Shtimi i hapësirave të gjelbra që nuk është përmendur në programin e Qeverisë, vlerësohet i domosdoshëm nga ambientalistët, për ta ulur nivelin e lartë të ndotjes së ajrit. Ata thonë se ligjërisht kjo pjesë është e rregulluar mirë, por, sipas tyre, nevojitet zbatim në praktikë i masave të identifikuara
Uljen e nivelit të lartë të ndotjes së ajrit Qeveria Kurti synon ta arrijë përmes kompletimit të legjislacionit dhe rishikimit të kornizës strategjike. Në programin katërvjeçar të punës, ekzekutivi synon ta miratojë Ligjin për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, por një ligj i tillë ka më shumë se 10 vjet që është në fuqi.
Qeveria është zotuar se do t’i identifikojë burimet e ndotjes së ajrit, të cilat sipas ambientalistëve dihet që janë termocentralet, automjetet dhe përdorimi i thëngjillit nga ekonomitë familjare.
Ambientalisti Behxhet Mustafa thotë se krahas zbatimit rigoroz të masave në praktikë, i domosdoshëm është edhe shtimi i hapësirave të gjelbra.
“Në njërën anë duhet të ruhen ekosistemet pyjore natyrore, në anën tjetër duhet të rriten sipërfaqet gjelbëruese. Nuk është kjo çfarë e kemi sot as për së afërmi nga ajo që kërkohet nga Bashkimi Evropian. Janë rreth 20 metra katrorë për kokë banori hapësirë gjelbëruese që duhet të jetë në vende urbane”, thotë Mustafa.
Monitorimi, sipas ambientalistit tjetër Zeqir Veselaj, nuk e përmirëson cilësinë e ajrit, por veprimi ndaj burimeve të ndotjes.
“Nuk është se Kosova deri sot vuan shumë për strategji, plane veprimi në fushën e mjedisit. Legjislacionin e kemi në situatë të kënaqshme me kërkesa të direktivave të Bashkimit Evropian. Tash duhen masa”, ka thënë Veselaj. Ai e vlerëson jetik hartimin e strategjisë për zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor, e cila është pjesë e programit qeverisës.
Për të adresuar ndotjen e ajrit në zona të caktuara, Qeveria është zotuar se do të hartojë masat e kontrollit të ajrit për Prishtinën dhe zonat e ndjeshme.
Vitet e fundit Kosova ka pasur probleme të vazhdueshme me ndotjen e mjedisit nga termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”, e po ashtu edhe nga djegia e thëngjillit nga bizneset dhe shtëpitë private.
Në matjet e vazhdueshme, Kosova shpeshherë renditet ndër vendet me ajrin më të ndotur në botë.