“Në lagjen që i thonë ‘Mihal Grameno’, te rruga ‘Dardania’, unë kur kam ardhur më 2013, praktikisht ka qenë vetëm rendi i parë me ndërtesa dhe rendi i dytë sa pati filluar. Në njëfarë mënyre ka qenë, si me thënë, një fshat, por që pati filluar faktikisht të kthehej në zonë urbane, në qytet”, thekson Dukagjin Avdyli, i cili më 2013 u zhvendos nga Radafci i Pejës në Fushë-Kosovë. Qyteza e rrafshët është kthyer në mundësi për një jetë të re për mijëra çifte e familje të reja që vijnë nga vendbanime të ndryshme. Ndryshe nga kryeqyteti, këtu çmimet e banesave janë përgjysmë më të lira. Zyrtarisht, Fushë-Kosova ka rreth 35 mijë banorë. Komuna ngulmon se numri është dyfish më i lartë
Vështirë se mund të gjeni ndonjë vendbanim tjetër në Kosovë që pasluftës ka ndryshuar më shumë pamjen se Fushë-Kosova. Rrallëkund të rrokë syri shtëpi banimi përgjatë rrugëve kryesore të qytezës që dikur, më shumë njihej si pikë transiti ndërmjet Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës.
“Në lagjen që i thonë ‘Mihal Grameno’, te rruga ‘Dardania’, unë kur kam ardhur më 2013, praktikisht ka qenë vetëm rendi i parë me ndërtesa dhe rendi i dytë sa pati filluar. Në njëfarë mënyre ka qenë, si me thënë, një fshat, por që pati filluar faktikisht të kthehej në zonë urbane, në qytet”, thekson Dukagjin Avdyli, i cili më 2013 u zhvendos nga Radafci i Pejës në Fushë- Kosovë.
Zhvillimi i madh i ndërtimit nuk ka të ndalur. Sidomos viteve të fundit është kthyer në alternativë banimi e punësimi për qytetarë të vendbanimeve të ndryshme gjithandej vendit. Janë çifte e familje të reja që punojnë në kryeqytet në administratë apo biznese private, por që s’e kanë përballuar dot koston e lartë të patundshmërive. Afërsia me Prishtinën konsiderohet shkaku i bumit të madh të ndërtimeve.
Elhami Emërllahu, profesor i historisë në Ferizaj, u zhvendos po më 2013 nga Vitia në Fushë-Kosovë për të nisur një jetë të re. Ai çdo ditë udhëton për punë nga qyteza që ka ndryshuar krejtësisht pamje krahasuar me një dekadë më parë.
“Arsyeja pse kam ardhur dhe jam vendosur në Fushë-Kosovë ka qenë fillimisht çmimi i mirë i banesave krahasuar me Prishtinën dhe ka qenë e atraktive në atë kohë me ardhë dhe me u vendosë në Fushë-Kosovë”, thotë Emërllahu.
Avdyli, i cili për disa vite me radhë punoi si gazetar, e sfidoi veten në fushën e shitblerjes së patundshmërive në Prishtinë e Fushë-Kosovë.
“Është shumë afër Prishtinës, vetëm dy kilometra e gjysmë dhe çmimi i banesave është përgjysmë më lirë”, thotë Avdyli, i cili në Fushë-Kosovë hapi agjencinë e patundshmërive “Dugi”.
“Durrësi i Kosovës”
Ata jetojnë në lagjen “Dardania”, që është kthyer në një miniqytezë brenda Fushë-Kosovës. Madje, si me humor, qytetarët e kalimtarët thonë prapa kamerave se i referohen me “Durrësi i Kosovës”. Në fakt, rruga kryesore dhe ngjitja e ndërtesave krah për krah ngjason me ndërtimet përgjatë brigjeve detare të qytetit shqiptar.
Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë më 2011, Fushë-Kosova ka rreth 35 mijë banorë. Mirëpo zëdhënësi i Komunës, Ali Topalli, ngulmon se qyteza e tij ka dyfish më shumë banorë, por që gjysma e tyre nuk vazhdojnë të jenë të regjistruar si banorë të qyteteve e fshatrave prej nga kanë ardhur.
Ali Topalli, zëdhënës i Komunës së Fushë-Kosovës, thotë se qyteti i tij duke qenë nyjë e komunikimit – duke përfshirë aeroportin, stacionin më të madh të trenit në vend dhe lidhjet me autostradat – ka ndikuar që të kthehet në vendbanim të ri për shumë qytetarë.
“Mund të them se në periudhën e pasluftës, Fushë-Kosova ka marrë një fizionomi krejt tjetër, do të thotë është shndërruar në një qytet”, thekson Topalli, duke treguar se Fusha-Kosova tek më 1989 u njoh si Komunë.
Në “Dardani” trotuaret janë të zëna me makina të parkuara edhe aty ku ndalohet rreptësisht me shenja. Shoferët shpesh i ndalin edhe në rrugë. Mjaftohen me ndezjen e katër dritave, shenjë se do të kthehen sa të kryejnë punë nëpër dyqanet e kateve të para të ndërtesave.
