Tamar Ziv, ambasadore e Izraelit në Kosovë, ka thënë se organizata e Hamasit është përgjegjëse për vuajtjet e popullit palestinez. Ajo ka shtuar se nëse Hamasi nuk do ta kishte sulmuar Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, nuk do të kishte asnjë pasojë për popullin palestinez. Tutje, Ziv ka thënë se organizatat si Hamasi e Hezbollahu tentojnë të fshihen prapa popullsisë civile.
Intervista e plotë:
KOHA: Një vit nga masakra e 7 tetorit, si mund ta përshkruani Izraelin një vit pas?
Tamar Ziv: Siç e thatë, këtë javë shënuam një vit nga masakra e 7 tetorit. Ky ka qenë një vit ekstremisht i vështirë për secilin izraelit. Siç e dini, në masakrën e 7 tetorit, më shumë se 1200 njerëz u vranë, dogjën, përdhunuan, torturuan… foshnja, të moshuar, të mbijetuar të Holokaustit, pa asnjë dallim. Dhe 250 qytetarë izraelitë u kidnapuan dhe u morën peng në Rripin e Gazës. Deri më sot, 101 pengje janë ende në Rripin e Gazës, në kushtet më të këqija të mundshme. Që nga 7 tetori, fatkeqësisht, kemi qenë në një luftë shumë të vështirë me Hamasin dhe Hezbollahun, të cilët vendosën t’i bashkojnë forcat me Hamasin më 8 tetor, dhe pa pasur asnjë provokim, filluan të luftojnë kundër Izraelit. Duke gjuajtur dhe lëshuar raketa, deri më sot nga Libani, më shumë se 10 mijë predha të llojeve të ndryshme janë lansuar në territorin e Izraelit, dhe 9.500 nga Gaza. Pra, ky ka qenë një vit shumë i vështirë, ky ka qenë në fakt një vit, gjatë të cilit Izraeli ka luftuar në shtatë fronte. Fatkeqësisht, kemi luftuar me Hamasin në Gazë, Hamasin në Bregun Perëndimor, Hezbollahun në Liban, grupe shtesë të mbështetura nga Irani, milicitë shiite në Irak, milicitë shiite në Siri, hutët në Jemen, dhe natyrisht, ashtu siç ne e quajmë, koka e krejt kësaj është Irani. Irani është koka e oktapodit, dhe po i dërgon armët e tij te shtatë grupet që i mbështet, të cilat i përmenda, por rrënjët për tërë këtë dhunë dhe tërë këtë luftë është Irani.
KOHA: Një vit pas, ne po flasim edhe për disa rrethana të tjera, duke ditur faktin që tashmë ka pasur së paku dy sulme direkte nga Irani, dhe Izraeli ka njoftuar se së shpejti, do të shohim se kur, do të ketë një përgjigje ndaj sulmit të dytë, i cili ndodhi disa ditë më parë. Cilat janë rrethanat tani në regjion dhe cilat janë rreziqet që konflikti mund të zgjerohet në shtete të tjera?
