimeve serbe. Përkrahu shpalljen e Pavarësisë.
“E dini, ju i tregoni botës dhe po vazhdoni t’i tregoni botës kur shtetet vendosin të ngrihen bashkërisht, për ta mposhtur tiraninë dhe për të ndërtuar shoqëri. Më duhet ta them përsëri, kjo nuk është e gjasshme, kjo është e vërtetë.”, deklaronte Joe Biden më 2016 para ushtarëve amerikanë në Bondsteel.
“Pikërisht këtë e kemi bërë këtu, po rindërtoni një shoqëri, që thënë sinqerisht, kurrë më parë nuk ka ekzistuar në këtë pjesë të botës.
Dy dekada më parë, këtu në Kosovë, ju keni mbrojtur të pafajshmit, dhe tani ju po u krijoni kosovarëve hapësirën e nevojshme të ndërtojnë një shtet të pavarur, demokratik dhe më e rëndësishmja, multietnik”.
Pas çlirimit të Kosovës më 1999, ai merrte informata të dorës së parë për atë që po ndodhte këtu nga i biri i tij, Beau Biden, i cili u angazhua në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë në kuadër të misionit të OSBE-së.
Lidhja e përjetshme e Bidenëve
Katërmbëdhjetë vjet pas kësaj, Beau vdiq nga kanceri, në moshën 46-vjeçare. Më 2016, Joe Biden erdhi sërish në Kosovë ku mori pjesë në përurimin e rrugës Ferizaj-Gjilan që mban emrin e të birit.
“Ai jo vetëm që jepej shumë pas punës, por ai vërtet erdhi sepse i donte njerëzit, historinë e këtij vendi të jashtëzakonshëm”, deklaronte Bideni në ceremoninë e emërtimit të rrugës pesë vjet më parë. “Në këtë pikë, duhet të fokusohemi në atë çfarë përfitojmë. Duhet të fokusohemi për çfarë angazhohej Beau dhe duhet t’ia kushtojmë jetën përmbushjes së atyre për çfarë angazhohej ai. Kështu e shohim Hunter dhe unë, familja ime e shohim këtë ditë”, theksoi tashmë presidenti amerikan.

“Kështu e shohim krejt këtë, që ta dijmë se pas pesë, dhjetë, njëzetë, gjashtëdhjetë vjet më vonë që nipërit e mi, stërnipat e mi, sepse ju siguroj se çdo Biden i lindur do të udhëtojë, çdo Biden i lindur do të udhëtojë që ta shohë këtë monument për babanë, gjyshin dhe stërgjyshin e tij”.
Syla, kryetari i Sojevës, ka theksuar se pas fitores së Bidenit, është ngritur edhe interesimi për ta parë lapidarin e të birit të tij.
Rruga që lidh disa fshatra me magjistralen, që mban emrin e të birit e ku është ngritur lapidari për të, prej ditës kur Joe Biden u betua president, mban emrin e tij - një tjetër shenjë e mirënjohjes së popullit të Kosovës për tokën e lirisë.