Arbëri

Alija e quan mangësi mosraportimin nga Dhomat e Specializuara

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka bërë dallimin mes raportimit nga gjykatat vendore dhe Dhomat e Specializuara në Hagë për krimet e luftës.

Ai ka thënë se në gjykatat vendore në shumicën e herëve ka prezencë fizike të mediave, por jo edhe në seancat në Dhomat e Specializuara. Megjithatë, ka shtuar se mediat në përgjithësi i përcjellin gjykimet për krime lufte nga fillimi deri në fund dhe se kjo tregon profesionalizëm të tyre.

“Ajo që dallohet është që gjykimet në Kosovë kemi prezencë fizike të mediave, më shumë gazetarë, e në krahasim me gjykimet në Dhomat e Specializuara nuk është se nuk kemi interesim por nuk kemi prezencë fizike të mjaftueshme të gazetarëve. Vetëm në rate të caktuara shkojnë gazetarët atje. Dallimi tjetër është që seancat pranë Dhomave të Specializuara transmetohen online dhe kemi redaktim të madh, në krahasim me gjykimet në Kosovë ku 99% të seancave janë publike dhe prezenca e gazetarëve është çdo ditë”, ka thënë ai në “60 Minuta” në KTV.

Alija ka theksuar se mosprezenca fizike në seanca gjyqësore është mangësi për gazetarët për shkak të pamundësisë për të krijuar kontakte të drejtpërdrejta me akterë.

“Raportimi apo prezenca fizike është ajo që ndikon për gazetarët që të krijojnë kontakte të drejtpërdrejta. Në Kosovë kanë me prokurorë, avokatë dhe shpesh mund të marrin opinione direkt nga palët në procedurë. Në rastin e Dhomave të Specializuara komunikimi bëhet përmes personave përgjegjës për media dhe asnjëherë nuk mund të bëhet komunikimi direkt me prokurorin apo trupin gjykues”, ka shtuar ai.

Alija ka potencuar se nuk është bërë mjaftueshëm në adresimin e krimeve të luftës për 25 vjet dhe se numri i të dënuarve është shumë i vogël në krahasim me atë të viktimave të luftës.

“Tash 25 vjet nga përfundimi i luftës, proceset kanë kaluar nëpër duar të ndryshme, nëpër misionet ndërkombëtare, gjykatat vendore, Dhomat e Specializuara, nuk është bërë mjaftueshëm në ofrimin e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Nga të gjitha institucionet diku 74 persona janë dënuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe në anën tjetër kemi mbi 10 mijë viktima civile. Është numër shumë i vogël i të dënuarve për arsye të ndryshme, qoftë politike, qoftë të mosbashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë kanë ndikuar që këto procese të jenë të pakta”.

Ka treguar se vetëm gjatë vitit të kaluar janë ngritur 15 aktakuza për krime lufte dhe diku 68 persona janë akuzuar për krime lufte, përfshirë edhe tetë aktakuzat në mungesë.