Arbëri

Ambasada e SHBA-së në 3-vjetorin e vdekjes së Albrightit: Shpëtoi shumë jetë

Madeleine Albright

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka përkujtuar ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, në trevjetorin e vdekjes së saj. 

Në postimin e ambasadës në platformën X, është përmendur lidershipi i saj i guximshëm në Ballkan, e psoaçërisht në Kosovë – ku thuhet se ka shpëtuar shumë jetë. 

“Jeta e Madeleine Albright ishte personifikimi i ëndrrës amerikane dhe lidershipi i saj i guximshëm në Ballkan shpëtoi jetë të panumërta. Përparimi i Kosovës është një nderim i vazhdueshëm për trashëgiminë e saj”, thuhet në shkrimin e ambasadës kushtuar Albrightit. 

Albright vdiq në moshën 84-vjeçare.

Albright ishte sekretare në kohën kur shpërtheu lufta në Kosovë. Ajo vlerësohet se ka pasur ndikim të madh për ta bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe.

Ajo ka qenë sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001, kur president i SHBA-së ishte Bill Clinton.

Albright e ka vizituar Kosovën tri herë, në vitin 1999 kur ishte ende sekretare, si dhe në vitin 2005 dhe 2019. Në vitin 2005, ajo mbajti fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Albright ka lindur më 15 maj 1937 në Pragë. Ajo ishte gruaja e parë që mbajti postin e sekretares amerikane të Shtetit.