Ndërtuesit në Fushë-Kosovë i kanë ofertat përgjysmë më të lira. Madje çmimet lirohen edhe më shumë kur e paguani përnjëherë. Komuna krenohet me lehtësimet e kushteve dhe afatin e shpejtë të shqyrtimit të kërkesave për ndërtime të larta.
“Degradim urban”
Avdyli thotë se pos çmimeve përgjysmë më të ulëta se në Prishtinë, ndërtuesit në qytezë kanë lehtësuar procedurat e shitblerjes, duke arritur marrëveshje me bankat për hipotekat e blerësve të rinj.
Opozita kritikon qasjen e Qeverisë lokale të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Durim Hajra është shef i Grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pra në shumë raste, ndërtuesit nuk i kanë respektuar rregullat dhe kriteret, të cilat duhet të respektohen”, thekson Hajra, duke shtuar se përgjegjësia për “degradimin urban” bie te zyrtarët e Komunës.
Ai mendon se Komuna është dashur të kujdesej për zbatimin e kushteve të ndërtimit me qëllim që të mos rrezikohet jeta e banorëve në raste emergjencash.
“Për 10-15 vjet ka ndodhur i gjithë ky ndërtim, pa një planifikim adekuat”, thotë Hajra.
Komplekseve të banimit u mungojnë hapësirat e mjaftueshme publike. Avdyli nga agjencia “Dugi” mendon se Komuna nuk duhet të lëshojë pe para ndërtuesve që mundohen të shfrytëzojnë shumicën absolute të hapësirës për ndërtim.
“Si në Prishtinë, si në Fushë-Kosovë, zonat e reja që janë ndërtuar nuk i kanë ndjekur rregullat e urbanizmit, domethënë po ka pak problem me gjelbërim, ka problem me parkim, mirëpo Komuna, ata që janë ankuar, ata janë fajtorët kryesorë pse ka ndodhur kjo gjë, sepse është dashur të ndiqeshin rregullat urbane”, thekson Avdyli.
Emërllahu, i cili erdhi nga rrethina e Vitisë e vazhdon të punojë në arsim në Ferizaj, thotë se numri i lartë i nxënësve në shkollën fillore të Fushë-Kosovës ndikon negativisht te shkollarët. Edhe ai mendon se duhet të krijohen më shumë hapësira të gjelbra.
“Ndoshta në të ardhmen kanë me ndërmarrë diçka, sepse është jashtëzakonisht keq”, thekson Emërllahu.
Zyrtarët e Komunës thonë se ndihma nga niveli qendror dhe planet komunale bazohen në numrin zyrtar të popullsisë, pavarësisht se bazuar në të dhënat e shërbimeve komunale, llogaritet se në territorin prej 80 kilometrash katrorë jetojnë rreth 70 mijë banorë.
Por me kalimin e viteve, po rritet edhe presioni i qytetarëve të rinj ndaj Qeverisë lokale për shërbime më të mira.
“...sepse lëvizja është vetë jeta”
Emërllahu ka vërejtur edhe ndryshim të qasjes së blerësve të banesave. Një prej shenjave është edhe ngritja e numrit të atyre që shitblerjen po e bëjnë nëpërmjet agjencive të patundshmërive.
“Më është dukur interesant për me kalu atë mënyrën e vjetër të shitblerjes”, thotë Emërllahu.
Komuna njofton se në territorin e Fushë-Kosovës operojnë mbi 1.200 biznese, që kanë shtyrë dhjetëra e mijëra qytetarë të vendeve të ndryshme të migrojnë në këtë qytezë. Afërsia me Prishtinën, një tjetër faktor i këtij zhvillimi të madh.
Zëdhënësi Topalli beson se Fushë-Kosova do të vazhdojë të jetë mundësi zhvillimi për familjet e reja.
“Mundësitë për të punuar janë në Fushë-Kosovë”, thekson ai. “Dhe të rinjtë mund të zgjedhin veprimtaritë e tyre të punës, gjithherë duke i pasur parasysh mundësitë që ua ofron dhe ua lejon institucioni”.
Hajra, shef i Grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Komuna ende mund t’ia japë të mbarën bumit të ndërtimeve.
“Besoj se mund të bëhet më mirë në të ardhmen, nëse ka vullnet të udhëheqjes komunale, e besoj se kjo do të ndryshojë, sepse do të vijnë njerëz me vullnet për të bërë më mirë, sepse në aspektin e ndërtimeve Fushë- Kosova lë shumë për të dëshiruar”, thotë Hajra.
Agjentët e shitblerjes së banesave thonë se qyteza, që më fort duket si një paralagje banimi e zonë industriale në dalje të Prishtinës, vazhdon të joshë qytetarë të vendbanimeve të ndryshme të Kosovës. Janë të veprimtarive e kategorive të ndryshme shoqërore e profesionale.
Rokeri Shefqet Hoxha – Sheki, i cili jeton mes Kosovës e Bullgarisë, ka banesë në Fushë-Kosovë. Gjatë kohës së qëndrimit në vendlindje, në këmbë shkon e vjen nga Prishtina.
“Unë zakonisht eci në këmbë prej banesës sime në lagjen ‘Apollonia’ deri në qytet (Prishtinë,v.j.)”, thotë Sheki përgjatë rrugës, “sepse lëvizja është vetë jeta. Nuk lëvize, nuk jetove!”