Arbëri

Alija: Me formularin për regjistrim të popullsisë Kosova do të ketë më pak viktima të luftës

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se me formularin për regjistrim të popullsisë Kosova do të ketë të paktën 400 viktima më pak nga lufta.

Të premten [5 prill] në Kosovë ka nisur regjistrimi i popullsisë, proces që do të zgjasë më shumë se një muaj. Krahas regjistrimit të popullsisë, në formularët e përgatitur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) janë pyetjet për dëmet humane dhe materiale të luftës.

Alija ka thënë se nga ky formular mund të dalin të dhëna jo të sakta. Ka shtuar se në formularin e ASK-së periudha e luftës përkufizohet nga 28 shkurtit i vitit 1998 deri më 9 qershor të vitit 1999, por së paku 400 viktima, siç thotë ai, kanë qenë pas kësaj date deri në largimin e trupave serbe më 20 qershor.

“Formulari në ASK e përkufizon periudhën e luftës prej 28 shkurtit ’98 deri 9 qershor ’99. Kjo është periudha e luftës, sipas këtij Agjencioni. Lufta ka përfunduar më 9 qershor me Marrëveshjen e Kumanovës. Por në Marrëveshje ka pasur 11 ditë kohë që trupat serbe të largoheshin nga Kosova. Vetëm në periudhën 12 qershor ’99 – 20 qershor ’99, Kosovës do t’i mungojnë 3.3% të viktimave, minimum 400 viktima më pak”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas Aliajt, nuk është e lehtë që për një muaj të arrihet në përfundime për dëme humane apo materiale të luftës.

“Është periudhë e shkurtë që të dokumentohen, evidentohen të gjithë të vrarët apo të zhdukurit. Për një periudhë kaq të shkurtë, mund të ketë gabime dhe të gjetura jo të sakta. Lista zyrtare shtetërore për personat e vrarë dhe zhdukur gjatë luftës ekziston. Nuk ka nevojë që të verifikohet kjo listë. Fondi për të Drejtën Humanitare është duke e dokumentuar këtë listë qe 25 vjet. Nuk është lehtë të arrihet në një përfundim të tillë për një muaj. Për të arritur në një përfundim, duhet të analizohen shumë burime dhe jo vetëm të bëhet një pyetësor. Për të arritur te një identitet i viktimës, ne përdorim shumë burime”, ka deklaruar Alija.

Ai ka thënë se me këtë çështje do duhej të merrej Instituti për Hetimin e krimeve të luftës.

“Do duhej që ky Institut ta krijonte një komision të ri për t’i vlerësuar dëmet që janë shkaktuar në luftës”, është shprehur Alija.

Ngatërrime mund të ketë edhe në deklarimin e dëmeve materiale gjatë luftës, sipas tij.

“Secili familjar që intervistohet, në rast se motrën apo vëllanë e ke në qytetin tjetër, dhe deklaron për të njëjtat dëme të luftës, varet prej sistemit digjital sa është i sofistikuar dhe sa mund t’i detektojë deklarimet e njëjta. Ngatërrime të ngjashme mund të ketë. Këto punë duhet të bëhen ngadalë dhe duhet të krahasohen me listat që janë publike”, ka shtuar Alija.

Megjithatë, Alija ka thënë se formularët “munden me qenë vetëm një pjesë e dokumentimeve për personat e vrarë, zhdukur apo dëmeve ekonomike të luftës”.