Arbëri

Aliu: Qeveria është dashur t’i rrisë pagat për 40 për qind

Florin Aliu

Ekonomisti Florin Aliu ka thënë se Qeveria është dashur t’i rrisë pagat në sektorin publik për së paku 40 për qind. Aliu ka thënë se mijëra studime kanë dëshmuar se motivimi për punë vjen nga paga. 

“Jemi vendi më i varfër në bazë të ardhurave për kokë banori. Ka varfëri e papunësi më të madhe. Qeveria ka mundur t’i rrisë pagat. Pagat është dashur të rriten për 40 për qind pa asnjë diskutim. Po të ishte nevoja do të duhej rritur edhe borxhi publik...Pagat është dashur të rriten, pasi motivimi për punë vjen prej pagës, ka mijëra studime për këtë”, ka thënë Aliu. 

Aliu për “Interaktiv” të KTV-së ka thënë se një rritje prej 3 për qind e ekonomisë nuk e ul papunësinë në Kosovë. 

“Me këtë ritëm të rritjes ekonomike prej 3 për qind, jo vetëm në Kosovë  por edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, nuk ulet papunësia. Hyrjet në tregun e punës janë shumë më të mëdha sesa gjeneron rritja ekonomike”, ka thënë Aliu. 

Aliu ka thënë se është problematike që Kosova renditet vetëm prapa Ukrainës, së zhytur në luftë, për varfëri për kokë banori. 

“Shtrohet pyetja si është e mundur. Moldavia ishte prapa nesh. Çfarë ka ndodhur? Cila është situata? Duhen sqarime të vijnë nga ata njerëz që marrin vendime”, ka thënë Aliu. 


Aliu: Kabineti qeveritar i Kurtit i dobët

Ekonomisti Florin Aliu e ka vlerësuar si të dobët kabinetin qeveritar të kryeministrit Albin Kurti. 

Aliu ka thënë se me përjashtim të ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe atij të Bujqësisë, Faton Peci, ministrat e tjerë kanë performuar dobët. 

“Mendoj se kryeministri do të kishte shumë më tepër sukses, por kabineti qeveritar i tij është i dobët. E ka të dobët, do të duhej rifreskimi i kabinetit. Nuk ka asgjë të keqe, nuk ka pse të preket ndokush. Dy vjet ministër është privilegj. Por, këta politikën po e marrin si profesion, mirëpo unë e shoh si mision që ja ke caktuar vetes. Në opozitë këta kishin ide më të qarta...Mund të veçoja dy ministra që kanë performuar apo kanë kapacitete për të performuar mirë. Është ministri i Financave dhe ai i Bujqësisë. Këta të dy kanë qenë më të artikuluar dhe më të hapur”, ka thënë Aliu në “Interaktiv” të KTV-së. 

Ai ka thënë se është gabuar shumë që janë ndaluar investimet në infrastrukturë, pasi ato janë çelësi i zhvillimit. E për Trepçën, Aliu ka thënë se duhen dy miliardë euro për t’u revitalizuar. 

Aliu ka thënë se nëse Albin Kurti i fiton zgjedhjet më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, atëherë duhet të vijë me ekip tjetër. 

“Nëse i fiton zgjedhjet ardhshme, e sondazhet po e qesin se i fiton, atëherë duhet të vijë me ekip tjetër, shumë më të përgatitur”, ka thënë Aliu.