Arbëri

Aliu në konferencë njofton për nënshkrimin e kontratës së re për ndërtimin e rrugës Fshati i Ri-Ferizaj

Liburn Aliu

Foto: Alban Bujari

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se kanë nënshkruar kontratë të re me kompaninë “Salillar” nga Shqipëria për ndërtimin e rrugës Fshati i Ri-Ferizaj.

Në një konferencë për media, Aliu ka thënë se janë detyruar që ta shkëpusin kontratën me operatorin italian për shkak të zvarritjeve së punimeve.

“Ky është një projekt që ka vite që ka qenë duke u zvarritur dhe që nga viti 2012 me kredi nga BERZHI e cila është përzgjedhur një kompani italiane, por që kompania në fjalë ka zvarritur punimet dhe në vitin e kaluar e kemi shkëputur kontratën dhe tashmë me të njëjtën shumë kreditore kemi nënshkruar kontratën me kompaninë nga Shqipëria, ‘Salillar’. Bëhet fjalë për rrugën nga Fshati i Ri në magjistralen Ferizaj-Prishtinë deri te kryqëzimi gjashtë kolometërshe. Kompania ka dhënë afat se kjo rrugë do të ndërtohet për një vit. Kostoja e ndërtimit të kësaj rruge është 16 milionë euro në gjatësi me mbi gjashtë kilometërshe”, u shpreh Aliu.

Ai në këtë konferencë ka folur edhe për autostradën Prishtinë-Gjilan.

Aliu ka thënë se në këtë autostradë ka pasur shumë vonesa për shkak të shembjeve të dheut dhe shpronësimeve.

“Në konferencën e kaluar në deklaratën time se ‘po përtoj të flasë për autostradën Prishtinë-Gjilan’ një arsyetim të gjatë e kam dhënë atë ditë. Po ju them edhe sot se më shumë angazhim kam pasur në këtë rrugë dhe ky ka qenë viti në të cilin janë kryer më shumë punë për shkak se aty kanë ndodhur shumë befasi. Nga marsi i këtij viti hapja e trasesë tashmë është kryer dhe unë besoj se po shkon mirë. Është projekt që ka pasur shumë befasi”, ka thënë Aliu.

Ai ka theksuar se nuk ka pasur studim të duhur për shkak të shpronësimit e shembjeve të dheut.

“Uroj të mos na dalin befasi të reja, dhe punimet të kryhen me intensitet të duhur”, ka thënë Aliu./EO