Arbëri

Alternativa e zorit

Mamusha, qyteza prej 23.36 kilometrash katrorë ka 300 hektarë serra. Shtrihet 19 kilometra në veri të Prizrenit. Këtu, i madh e i vogël merren me bujqësi

Mjafton t’u hidhni një sy tabelave të kaltra me shkronja të bardha për ta kuptuar se si jetojnë mamushasit. Rruga e “Domates” lidhet me “Bahçelikun” që zgjatet pranë oborrit të ndërtesës së komunës së vetme turke në Kosovë. Rrugët rrihen nga traktorë të llojeve të ndryshme. Dominojnë të kuqtë “Ferguson 039”. Me e pa kabinë. Anash shoferit, ulur në mbrojtëset harkore sipër rrotave të pasme, shtrëngohen fort djem njomakë e të pjekur. Te këmbët kanë ndonjë vegël pune. Shkojnë e vijnë në ara. Ngado që ktheni kokën, syri të rrokë dhjetëra hektarë tokë në serra. Brenda tyre, pikon djersa e familjarëve dhe punëtorëve të zënë me punë të ndryshme.

“Çka me ba tjetër sen djemtë?”

“Në Mamushë janë tetëdhjetë për qind të serrave të Kosovës”, thotë kryetari Abdülhadi Krasniç në zyrën, prej ku shihen serrat që zbardhin fushën gjithandej. “Mamusha prodhon 20 milionë kilogramë domate, 18 milionë kilogramë kastravecë, 25 milionë kilogramë lakra. Krejt furnizohen prej Mamushës. Mamusha prodhon domate tri herë më shumë se mund të hajë Kosova”.

Qyteza prej 23.36 kilometrash katrorë ka 300 hektarë serra. Shtrihet 19 kilometra në veri të Prizrenit. Këtu, i madh e i vogël merren me bujqësi.

Xhemil Krasniç, me profesion teknik, vetëm gjatë viteve 2003-04 ka punuar në spitalin e Prizrenit pasi kreu shkollën e mesme të mjekësisë. Meqë nuk iu vazhdua kontrata, u shtrëngua t’u kthehej punëve të fushës. Sivjet ka kultivuar tre hektarë tokë me perime. Pothuajse një hektar tjetër, serra.

“Kam investu shtatë-tetë mijë euro. Najllon poshtë, najllon nalt, sisteme të ujit, plehra”, thekson Krasniç, ulur në shkallët e një lokali të mbyllur në qoshen e rrugës “Begler” përballë xhamisë. “Ku është puna, ku është mundi. I marr edhe dy-tre punëtorë kur është puna e ranë – djem t’rij 20-24 vjet, për dhjetë euro ditën se s’i marrim me rrogë”.

Ai thotë se puna në bahçe është e rëndë. “Deri në shtator marrim punëtorë e atëherë letohet pak puna”.

“Çka me ba tjetër sen djemtë?” - pyet një burrë në njërën prej serrave përgjatë rrugës “Bahçilek”. I larë në djersë e fytyrëskuqur nga puna, burri refuzon të flasë me justifikimin se “s’i fole, s’i s’fole, kërkush s’po ta ngjet dorën”.

Viti i mbrapshtë

Image
Xhemil Krasniç, me profesion teknik, vetëm gjatë viteve 2003-04 ka punuar në spitalin e Prizrenit pasi kreu shkollën e mesme të mjekësisë. Meqë nuk iu vazhdua kontrata, u shtrëngua t’u kthehej punëve të fushës. Sivjet ka kultivuar tre hektarë tokë me perime. Pothuajse një hektar tjetër, serra

Në fund të arës, djemtë vazhdojnë punën nëpër lakrishtë. Bujqësia është burimi kryesor i ekonomive familjare të Mamushës. “Rinia, shumica po punojnë në bujqësi, serra, mandej po shkojnë në kafene, grupe-grupe, po ulen diku e kësi sene”, thotë kryetari në zyrë.