Tamar Ziv: Pas siç e dini, më 14 prill, Irani kishte vendosur të lëshonte më shumë se 200 raketa balistike dhe raketa të tjera me rreze të gjatë drejt Izraelit, dhe vetëm disa ditë më parë, ata vendosën për herë të dytë t’i lëshojnë këto raketa, si përgjigje ndaj, mendoj, ndaj dëmeve që u kemi shkaktuar ndaj grupeve të preferuara të tyre që mbështesin, të Hezbollahut, të cilët gjatë dy javëve të fundit, pasi kemi provuar për muaj me radhë të shtyjmë një zgjidhje diplomatike për situatën në Liban dhe duke provuar përmes bashkësisë ndërkombëtare ta bindim Hezbollahun të shkëpusë lidhjet që kishte krijuar, që përderisa luftojnë në Rripin e Gazës, Hezbollahu do ta luftojë Izraelin nga veriu. Prandaj, vendosëm ta ndryshojmë lojën dhe filluam të luftojmë më fuqishëm kundër Hezbollahut. Dhe Hezbollahu është organizatë, në të cilën Irani ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë çdo vit, për të ndërtuar kapacitetet e tyre ushtarake, të cilat vetëm tash ne po i zbulojmë, si i krijuan këto kapacitete. Sepse tani jemi duke i kryer disa operacione në pjesën jugore të Libanit, po zbulojmë se pothuajse në çdo fshat në pjesën jugore të Libanit, në pothuajse çdo shtëpi ka sasi të armëve, raketave dhe granatave, dhe pajisje të komunikimit, e të tjera. Pra, kjo përgatitje ekstreme ushtarake, qëllimi i së cilës ishte të kryente sulm të ngjashëm me atë të 7 tetorit në veri të Izraelit, zbuloi diçka që Irani ishte duke e planifikuar dhe përgatitur për më shumë se 20 vjet. Dhe gjithashtu tani, Irani na sulmoi njëanshëm, dhe natyrisht, mendoj se Izraeli nuk ka zgjedhje tjetër, por të përgjigjet.
KOHA: Të fokusohemi në një këndvështrim tjetër për atë që po ndodh për më shumë se një vit tashmë. Dhe ai është narracioni i luftës, dhe nëse është narracioni aktual dhe lufta hibride që ka për qëllim t’i shtrembërojë qëllimet e Izraelit për t’i luftuar këto grupe terroriste.
Tamar Ziv: Mendoj që ka pasur një shtrembërim të tmerrshëm të narracionit anekënd botës, dhe mendoj se bota me të vërtetë e ka harruar se çka ka ndodhur më 7 tetor. Fakti që Hamasi vendosi ta sulmojë thellësisht Izraelin, me mijëra e mijëra luftëtarë të tij, të kryente krime kundër njerëzimit, të llojeve më të këqija, me të vërtetë më të tmerrshmet, përdhunime, torturime, gjymtime, djegie për së gjalli, e të tjera. Dhe fakti është se ata janë duke mbajtur pengjet tona qe një vit. Kjo luftë ka mundur të përfundonte shumë kohë më parë, nëse Hamasi do t’i kthente pengjet, dhe do të vendoste ta shihte popullin palestinez, e jo parimet e tij të ideologjisë xhihadiste. Hamasi është ai që në të vërtetë duhet fajësuar për vuajtjet, vuajtjet e tmerrshme të popullit palestinez. Mendoj që populli palestinez ka përjetuar periudhë shumë të vështirë, por ai që është përgjegjës për këtë është Hamasi. Nëse Hamasi nuk do ta kishte sulmuar Izraelin, nëse Hamasi do të kishe vullnet të arrinte marrëveshje për pengjet dhe t’i kthente të gjithë njerëzit tanë, nëse Hamasi do të kishte vullnet të largohej nga popullata civile në Rripin e Gazës, dhe të mos e bënte popullatën civile si mburojë njerëzore për ta, atëherë e tërë situate në Gazë do të ishte plotësisht ndryshe. Por është pjesë e ideologjisë së Hamasit – ashtu siç është edhe e Hezbollahut – ta rrethojë veten me popullatë civile. Të krijojnë selitë qendrore të tyre brenda spitaleve, brenda shkollave, brenda xhamive… Dhe pastaj është shumë e vështirë të luftohet një organizatë terroriste, e cila është e ngulitur brenda popullatës civile, në një formë aq të madhe, dhe përveç kësaj, duke ndërtuar një qytet nëntokësor, me tunele në Rripin