Arbëri

Aliu e akuzon Qeverinë për bllokim të rritjes së kapacitetit prodhues të rrymës në Ferizaj

Nënkryetari i komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, e ka akuzuar Qeverinë për bllokim të rritjes së kapacitetit prodhues të energjisë elektrike, teksa ka thënë se njëkohësisht stimulon e financon shpenzimin me anë të subvencionimit. 

Derisa ka folur për krizën energjetike të ditëve të fundit në këtë komunë, Aliu ka thënë se po kërkohet trajtim i njëjtë, pasi në disa komuna tjera nuk ka fare reduktime të rrymës.

“Qeveria tash e tri vjet nuk e ka dhënë asnjë leje për prodhim të energjisë elektrike. E ka bllokuar total. Në njërën anë, ka stimuluar shpenzim, ka financuar shpenzimin, në anën tjetër e ka bllokuar rritjen e kapacitetit prodhues. Ky problem nuk zgjidhet. Po kërkojmë trajtim të njëjtë, është e padrejtë të ketë reduktime të rrymës për 12-13 orë në Ferizaj, ndërsa në Prishtinë vetëm gjysmë ore. Shumica e veprimeve që po i bën kjo qeveri është që ta dëshpërojnë qytetarin, në mënyrë që më pas këtë dëshpërim qytetarët ta shprehin te komuna”, ka thënë ai. 

Aliu ka shtuar se problemin e sheh te KOSTT-i, megjithatë ka shprehur dyshimet e tij nëse është i qëllimshëm apo jo. 

“Gjatë komunikimit me KEDS-in jozyrtarisht, përgjigja e vetme është që ka mbingarkesë. Mirëpo, kjo mbingarkesë nuk ka pikur sot prej qiellit, nuk ka ndodhur këto dy ditë, Ferizaj është prej qyteteve më të zhvilluara dhe parapërgatitjet është dashur të bëhen shumë më herët në qoftë se është ngarkesa apo shpenzimi si problem. Qeveria që dy vjet së paku, bën ftesë ndaj qytetarëve që të bëjnë ndërrimin e instalimeve për ngrohje. Pra, ka subvencionuar në këtë drejtim, qytetarët janë nxitur që të gjitha pajisjet tjera të ngrohjes me dru, pelet e të ngjashme, të zëvendësohen me pajisje që shpenzojnë më pak. Numri i atyre që i kanë bërë ndërrimet për ngrohje është shumë i madh, këtu është pasoja. Problemi në Ferizaj a është politik, a është i qëllimshëm apo jo, a është për shkak të mosveprimit, mospërgjegjësisë së organeve, në këtë rast të KOSTT-it, mendoj se aty është”, ka thënë ai.