Xhemil Krasniç, i cili shpreson se një ditë do të punësohet në ambulantën lokale, ankohet para sahatkullës mesditën e së premtes së fundit të Ramazanit se pandemia ka ndikuar negativisht në shitjen e produkteve. Ndryshe prej viteve të kaluara, kur kilogrami i lakrës shkonte deri në tetëdhjetë centë tregjeve të Kosovës, sivjet çmimi ka rënë nën dhjetë centë.

“Ka rënë për shkak të COVID-it. E kjo na bën telashe për kthimin e kredive, veresive në barnatore bujqësore, që thashë, këto janë telashe”, thotë kryetari Krasniç.

Këto sfida i konfirmojnë edhe shumë fermerë të fshatit. Xhemil Krasniç nuk e di se si do t’ia bëjë me kthimin e borxheve për plehrat artificiale, sistemet e ujitjes dhe të najlonit. “Një mijë euro bahet najlloni për dhjetë ari. Unë i kam nëntëdhjetë ari që janë dëmtuar nga breshni. Nantë mijë euro”, thekson ai.

Në uebfaqen e Komunës është nxjerrë një fotografi e kokrrave të breshrit. Është matur më e madhja. Diametri, pothuajse shtatë centimetra. “Kokrra sa grushti”, thotë shoku i Xhemil Krasniç.

Kryetari në zyrë - të cilit intervistën ndërkohë ia ndërpret drejtori i Financave, Türker Mazreku, 27 vjeç, i cili ia kërkon nënshkrimin për formatin e aplikacionit për subvencionimin e bujqve të dëmtuar – thotë se vlerësimet fillestare tregojnë se dëmet mund të kapin vlerën prej 3.5 milionë eurosh. Ai shpreson se do të ketë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë. Ai tregon se tri qendrat lokale të grumbullimit të kulturave bujqësore kanë eksportuar në Austri, Suedi e Gjermani. Sivjet, po shpresohet se do të lidhen kontrata edhe me kompani sllovene. Rinia, me e pa fakultet, merr përsipër barrën më të madhe të punës në fusha.

Depo tregtare

“Bujqësi dhe tregti, dhe pasi që nuk kanë zgjidhje tjetër, burim ekonomik është bujqësia”, thekson Gülhan Krüezi, përgjegjës për shërbime të kulturës në komunë. “Disa prej tyre, ky profesioni iu ka mbetur edhe si trashëgimi prej baballarëve dhe babagjyshërve”, thekson ai, teksa herë pas here mundohet të flasë edhe shqip. “E kanë traditë”, e plotëson shqiptarja Besire Dulaku, përkthyese zyrtare në Komunë.

“Por, që thashë, tetëdhjetë për qind e Mamushës punon në bujqësi, njëzet për qind në tregti”, thotë Krasniç. Fshati-qytezë ka rreth gjashtë mijë banorë rezidentë dhe rreth katër mijë të tjerë që kanë migruar në Turqi. Mamushasit martohen në fshat. “Shqiptarët nuk po na japin nuse se po thonë jeni turq”, qeshet Krasniç te udhëkryqi i rrugëve para xhamisë e “Parkut të Ankarasë”.

Në uebfaqen e Zyrës për Çështje të Komuniteteve (ZÇK) pranë Zyrës së kryeministrit të Kosovës bëhet e ditur se në vend jetojnë 19 mijë pjesëtarë të komunitetit turk. “Për shkak të mungesës së statistikave të besueshme, të dhënat demografike mbi turqit kosovarë kanë qenë objekt diskutimi dhe shtrembërimi, dhe duhet trajtuar me maturi. Numri i pjesëtarëve të komunitetit turk llogaritet të jetë rreth 1% të numrit të gjithëmbarshëm të popullsisë së Kosovës, gjë që përputhet me rreth 19.000 persona”, shkruan aty.

E në pjesën për “Kulturën dhe fenë”, thuhet se “në Kosovë ka pasur një numër të madh pjesëtarësh të komunitetit turk qysh prej pushtimit osman të saj, në shekullin e katërmbëdhjetë. Në përgjithësi, ky komunitet ka qenë i qëndrueshëm, i integruar në shoqërinë kosovare dhe aktiv në të gjitha aspektet e jetës kulturore, sociale dhe politike”.