e Gazës, pa e dëmtuar popullatën civile. Kurrë nuk ka qenë qëllimi ynë ta dëmtojmë popullatën civile, dhe mendoj se Izraeli, ushtria, ka bërë më shumë se çdo ushtri në botë, në mënyrë që të mundohet ta mbrojë popullatën civile palestineze. Duke krijuar zona sikurse në Mawasi, zonë në të cilën u kemi bërë thirrje njerëzve të evakuohen, në mënyrë që të jenë më të mbrojtur. Duke mundësuar ndihmat humanitare të hyjnë në Rripin e Gazës, përkundër luftimeve, dhe të sigurohemi që sasi të mëdha të ndihmave të shpërndahen, duke u munduar të adresojmë probleme sikurse sëmundjet, e kështu me radhë. Duke paralajmëruar njerëzit që të largohen në zona të caktuara, në mënyrë që të mos lëndohen. Prandaj ,mendoj që ushtria izraelite ka bërë shumë aksione përgjatë këtij viti në mënyrë që të minimizohen dëmet dhe vuajtjet e popullatës civile në Gazë. Më vjen shumë keq që Hamasit nuk i intereson fare për civilët e tyre, dhe po e bën të kundërtën. Dhe sa i përket ndihmës humanitare, siç edhe mund ta dini, Hamasi po sulmon këta kamionë, po sulmojnë ngasësit e OKB-së që po ngasin këta kamionë, po marrin këta kamionë të ndihmave humanitare, dhe pastaj ia shesin ndihmat humanitare popullatës në një mënyrë shumë cinike, në vend se t’i shpërndajnë, ua shesin dhe marrin fitim të madh nga kjo, dhe i përdorin këto para në mënyrë që të armatosen dhe të vazhdojnë luftimet.
KOHA: Po ashtu, kemi parë së fundmi edhe deklarata të shteteve të ndryshme, të cilat tradicionalisht janë aleate të Izraelit, përfshirë SHBA-në që në disa momente kishin edhe diskutime sa i përket mbështetjes së Izraelit, sa i përket armatimit, dhe po ashtu Franca, kishim vetëm pak ditë më parë presidentin francez, duke folur dhe duke e përmendur mundësinë e embargos ndaj Izraelit. Si e sheh Qeveria izraelite këtë qasje të aleatëve gjatë kësaj periudhe?
Tamar Ziv: Mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar krah Izraelit në mënyrë të jashtëzakonshme që nga fillimi, me ngjarjet e 7 tetorit dhe natyrisht edhe më përpara, por tani po flasim veçanërisht për këtë. Ne vetëm mund t’i falënderojmë Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Biden, si dhe administratën për mbështetjen që i kanë dhënë Izraelit përgjatë këtij viti shumë të vështirë. Ata nuk kursejnë asnjë përpjekje, në mënyrë që të përkrahin në çfarëdo forme që munden. Përfshirë sjelljen e aseteve ushtarake të tyre në rajon, në mënyrë që ta mbrojnë Izraelin. Sa i përket Francës, veçanërisht meqë Franca e di se si është situata në Liban dhe se si, në fakt, Hezbollahu e ka kapur shtetin e Libanit dhe, në fakt, ka qenë forca, e cila e ka kontrolluar pak a shumë politikën atje, e kështu me radhë, është mjaft befasuese që kanë vendosur ta mbyllin njërin sy në atë se çka po bën Hezbollahu, dhe duke e kërcënuar Izraelin me ndërprerjen e shitjes së armëve.
KOHA: Ambasadore, sipas mendimit tuaj, me të gjitha zhvillimet të cilat po i shohim në pjesët e tjera të botës, dhe se çka po ndodh në rajon, në Lindjen e Mesme, a mund të flasim për ndonjë ndryshim të rendit botëror?
Tamar Ziv: Është një pyetje e mirë. Mendoj që është mjaft e qartë që shtete si Irani, janë aktive, duke u munduar të luftojnë kundër shteteve demokratike, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por siç edhe mund ta shihni, edhe veprimet e dëmshme sa i përket Ukrainës, dhe rajoneve të tjera. Pra, nuk e di, mendoj se jemi ballafaquar për shumë vjet me botën demokratike kundër autokracive ose diktaturave, etj. Është e vështirë të thuhet, nëse ky është një ndryshim i plotë i rendit botëror, por është mjaft e qartë se kush në cilën anë është.
