Arbëri

Ambasadori britanik: Serbia të marrë masat e duhura që Radoiçiqi dhe të tjerët të sillen para drejtësisë

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për Serbinë që të marrë masat e nevojshme që autorët e sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, me në krye Milan Radoiçiq, të sillen para drejtësisë.

Hargreaves ka kujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili u vra në këtë sulm.

Ai tutje ka lavdëruar punën e Policisë për vendosjen e rendit atë ditë, si dhe prokurorëve që kanë ngritur aktakuzë lidhje me rastin. 

“Sot bëhet një vit nga vrasja e policit Afrim Bunjaku dhe ngjarjet tronditëse që ndodhën në Banjskë. I bëj nder profesionalizmit dhe trimërisë së Policisë së Kosovës për veprimin e tyre për të rivendosur rendin më 24 shtator 2023 dhe prokurorëve të Kosovës për punën e tyre duke ngritur aktakuzë. Britania e Madhe vazhdon të kërkojë që autorët e këtij sulmi, përfshirë Milan Radoiçiq, të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj Serbisë që të marrë masat e nevojshme për të siguruar që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në “X”.

 

 

Italia rithekson se kryesit e krimit në Banjskë do të mbahen përgjegjës

Ndërkohë, Ambasada e Italisë në Kosovë përmes platformës X ka përkujtuar policin Afrim Bunjaku. Italia ritheksoi qëndrimin se përgjegjësit për sulmin dhe vrasjen e Bunjakut duhet të dalin para drejtësisë.

“Le ta kujtojmë dhe nderojmë kujtimin për rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë në mënyrë frikacake në sulmin e Banjskës vitin e kaluar. Italia rikonfirmon qëndrimin se ata që janë përgjegjës për këtë krim të tmerrshëm, bashkë me të gjithë të përfshirit, do të mbahen përgjegjës plotësisht”, thuhet në postimin e ambasadës.