Arbëri

Alija: Ndëshkimet e Speciales për pengim të drejtësisë, më të ashpra se të Tribunalit të Hagës

Avokati nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka deklaruar se politika ndëshkimore e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë është më e ashpër krahasuar me Tribunalin e Hagës kur bëhet fjalë për pengim të administrimit të drejtësisë. 

Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Alija ka thënë se kjo është parë te dënimi që u është caktuar Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit për këtë vepër penale. 

“Ne e kemi parë praktikën e Dhomave të Specializuara, në krahasim me Tribunalin e Hagës që e ka pasur një politikë ndëshkimore më të butë në krahasim me pengimin e administrimit të drejtësisë, në këtë rast e kemi parë te rasti i Gucatit dhe Haradinajt që janë dënuar me 4 vjet e tre muaj. Politika ndëshkimore e Dhomave të Specializuara është mjaft e ashpër dhe tani varësisht se për çfarë veprash penale ngarkohen, në fund bëhet matja e dënimit”, ka thënë ai. 

Derisa ka folur për arrestimet e fundit nga ZPS-ja, Alija ka thënë se mesazhi është që ende po vazhdojnë hetimet e rasteve që janë në kompetencë të këtij institucioni. 

“Mesazhi që po dërgohet te publiku është që Dhomat e Specializuara apo ZPS-ja ende po vazhdon me hetimin e rasteve që i kanë në kompetencë. Sipas njoftimit të shkurtër të dhënë nga ZPS-ja ky operacion i sotit ka të bëjë me pengimin e administrimit të drejtësisë. Në rast se e shikojmë se çfarë lloj aktakuzash janë ngritur, po del që 3 aktakuza janë ngritur lidhur me krimet e luftës dhe po ashtu diku tre aktakuza lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë”, ka shtuar ai.

Alija tutje ka thënë se operacionet e së enjtes nuk ndërlidhen me reagimet e mbrojtjes për paanshmërinë e trupit gjykues. 

“A do të ketë arrestime të reja apo jo ne nuk mund ta dimë, këto informata i posedon vetëm ZPS-ja. Operacione të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën, bastisje, konfiskime të telefonëve e të ngjashme, pastaj persona që janë ndaluar e më pas janë lëshuar pa u arrestuar, ende nuk kemi një njoftim zyrtar se çfarë do të bëhet me katërshen që sot ka qenë cak i ndalimit apo bastisjeve. Nuk besoj që reagimet e mbrojtjes lidhur me paanshmërinë e trupit gjykues apo prokurorisë të kenë ndonjë ndërlidhje me operacionet e sotit”, ka theksuar ai.