KOHA: Le të fokusohemi edhe te zhvillimet në Kosovë dhe në rajonin tonë. Si i shihni zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, kur shpesh kemi parë duke përmendur ndikimin rus, kryesisht përmes Serbisë. A shihni se mund të ketë ndonjë eskalim të situatës po ashtu edhe në Ballkan?
Tamar Ziv: Unë me të vërtetë shpresoj që nuk do të ketë eskalim të situatës në Ballkan, që procesi i dialogut do të mund të përparojë dhe të arrihet marrëveshje, që do të ishte e dobishme për të sjellë paqe të vërtetë në Ballkan po ashtu. Pa dyshim që zhvillimet që ndodhin në rajone të tjera, mund të ndikojnë në rajone të tjera, por shpresoj që të mos ndodhë kjo në Ballkan.
KOHA: Dhe në tërë këtë situatë të krijuar në pjesë të ndryshme të botës, sa ka vëmendje Kosova në agjendën ndërkombëtare?
Tamar Ziv: Mendoj që disa rajone po e marrin vëmendjen më të madhe në mbarë botën, për fat të keq dhe natyrisht e para është Ukraina dhe Rusia, si dhe gjatë vitit të fundit, ka qenë Gaza dhe mendoj e ka marrë tërë vëmendjen globale. Dhe mendoj që janë zhvillime të vështira që po ndodhin në rajone të tjera të botës, si p.sh. në Sudan dhe vende të tjera dhe supozoj se Ballkani po merr vëmendje, por jo aq vëmendje sa këto konfliktet e tjera, të cilat për fat të keq janë shumë konflikte të përgjakshme.
KOHA: Ambasadore, po i afrohemi fundit të kësaj interviste, dhe do të doja t’ju pyesja mbase lidhur me ndonjë parashikim. Ka pasur bisedime për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit me ndërmjetësues, sikurse Egjipti dhe Katari, por po ashtu jemi dëshmitarë të eskalimit në veri me Libanin, me luftën me Hezbollahun, a shihni se do të ketë armëpushim së shpejti? Apo sipas mendimit tuaj, cili do të ishte parashikimi se do të ndodhë në të ardhmen, apo sa shpejt do të përfundojnë luftërat?
Tamar Ziv: Është vështirë të jesh profet dhe të japësh parashikime se çka do të ndodhë. Unë vetëm mund të shpresoj në faktin se Hezbollahu është mundur fuqishëm përgjatë dy javëve të fundit, do të ndryshojë diçka në të menduarit e liderëve të Hezbollahut dhe Iranit, dhe se kjo natyrisht do të ndikojë te Sinwari në Gazë po ashtu. Për herë të parë që prej një viti, kemi dëgjuar liderin e përkohshëm të Hezbollahut duke thënë se janë të gatshëm të përfillin një armëpushim, dhe për herë të parë nuk kanë krijuar një ndërlidhje mes luftimeve që po zhvillohen në Liban dhe në Hamas. Pra, kjo mund të jetë një shenjë pozitive, që diçka po ndryshon në të menduarit e tyre dhe se do të ishin të gatshëm të arrijnë në një formë, në një pikë, një marrëveshje diplomatike, që do ta shtynte prapa Hezbollahun, së paku 10 kilometra. Dhe natyrisht, më pastaj do të duhej të kishte aranzhime sa i përket armatimit dhe çështjeve të tjera. Dhe me të vërtetë shpresoj që Sinwari do ta shohë se nuk e ka më mbështetjen e Hezbollahut dhe se realiteti ka ndryshuar, me shpresë se edhe ai do ta kuptojë nevojën që të arrihet një zgjidhje për pengjet dhe me shpresë që të arrihet marrëveshje për lirimin e këtyre pengjeve. Pra me shpresë që të ketë mundësi të arrihet armëpushim në Rripin e Gazës, po ashtu, e pastaj të fillohet të bisedohet për një ditë më pas dhe se nga kush dhe si do të menaxhohej Gaza, se si do të rindërtohej. Pra, me të vërtetë shpresoj që shumë shpejt në një drejtim tjetër do të ketë armëpushim dhe marrëveshje rajonale.