Për të parandaluar aksidentet me fatalitet afër institucioneve arsimore dhe për të rritur sigurinë e nxënësve, Ambasada e Sllovenisë ka promovuar udhëzimet që përfshijnë rekomandimet për rritjen e sigurisë në rrugë. Kjo Ambasadë vlerëson nevojën për senzibilizimin e pjesëmarrësve në trafik.
Ambasada e Sllovenisë në Kosovë vlerëson nevojën për sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafik për të rritur sigurinë në rrugët afër institucioneve arsimore, për të parandaluar aksidentet me fatalitet.
Për këtë ambasada së bashku me Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit të Transportit në Slloveni, kanë promovuar udhëzimet që përfshijnë rekomandimet për rritjen e sigurisë në rrugë.
“Ende më kujtohet që në shkollë kemi pasur punëtori çdo vit nga e cila kemi mësuar për sigurinë në rrugë, se si të kalojmë rrugën, si të shkojmë nga shtëpia deri në shkollë dhe anasjelltas. E këtë që po e shihni sot është rezultat i punës së shtetit slloven për vite të tëra që fëmijët të shkojnë shëndosh dhe mirë në shkollë. Këto udhëzime përdoren në Slloveni dhe mund të jenë model për shtetet e tjera. Për implementimin e kësaj, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë akterëve, i Ministrisë së Infrastrukturës, asaj të Edukimit, policisë dhe prindërve”, theksoi Mince Benedejçiq, ambasadore e Sllovenisë në Kosovë.
Edhe zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, vlerësoi nevojën e sensibilizimit të vozitësve kur kalojnë afër shkollave.
“Në periudhën janar-mars 2024 kanë humbur jetën 17 persona, ndërsa në vitin 2023, 24 persona. Pra 7 persona më pak të vdekur në këtë vit krahasuar me vitin e kaluar, apo 29.6 për qind. Ndërsa numri i të lënduarve ka qenë me një ulje prej 0.17 për qind në krahasim me vitin paraprak. Të gjithë në një mënyrë apo tjetër jemi pjesëmarrës në trafikun rrugor dhe si të tillë, secili prej nesh jemi përgjegjës për sigurinë tonë dhe pjesëmarrësve në trafikun rrugor”, deklaroi Durmishi.
Në promovimin e udhëzueseve munguan anëtarë nga Ministria e Arsimit.
Udhëzuesi parasheh trajnimin e nxënësve në kalimin e rrugës e informimin e shoferëve për rritjen e sigurisë në rrugët afër institucioneve arsimore.