Arbëri

Alija: Tërheqja e Emmersonit nga mbrojtja e Veselit do të ketë ndikim negativ

Amer Alija

Avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka thënë se tërheqja e avokatit të Kadri Veselit, Ben Emmerson, do të ketë ndikim negativ në mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale në Hagë. 
Në Speciale u njoftua pak ditë më parë se Emmerson është larguar nga mbrojtja e Veselit, pas siç është thënë “një prishje të parevokueshme në marrëdhënien avokat-klient”.

“Sigurisht se largimi i Emmersonit do të ketë ndikim negativ në mbrojtjen jo vetëm të Veselit por edhe të tjerëve. Katërshja e akuzuar bashkërisht kanë ndërtuar një strategji. Ne e dimë ekspertizën e përvojën e Emmersonit që shumë mirë e njeh kontekstin e luftës, shumë mirë e njeh hierarkinë komanduese e strukturat e UÇK-së, pasi i njëjti ishte angazhuar edhe në rastet e mëhershme pranë Tribunalit të Hagës. Largimi i tij është mungesë e madhe për mbrojtjen e Veselit dhe të tjerëve”, ka thënë Alija në “60 Minuta” të KTV-së. 

Alija ka thënë se do të ishte mjaft e rëndë nëse vazhdojnë të largohen avokatët e të akuzuarve në Hagë. 

“Kur është faza më e ndjeshme nëse vazhdojnë të japin avokatët me përvojë të madhe dorëheqje, atëherë do të ketë ndikim jo të mirë te mbrojtja”, tha Alija. 
Alija ka folur edhe për stërzgjatjen e procesit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krsaniqit. 
Ai ka thënë se me ritmin aktual duhet së paku edhe dy vjet vetëm për t’u dëgjuar dëshmitarët e Prokurorisë. 
Alija ka bërë një krahasim me rastin ndaj Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës. 

“Nëse e krahasojmë procesin kundër Thaçit me rastin e Millosheviqit që filloi diku më 2002 e diku më 2006 ishte nga fundi i procesit. Millosheviqi po gjykohej për tri lufta, dhe në Tribunalin e Hagës procedura shkoi në shpejt. Krahasuar në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ata po gjykohen vetëm për luftën në Kosovë. Kemi ritëm më të ngadalshëm të administrimit të provave e dëgjimit të dëshmitarëve”, ka thënë Alija. 

Sa i përket pretendimeve të mbrojtjes për përgjim të bisedave, Alija ka thënë se gjykatësi ka njoftuar sot se nuk ka pasur autorizim për monitorim të bisedave mes klientëve e avokatëve dhe se nuk janë të sakta pretendimet. 

Alija ka thënë se bisedat mes të akuzuarve dhe avokatëve nuk guxojnë të monitorohen nga administrata, porse ato mes të akuzuarve dhe familjarëve të tyre mund të monitorohen nga rreziku i ndarjes së informatave me palët e treta. Ai ka thënë se një rast i tillë ishte vitin e kaluar kur u kufizuan vizitat.