Regjistrimi i popullsisë

Aliu: Qytetarët s’kanë qenë të informuar mjaftueshëm

Nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se ka probleme fillestare me procesin e regjistrimit të popullsisë. Ndër to, sipas tij, është edhe mosinformimi i mjaftueshëm për qytetarët.

Më 5 prill [sot] ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovës. Megjithatë, në takimin që kryeministri Albin Kurti pati me kryetarët e komunave pati vërejtje të shumta nga udhëheqësit komunalë. Madje, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci kërkoi që ky proces të shtyhej edhe për dy javë.

Probleme me këtë proces po ka edhe në Ferizaj, sipas nënkryetarit Aliu. Thotë se mosinformimi i duhur për qytetarët po krijon huti.

“Qytetarët nuk janë të informuar mjaftueshëm. Qytetarët nuk janë të informuar me faktin kryesor, që regjistrimi është obligim dhe t’i shpjegohet se çka është banori rezident. Jo të gjithë e dinë se çka do të thotë banori rezident. Kur procesi nuk shpjegohet, krijohet huti”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.

Aliu udhëheq komisionin komunal për regjistrimin e popullsisë në Ferizaj. Ka thënë se regjistruesit sot kanë pranuar mesazh që deri të hënën nuk u lejohet të përdorin ‘iPadin’. Por si udhëheqës i komisionit, Aliu është shprehur se nuk ka pranuar mesazh të tillë.

“Krejt kjo po ndodh për shkak të moskomunikimit. Paramendoni, unë si udhëheqës komunal për këtë proces nuk e kam marrë mesazhin që deri të hënën nuk lejohet që regjistruesit ta përdorin ‘ipadin’ për regjistrim të popullsisë. Në disa komuna, veçse kanë filluar, por sistemi nuk i ka regjistruar. Kjo ka bërë të kemi telashe. Regjistrimi i popullsisë është interes shtetëror, jo komunal”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se me probleme të njëjta po përballen edhe komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, edhe pse në mbledhjen e sotme, këto komuna nuk raportuan për telashe – ndryshe nga ato që drejtohen nga opozita.

“Ky mesazh i Etnit të Statistikave për ‘iPad’ i është nisur të gjitha komunave. Pra, ne kemi informacionet se ka probleme edhe në Gjilan”, ka theksuar Aliu.

Aliu nuk e kupton se pse Qeveria po kursen para për këtë proces që ai e konsideron si më të rëndësishmin për shtetin.

“Për 4-5 ditë, 30 regjistrues e kanë lënë punën. Nuk u paguhet ushqimi, nuk sigurohen mjetet. Pse janë kursyer paratë në këtë proces që është më i rëndësishmi për shtetin. Nuk është dashur të ndalet dora për këtë proces nga Qeveria. Krejt në kuadër të asaj politike populiste, që duhet kursyer etj. Arsyetime që janë banale”, ka deklaruar nënkryetari i Ferizajt.

Ai ka thënë se pret që Ferizaj të ketë rritje të popullsisë dhe të renditet si qyteti i tretë me më së shumti banorë në Kosovë.