Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Libur Aliu, nuk ka pranuar të komentojë kur është pyetur nëse ishte në dijeni për veprimet e dy zyrtarëve të arrestuar të dyshuar për korrupsion në ministrinë që drejton. E për hetimet e nisura ndaj tij tha se nuk është i njoftuar zyrtarisht
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu, nuk ka pranuar të mërkurën që të flasë në lidhje me hetimet e nisura ndaj tij për korrupsion.
Në insistimin e gazetarëve për këtë çështje dhe për dyshimet për korrupsion brenda ministrisë që drejton, Aliu dha një arsyetim pse nuk dëshiron të komentojë.
“Në momentin që do të kemi sqarim të plotë dhe mundësinë që unë të bëj deklarimet, me kënaqësinë më të madhe do të deklaroj. Në këtë situatë, përderisa potencialisht ka hetim për mua, por zyrtarisht nuk e kam dhe nuk e di cili do të jetë, do të duhej të ishte pozicionimi im tash në deklarimin tim se mund të ndikohet gjithsesi, nuk mundem të deklarohem pa u sqaru kjo çështje”, ka thënë ai në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë.
Teksa Aliu është përfshirë në hetime, ndaj dy zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Mjedisit është caktuar masa e sigurisë në fillim të këtij muaji.
Ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore, Naser Hajrizi, i është caktuar një muaj paraburgim, derisa ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministri të Mjedisit, Izedin Bytyqi, një muaj arrest shtëpiak.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje për abuzimin konkret që dyshohet të jetë bërë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, por është raportuar se bëhet fjalë për falje të borxhit shumëmilionësh të ambalazhuesve të ujit.
Sipas Prokurorisë, Bytyqi dyshohet se ka kryer veprat penale: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kurse Hajrizi dyshohet se ka kryer veprat: “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.
Gjatë bastisjes në Ministri, policia ka sekuestruar edhe disa prova, përfshirë armë e dokumente.
“Një revole e tipit Mauser-Werkr me dy karikatorë me nga shtatë fishekë dhe një kuti me pesëdhjetë e katër fishekë 9 mm, tridhjetë e katër fletëdokumente të ndryshme, tre telefona, një Iphone 15 ProMax, një Iphone 12 ProMax, një Iphone 11 ProMax, shtatëmbëdhjetë USB, tre laptopë HP, katër shtëpiza kompjuteri, si dhe dokumente të rëndësishme për procedurën hetimore”, është thënë në njoftimin e Prokurorisë Speciale, ditën kur ka ndodhur bastisja në Ministri.
Organi i akuzës ka vënë llupën edhe mbi disa tenderë të Ministrisë, përfshirë atë për një nga “lotet” e rrugës Prishtinë-Podujevë.
Pos për dyshimet për korrupsion, ministri Aliu ka hezituar të flasë edhe për datat në lidhje me dy projekte të mëdha infrastrukturore – rrugën për Gjilan dhe atë për Gjakovë.
“Këto dy projekte janë të trashëguara me probleme, edhe të kontraktuara qysh atëherë, por ka një progres të madh sidomos te autostrada e Gjilanit në krahasim me atë të Gjakovës. Mendoj që ka një progres të madh, por s’muj me ju dhanë datë. Kur e kemi dhënë, kur iu është dhënë asokohe premtimi ose data që do të kryhet në vitin e kaluar, ka qenë një gabim për shkak se as për së afërmi nuk ka qenë realisht gati”, ka thënë Aliu.
Qeveria Kurti është kritikuar për mungesë investimesh në projekte kapitale dhe për dinamikë të ulët në punimet e projekteve që kishin nisur para se të niste punën kabineti aktual qeverisës.