Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se shumica e projekteve të mëdha infrastrukturore që janë duke u punuar nuk janë nisur në mandatin e Qeverisë Kurti, “përpos segmentit nga Lluzhani në drejtim të Prishtinës”.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Aliu ka thënë se të enjten po “punohet me intensitet të shpejtë” për rrugën Prishtinë-Podujevë, ndërsa ka thënë se për rrugën Prishtinë-Gjilan nuk është i kënaqur aq sa me rrugën për Podujevë, “edhe pse ka përshpejtim të intensitetit”. Ai ka thënë se po punohet me intensitet edhe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, për të cilën ka thënë se deri në Vushtrri rruga ka afat një vit që të kryhet. Një vit afat ka edhe për rrugën që lidh kryeqytetin me Podujevën.
Aliu është ankuar në procedurat e tenderëve duke thënë se “është më problematikja”.
Duke komentuar rrugët e nisura vite më parë, Aliu ka thënë se “nuk ka asnjë projekt që ka filluar me Qeverinë tonë dhe është në fund të punës, pos atij të Podujevës”.
Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale për intervistim për zëvendësministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, Aliu ka thënë se s’mund të japë hollësi, pos që kallëzimi penal është nga një prej kompanitë që s’e ka fituar tenderin.
Ai ka thënë se edhe projekti “i Mitrovicës ka qenë i zvarritur dhe është dashur të rifillohet si kontratë”, ndërsa “projekti i Pejës është ndryshuar krejt nga origjinali që ka qenë”.
Si projekt që do të nisë shpejt, Aliu ka përmendur “rrugën Gjilan-Dheu i Bardhë” e më pas edhe lidhjen e dy autostradave ekzistuese në Kosovë, nga Qafa e Duhlës në Banullë për të lidhur rrugën nga Shqipëria me atë për Bujanoc.
Ka thënë se është në projektim e sipër edhe rruga që lidh Prizrenin me Istogun, ndërsa për atë Prizren-Tetovë është hapur tenderi.
Sipas Aliut, intensiteti i punëve tani s’ka të bëjë me fundin e mandatit.
“Vendosja e një standardi është shumë më e rëndësishme sesa fillimi i një projekti”, ka thënë ai.
Aliu ka thënë se hetime e auditime janë të nevojshme për ministrinë që ai udhëheq “sepse ka punë me miliona”.
“Përherë duhet të auditohen e kontrollohen, e të ketë bashkëpunim sidomos me organet e drejtësisë”.
Për borxhin ndaj ambalazhuesve të ujit, ministri Aliu ka thënë se “s’ka vendim të faljes”. Ai ka thënë se në udhëzim administrativ “përcaktohet që të bëhet pagesë për litrat e ujit të shitur” dhe “jo sa është kapaciteti maksimal”. Ai ka pranuar se palët duhet t’i raportojnë vetë vlerat e në bazë të tyre të përcaktohet shuma e pagesës.
Aliu ka thënë se po ndërtohet sistem edhe për çështjen e hidrocentraleve. Sipas tij, askush s’ka pse të ankohet për këtë çështje. Ai ka thënë se gjendja e lumenjve s’është e mirë, por ka shtuar se duhet të bëhet monitorim edhe më i madh.
Ministri Aliu ka thënë se moratoriumi për gurthyes të rinj ka dhënë rezultat “që të mos hapen të reja”. Ai ka thënë se tash do të merren me çështjen e shfrytëzimit të materialeve që nxirren dhe edhe me ndërtimet ilegale brenda parqeve nacionale.