Lidhjet e forta me shtetin prej mbi tetëdhjetë milionë banorësh ishin kthyer në mundësi zhvillimi për fshatin në vitet nëntëdhjetë. Sidomos për tregtimin e pjesëve të ndryshme të makinave. “Mamusha ka qenë depo e furnizimit me autopjesë. E ka furnizuar edhe Kroacinë, Bosnjën, Serbinë e Malin e Zi”, rikujton kryetari.

Një pjesë goxha e theksuar – rreth 20 për qind sikur thotë ai – kanë vazhduar të punojnë në këtë sektor. Nëpër rrugët e Mamushës, shumë burra qëndrojnë para depove të pjesëve të ndryshme. Njëri prej tyre, pa dashur të flasë me emër, thotë se krahasuar me vitet nëntëdhjetë, “puna ka ra me të madhe, ama hala ia vlen m’u marr me të”.

“Sidomos, në katër-pesë vjetët e fundit kanë humbur atë qendrën e depos”, thekson Krasniç, duke analizuar shkaqet e rënies së madhe në Kosovën e çliruar. “Domethënë, nuk kanë punuar me logjikë, si me thanë: ‘Ti me çka po punon? Hajt se po punoj edhe unë me pjesë. Sa po japësh? Unë pe japi për pesëdhjetë. Unë po ta japi për katërdhjetë’. Ai tjetri për tridhjetë. Janë shtyrë. Pa logjikë, në vend se njëri me marr përfaqësimin e ‘Audis’, tjetri të traktorit, e kështu me radhë, e krejt me pas punë”.

Dhe fitimi i madh për një kohë të shkurtër do të joshte edhe ata që deri atëherë ishin marrë me kultivimin e kulturave bujqësore. “Më parë e ka shit një kamion me lakra dhe ka fitu treqind marka. A me një pjesë të kerrit, i ka fitu pesëqind marka dhe u habitën kejt, piuu”, thekson Krasniç, duke vërshëllyer për të demonstruar habinë e qytetarëve me mamushasit që po ia kthenin shpinën tokës për t’u marrë me mallra të tregtuara nga Turqia.

Mundësitë e studimit

Edhe sot është e vështirë të gjesh ndonjë mamushas që nuk ka lidhje farefisnore me Turqinë. Gjithsecili ka ndonjë vëlla, motër, teze, hallë, axhë apo dajë në shtetin turk. Ose edhe ka studiuar atje. Vetë kryetari Krasniç pasi kishte lënë në gjysmë studimet në mjekësi më 1998 në Universitetin e Prishtinës, do të vazhdonte ekonominë në Bursa. Ai do të kthehej në vitin 2004. Thotë se shteti turk u ndan bursa turqve dhe të tjerëve jashtë kufijve të Turqisë me qëllim që të shkollohen dhe të kthehen për të kontribuar në vendlindje. Ai ishte kthyer më 2004 dhe për tre vjet e gjysmë kishte punuar në qendrën tregtare “Ben-af” në Prizren e Ferizaj. “... edhe jam pak luftëtar si natyrë, nuk tërhiqem kollaj-kollaj”.

Megjithëse në Turqi kishte më shumë mundësi punësimi, Dulaku, përkthyesja shqiptare e Komunës, kishte ndarë mendjen të kthehej në Kosovë. Në Izmir mësoi turqishten standarde dhe anglishten (turqit në Kosovë flasin një dialekt lokal të turqishtes, por zakonisht flasin edhe shqipen dhe serbishten, thuhet në përshkrimin e përmbledhur në uebfaqen e ZÇK-së.) Me t’u kthyer në Mamushë, Dulaku u punësua si përkthyese në Komunë më 2012. “Kulturën, Mamusha dhe Turqia e kanë pak a shumë të njëjtë, veçse Turqia është e pasur shumë me ushqime”, thekson Dulaku.

Krüezi, zyrtari për Kulturë, thotë se turqit ishin mahnitur me traditat dhe pasurinë kulturore të Mamushës të demonstruar gjatë vizitës së nxënësve të fshatit në shtetin që lidh Evropën dhe Azinë. “Mamusha është shumë e pasur me adete, zakone, lojëra popullore. Meqë nuk po mund t’i shfaqim, edhe kjo është arsye pse njihen shumë pak”, thekson ai, duke treguar se shkolla lokale organizon kurse të shqipes, anglishtes dhe turqishtes. Krüezi thotë se po punohet edhe për kurse të shahut e teatrit. Por thotë se ndërtimi i një shtëpie kulture do t’i lehtësonte aktivitetet kulturore.

