Arbëri

Alija për gjyqin në Hagë: Procesi është drejt fundit

Amer Alija

Avokati Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka deklaruar se procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve po shkon drejt fundit, duke shtuar se prilli i 2025-s është afati i fundit i dëgjimit të dëshmitarëve nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).

Ai ka thënë se nuk pret që procedurat të tejzgjaten, ndonëse ka shtuar se procesi gjyqësor ka qenë maratonik.

“Siç e dimë nga informatat, prilli i vitit 2025 është afati i fundit kur Prokuroria duhet t'i dëgjojë të gjithë dëshmitarët e pastaj ka afatin për administrim të provave. E pas kësaj, radhën e ka pala e dëmtuar, varësisht nga numri i dëshmitarëve që planifikon t'i ftojë...Procesi po shkon kah fundi, nuk pritet të kemi tejzgjatje të procedurës gjyqësore”, ka thënë Alija thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, gjysma e seancave gjyqësore janë mbajtur të mbyllura ose të redaktuara, derisa ka kërkuar që trupi gjyqësor duhet të jetë më transparent.

Lexo edhe:

“Sipas mendimit tim, trupi gjykues duhet që të kujdeset që informatat që ndikojnë në zbulimin e dëshmitarit të redaktohen, e jo e tërë dëshmia të jetë e paqasshme për publikun”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit të Fondit për të Drejtën Humanitare, ky proces gjyqësor është maratonik për shkak se sipas tij, proceset e kaluara gjyqësore janë kryer në një periudhë më të shkurtër kohore.

“Ka qenë gjykim maratonik, nga prilli deri sot janë mbajtur 156 seanca ku janë dëgjuar 103 dëshmitarë nga ZPS-ja, e pjesa paraprake që ka zgjatur 2 vjet e gjysmë, ku palët përgatiteshin dhe mbaheshin seanca mbi ecurinë e çështjes. Tash ndodhemi në procedurën e administrimit të provave”, ka thënë Alija.