Profesori i tregjeve financiare në Institutin për Teknologji dhe Biznes në Çeki, Florim Aliu, ka deklaruar se nuk i beson rezultateve të dobëta që paraqiten në testin PISA kur bëhet fjalë për shkollat në Kosovë.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Aliu ka thënë se shqiptarët janë shumë të talentuar.
Sipas tij, nevojitet reformë e thellë në sistemin e arsimit në vend dhe të financohet më shumë shkenca.
“Nuk pajtohem me atë (rezultatet e dobëta të testit PISA). Inteligjenca dhe talenti janë dy gjëra të ndryshme. Mendoj se shqiptarët janë popull shumë i talentuar, gjë që është shumë me rëndësi për ditët e sotme, shumë më shpejt i kapin problemet. Nuk besoj se ka dështuar sistemi, aty ka nevojë për reforma. Unë i jap mësim edhe të huajve edhe shqiptarëve dhe e di sa kanë talent shqiptarët dhe të huajt. Nuk është gjendja ashtu, aty ka nevojë për një reformë më të thellë, të financohet më shumë shkenca”, ka thënë ai.
Gërxhaliu: Diaspora s'ka investuar në Kosovë për shkak të korrupsionit e burokracisë
Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se diaspora nuk ka investuar në Kosovë për shkak të korrupsionit dhe burokracisë.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Gërxhaliu ka thënë se zhgënjimi për shkak të këtyre dukurive negative ka bërë që diaspora të largohet sa i përket investimeve.
“Paraja e diasporës në Kosovë duhet të jetë në funksion të zhvillimit, të prodhimit, në funksion të edukimit, të transferit të teknologjisë moderne dhe në këtë drejtim të krijohet një percepsion. Mirëpo, nuk zgjidhen këto probleme pa reforma interne. Çdoherë diaspora ka qenë e interesuar për të investuar, por zhgënjimi, ballafaqimi me korrupsion, me burokraci dhe me dukuri negative e ka larguar diasporën për t’u mos u kthyer me investime. Fati i Kosovës është që sektori privat ka bërë hapa shumë më të avancuar se politika dhe kemi një diasporë që e tregon dashurinë ndaj Kosovës përkundër të gjitha këtyre sfidave dhe politizimit kaq të madh që e ka kapluar Kosovën. Por, nuk duhet të jemi të orientuar vetëm në ndihmat nga diaspora, por të krijojmë platformë zhvillimore që do të jetë në funksion të ardhmërisë”, është shprehur ai.
Bajra: Për t'u zvogëluar papunësia me 8% siç pretendohet, rritja ekonomike duhet të jetë 16%
Profesori Ujkan Bajra ka thënë se për t’u zvogëluar papunësia në 8 për qind siç pretendohet, rritja ekonomike duhet të jetë 16 për qind.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Bajra ka thënë se për të rënë papunësia në përqindjen e pretenduar, duhet të ketë rritje ekonomike për dyfish të saj.
“Nëse ka rënë papunësia prej vitit 2022, me 8.3 për qind, për të rënë papunësia me 8.3 për qind ne duhet të kemi të paktën një rritje ekonomike dyfishin e saj. Në kuptimin teorik, por edhe sipas matjeve empirike, nëse punësimi rritjet 10 për qind ose zvogëlohet me 10 për qind papunësia, i bie që Kosova ka 20 për qind rritje ekonomike. Në kuptimin e kësaj, këto nuk qëndrojnë. I kam kalkuluar këto. Rritja e GTP-së ose Bruto Produktit supozohet të jetë 16.6 për qind, pra rritje ekonomike duhet të ketë 16.6 për qind për të garantuar një ulje të papunësisë në 8 për qind. Nëse e marrim dhe e shikojmë prej prizmit profesional, shifrat nuk përputhen”, ka thënë ai.