“Duhet ma shumë merak”

Kryetari Krasniç mendon se duhet të ketë edhe më shumë merak në mesin e të rinjve mamushas. “Kur nuk kemi qenë komunë, kemi pasur Mamusha Sportin që ka garuar në Ligën e dytë të Kosovës në basketboll. Tash nuk kemi ekip as në futboll, as në basketboll”, thekson ai, duke kujtuar kohën kur komuniteti qëndronte më mirë financiarisht dhe fuste më lehtë dorën në xhep kur kërkoheshin fonde për aktivitetet kulturore e sportive. Krasniç shpreh keqardhje që nuk mund t’u gjenden vende pune dhjetëra mamushave të diplomuar në fakultete të ndryshme në Turqi. Disa sosh, kanë ngelur e janë martuar në Turqi. Megjithatë, thotë se “papunësia në Mamushë nuk është shumë e lartë, sepse bujqësia po lyp njerëz, dhe sa më shumë njerëz, aq më shumë po punohet”.

“Informatat mbi normën e papunësisë brenda komunitetit turk janë të pakta, ndoshta për shkak se shpesh nuk bëhet dallimi në mes të shifrave të turqve dhe shqiptarëve. Në ato komuna për të cilat ka informata, shifrat ndryshojnë mjaft shumë, nga shifra jashtëzakonisht e ulët prej 35% (Prishtinë) deri te ato standarde që sillen nga 70% (Mitrovicë) në 90% (Ferizaj)”, bën të ditur Zyra për Çështje të Komuniteteve, duke radhitur problemet kryesore me të cilat përballen turqit e Kosovës: mungesa e kualifikimeve; mungesa e informatave mbi mundësitë për punësim; problemet gjuhësore; dhe gjendja e varfër e ekonomisë në tërësi.

“Komunat me një numër më të madh pjesëtarësh të komunitetit turk ofrojnë pak arsimim publik në turqisht (Gjilan, Mitrovicë, Prizren). Megjithatë, në disa komuna, kjo ofrohet vetëm në nivelin fillor (Mitrovicë), ndërsa në të tjerat është vënë re si problematike cilësia e dobët e arsimimit të mesëm (Prizren)”, thuhet në të dhënat zyrtare qeveritare.
Po aty shkruan se në përgjithësi, problemet kryesore me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit sa i përket qasjes në arsim janë: pamjaftueshmëria e teksteve shkollore cilësore; mungesa e transportit adekuat; dhe infrastruktura e dobët arsimore. Në shkollën e Mamushës mësohet ndaras shqip e turqisht.

Kryetari Krasniç nuk pajtohet me logjikën e atyre që mendojnë se pas diplomimit, prioritet duhet të jetë puna e shtetit. “Nuk është pa mundësi, por nuk po duan të punojnë për tre-katërqind euro”, thekson ai, duke thënë se shumëkush po mendon se në shtetet perëndimore – ku viteve të fundit kanë nisur të shkojnë edhe disa qytetarë të tij – punëtorët zgjohen “në katër a pesë të mëngjesit dhe punojnë tetë a dhjetë orë me minuta”.

“Me u çu këtu me mbjellë bahçe, çkado që e mbjellësh, me punu me qat orar si atje, këtu fiton më shumë”, thotë ai. “Çdo punë që do me punu, duhet me punu përnjëmend”.

Në hije në shkallët e lokalit të mbyllur para xhamisë e pranë shtyllës së rrugës “Begler”, Xhemil Krasniç ende nuk e di nëse do t’ia dalë të sigurojë mbështetjen e Komunës e shtetit për dëmet e breshrit. Përkundër të gjitha vështirësive, do të vazhdojë ta punojë tokën. Ama, gjithnjë me shpresë se një ditë, si teknik do t’u shërbejë bashkëqytetarëve në ambulantën e Mamushës.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Rexhep Malokut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së).